Si po tentohet të joshen të rinjtë të bëhen pjesë e ushtrive në Evropë

Si po tentohet të joshen të rinjtë të bëhen pjesë e ushtrive në Evropë

Në Itali, numri i ushtrisë është zvogëluar nga 200.000 një dekadë më parë në 160.900 sot.

Në një ceremoni festive zhvilluar në Berlin muajin e kaluar, në kuadër të 75 vjetorit të kushtetutës gjermane, stenda e Bundeswehr-it, forcave të armatosura, u rrethua nga një
turmë e madhe njerëzish. Por në mesin e kureshtarëve që po përpiqeshin të shihnin video të operacioneve të fundit, kishte pak nga njerëzit që synon të joshë ushtria gjermane:të rinjtë.
Kanë kaluar 2 vite që kur Gjermania shpalli Zeitenwende-n e saj, “pika e kthesës” në raport me  shpenzimet në mbrojtje, e shpallur nga kancelari Olaf Scholz në vitin 2022, pak ditë pasi Rusia filloi sulmin e saj të gjithanshëm ndaj fqinjes së saj, Ukrainës. Që nga ajo kohë, ajo i ka rritur më dhjetëra miliarda euro shpenzimet e mbrojtjes.
Por problemi që ka mbetur më në hije, është ai i mungesës së burimeve njerëzorë. Me një personel total prej 181.000 trupash aktive, ushtria gjermane ka të paktën 20.000 ushtarë më pak se sa drejtuesit e saj ushtarakë thonë se i duhet për të përmbushur misionin e saj aktual.
Ky hendek është një nga më të mëdhenjtë në Evropë. Por të dhënat mbi këtë çështje nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike, tregon se nuk është e vetmja. Edhe Britania e Madhe ka dështuar të përmbushë në dekadën e fundit objektivat e saj vjetore të rekrutimit ushtarak.
Madje vitin e kaluar forcat e saj tokësore u pakësuan me 4.000 ushtarë. Forcat e armatosura franceze, më të mëdhatë në Evropë me 203.850 burra dhe gra, janë ende të pamjaftueshme për atë që gjeneralët francezë thonë se është e nevojshme, teksa ka një rënie prej 8 për qind që nga viti 2014.
Në Itali, numri i ushtrisë është zvogëluar nga 200.000 një dekadë më parë në 160.900 sot. Në letër, aleatët evropianë të NATO-s kanë në total 1.9 milionë trupa  tyre. Pra me sa duket mjaftueshëm për t’iu kundërvënë Rusinë (e cila ka 1.1 milionë ushtarakë aktivë dhe 1.5 milionë rezervistë).
Por në realitet, fuqitë evropiane të NATO-s do ta kishin të vështirë të angazhonin më shumë se 300.000 trupa në një konflikt. Dhe madje edhe ky numër do të kërkonte muaj përgatitje, thonë analistët për FT. “Për shumë vite, planifikimi i mbrojtjes së NATO-s në Evropë kishte të bënte me pyetje si ‘A jeni gati të na furnizoni me 300 forca speciale për Afganistanin’. Dhe kjo qasje ka krijuar shumë boshllëqe”- thotë Camille Grand, anëtare e Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë dhe deri në vitin 2022 ndihmës sekretare e përgjithshme e NATO-s.
Sipas Grand me përjashtim të Greqisë dhe Turqisë, vit pas viti kemi parë një tkurrje të forcave në të gjithë kontinentin. Në disa aspekte, numrat janë një parametër jo shumë domethënës i forcës ushtarake, siç e treguan ditët e para të pushtimit rus të Ukrainës. Megjithatë edhe në ushtritë e avancuara teknologjikisht, sasia është ende jetike, sidomos kur strukturat e forcave janë aq të dobëta saqë kanë aftësi të kufizuara për të amortizuar humbjet.
Jetike është edhe aftësia parandaluese. Rekrutimi i më shumë ushtarëve evropianë në aleancë,  është sot edhe më thelbësor në një kohë kur nuk mund të garantohet më mbështetja tek SHBA-ja, thekson Grand. “Nëse shpërthen një krizë, ne duhet të jemi në gjendje ta bindim Rusinë se përballë nuk do të ketë vetëm ushtrinë polake, por të gjithë aleancën”- nënvizon ajo.
Problemi i tkurrjes së ushtrive evropiane ka qenë i njohur prej disa kohësh. Në vitin 2013, vetëm 3 muaj përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën Lindore dhe Krimenë, Sër Nicholas Houghton, në atë kohë shefi i shtabit të mbrojtjes së ushtrisë britanike tha se “kemi pajisje të shkëlqyera, por burime të pamjaftueshme për t’i drejtuar ato”.
Që nga ajo kohë ushtria e Mbretërisë së Bashkuar është tkurrur me 19 për qind, duke arritur në vetëm 138.000, sipas shifrave më të fundit të Ministrisë së Mbrojtjes. Gjithsesi sot kjo ministri ka një buxhet rreth 20 për qind më të madh në terma realë. Ben Barry, ish-gjeneral brigade thotë se edhe Britania është në një pikë kthese.
Alessandro Marrone, ekspert i çështjeve ushtarake në Institutin e Çështjeve Ndërkombëtare me seli në Romë, thotë se në të kaluarën, një karrierë ushtarake në Itali ishte “shumë konkurruese”  në krahasim me opsionet e tjera në tregun italian të punës, ndaj forcat e armatosura nuk kishin mungesë të rekrutëve.
Por sot, të rinjtë italianë kanë shumë më tepër mundësi. Ata mund të gjejnë lehtësisht punë më fitimprurëse, që ofrojnë perspektivën e një balance më të mira punë-jetë. “Brezi i ri është mësuar të udhëtojë, të studiojë jashtë vendit dhe të kërkojë punë jo vetëm në Itali”- thotë Marrone.
Ndërkohë Sarah Atherton, veterane e ushtrisë britanike, thotë se Ministria e Mbrojtjes po përpiqet të ndryshojë gjërat:”Paratë janë aty. Por unë s’kam iluzione. Vendet e tjera NATO-s janë në të njëjtën situatë si ne, dhe ndoshta edhe më keq”. Nëse më shumë evropianë nuk zgjedhin karrierën ushtarake, qeveritë e tyre mund të kërkojnë mënyra të tjera për t’i bindur ata të bëhen pjesë e tyre.
Për javë të tëra, Ministri gjerman i mbrojtjes Boris Pistorius konsultoi idenë e tij të madhe. Berlini propozon t’i dërgojë një pyetësor të gjithë meshkujve 18-vjeçarë gjermanë – rreth 400.000 në vit – duke i pyetur ata për gatishmërinë që kanë për të kryer shërbimin ushtarak.
Më pas do të kërkohet një numër më i vogël për të marrë pjesë në një përzgjedhje të mundshme,  rreth 40.000 në vit, shpreson Ministria e Mbrojtjes. Edhe Holanda ka hedhur kohët e fundit idenë e një modeli hibrid të rekrutimit:vitin e ardhshëm shpreson të regjistrojë 2000 të rinj për një “vit shërbimi”, bazuar në ata që identifikon se kanë potencialin nga një pyetësor i detyrueshëm që u dërgon të rinjve kur ata mbushin 17-vjeç.
Si qasja gjermane, ashtu edhe ajo holandeze, marrin shkas nga ajo që planifikuesit e mbrojtjes kanë nisur ta quajnë si “modeli skandinav” i rekrutimit. Në Norvegji dhe Suedi, modelet e rekrutimit universal kanë rezultuar shumë të suksesshme. Në Norvegji, vetëm 14 për qind e atyre që kualifikohen shërbejnë në ushtri, ndërsa në Suedi vetëm 4 për qind.
Vetë filtrat përzgjedhës e kanë rritur prestigjin e tij. Ndërkohë ekspertët thonë se rekrutimi – madje edhe modelet e suksesshme hibride – nuk do të jetë kurrë një zgjidhje përfundimtare. Ata duhet të kenë një ide më të gjerë se si ta bëjnë më tërheqëse një karrierë ushtarake.
Një nga arsyet pse modeli funksionon kaq mirë në Norvegji dhe Suedi, është sepse atje një karrierë e rregullt ushtarake shihet si e vlefshme dhe prestigjioze. Nga ana tjetër, në gjithë kontinentin bie në sy një problem madhor:akomodimi. Në raportin e saj vjetor mbi gjendjen e ushtrisë gjermane, komisionerja parlamentare Eva Högl shkroi se kazermat në të gjithë vendin ishin në një gjendje mjerane.
Madje në disa baza, vuri në dukje ajo, trupat duhet të paguajnë nga xhepi i tyre për të pasur për WiFi për disa orë. Në Britani, kushtet janë të ngjashme. Në prill, raporti Kerslake zbuloi se cilësia e kazermave në bazat ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar ishte shumë e keqe. Problemet e vazhdueshme dhe “të përhapura” përfshinin “lagështinë dhe mykun . . . defektet me gazin dhe energjinë elektrike dhe infektimet nga parazitët”.
Dhe gjendja e kazermave reflekton një problem më të gjerë të natyrës kulturore. Shumë njerëz e konsiderojnë ende një karrierë ushtarake si një provë “qëndrueshmërie”. Por ka një ndryshim midis rritjes përmes sfidës dhe aventurës personale, dhe forcimit nga vështirësive personale dhe familjare.
Një faktor potencialisht vendimtar, është roli i patriotizmit në ndërtimin e ushtrive. Në Poloni, ku qeveria shpreson të rrisë numrin e trupave në më shumë se 300.000 deri në vitin 2035, zyrtarët e ushtrisë thonë se historia e gjatë e agresionit rus që ka përjetuar vendi, është një motivues i fuqishëm për rekrutim.
“Shumica e të rinjve polakë janë të vetëdijshëm për luftën edhe nga diskutimet e tyre me gjyshërit e tyre. Dhe fakti që lufta është tani pranë kufirit tonë, e rrit numrin e të rinjve që duan të bashkohen me forcat e armatosura”- thotë gjeneralmajor Karol Molenda, i cili drejton operacionet e sigurisë kibernetike të forcave të armatosura të Polonisë.
Në një shkollë të mesme teknike në qytetin e Katovicës në jug, rreth 80 nga 300 nxënës kanë pranuar të marrin 2 orë leksione ushtarake në javë, në vend se ta kalojnë atë kohë duke mësuar rreth instalimeve elektrike telefonike apo të paneleve diellore. Vitin e kaluar, 5 studentë iu bashkuan një akademie ushtarake pas diplomimit.
Situata është e ngjashme në shtetet baltike, ku frika për revanshizmin rus është po aq e madhe. Megjithatë, këto janë përjashtime nga rregulli. Në Gjermaninë fqinje, Pistorius ka qenë nën një valë kritikash të rënda pse thënë vazhdimisht se shoqëria duhet të bëhet “e gatshme për luftë”.
Pavarësisht premtimeve të Zeitenwende, shumë gjermanë mbeten thellësisht të përkushtuar ndaj pacifizmit. Atje kujtesa historike ka efektin e kundërt. Por edhe në Britani, ku mbështetja publike për ushtrinë është vazhdimisht e lartë, ka një mosbesim të madh mbi tema të tilla si shërbimi kombëtar. Një propozim i kryeministrit Rishi Sunak, për ta rifutur atë është pritur me kritika të forta./Përshtati “Pamfleti” nga “Financial Times”
Burimi