Skandali te Onkologjiku, tre ministra duhet të japin dorëheqjen
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi foli sot në Kuvend lidhur me skandalin tek spitali i Onkologjikut pranë QSUT.
Sipas Vokshit tre ministra duhet të ishin dorëhequr ose shkarkuar në lidhje me ngjarjen. Ajo tha se të gjithë kishin dijeni për skandalin, dhe asnjë nuk ka reaguar.
“Në këtë qeverisje 3 ministra, Koçiu, Manastirliu dhe Manja nuk duhet të ishin të ulur në ato karrige. Duhet të ishin shkarkuar ose dorëhequr. Të gjithë kishin dijeni mbi atë që ka ndodhur tek Onkologjiku, por kanë refuzuar të reagojnë. Dje nxituan të hidhnin baltë mbi mjekët. Ka edhe mjekë që abuzojnë, por koka e korrupsionit janë këta 3 ministra.”, tha Vokshi.
Skandali në spitalin e Onkologjikut u zbulua nga Prokuroria e Tiranës pas denoncimit të një familjari. 7 masa sigurie u vendosën pas hetimeve që zbuluan një skandal në spitalin onkologjik në QSUT. Pacientëve me sëmundje tumorale nuk u ofrohej shërbimi, dhe përmes disa mjekëve dhe stafit të përfshirë, orientoheshin në klinikën e onkologut Edmond Gashi. Hetimi i Prokurorisë së Tiranës zbuloi se ilaçet nxirreshin jashtë spitalit dhe shiteshin në disa farmacive në Tiranë. Radioterapia nuk u vu kurrë në punë edhe pse aparatura dhe lënda e rrezikshme kimike “Kobalto” ka qenë prezente në spital prej vitit 2021.
Burimi