Sherri mes të ‘fortëve’ për gërvishtjen e makinës te TEG, shpallet në kërkim futbollisti i Laçit dhe 2 të tjerë
Një ditë pas sherrit e dhunës te rrethrrotullimi i TEG në Tiranë, policia ka vënë në pranga 29-vjeçarin Fatjon Dauti dhe ka shpallur në kërkim 3 të tjerë.
Sherri u nxit pas aksidentit të dy vajzave me makina luksoze, të cilat thirrën ‘të fortët’ për të sqaruar situatën, por që ky diskutim degradoi në dhunë me sende të forta mes 4 të rinjve.
Sipas Policisë së Tiranës, ka rezultuar se Fatjon Dauti ka pasur armë me vete, e cila është gjetur në vendin e ngjarjes. Fatjon Dauti mbeti i plagosur nga sherri dhe prangat iu vunë mbrëmë, 22 gusht, në spital. Gjatë kontrollit fizik atij i është gjetur edhe një sasi kanabisi. Ndaj tij rëndon akuza e armëmbajtjes pa leje dhe prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike.
Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim Adem Noreci, 29 vjeç, Mario Barjamaj, 25 vjeç dhe Isuf Lika, 24 vjeç. Barjamaj rezulton të jetë futbollist i Laçit dhe pas sherrit është larguar nga vendi i ngjarjes.
“Në vijim të njoftimit paraprak të dhënë ditën e djeshme, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin Fatjon Dauti, 29 vjeç, banues në Krumë, për veprat penale “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të parashikuara nga nenet 278 dhe 283 të Kodit Penal.
Gjithashtu po punojnë për kapjen e shtetasve Adem Noreci, 29 vjeç, banues në Tiranë, Mario Barjamaj, 25 vjeç, banues në Tiranë, dhe Isuf Lika, 24 vjeç, banues në Domje. Ditën e djeshme, në afërsi të rrethrrotullimit të Teg-ut, shtetasi Fatjon Dauti, me shtetasin Adem Noreci, janë konfliktuar me sende të forta me shtetasit Mario Barjamaj, dhe Isuf Lika.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes është gjetur një armë zjarri pistoletë, e cila nga këqyrja e pamjeve filmike i përket shtetasve Fatjon Dauti dhe Adem Noreci. Gjithashtu gjatë kontrollit fizik shtetastit Fatjon Dauti, shërbimet e Policisë, i gjetën sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale së bashku me armën e zjarrit. Materialet i kaluan Prokurorisë.”-njofton policia.
Barjamaj luajti të hënën në fushë në përballjen Laçi-Tirana në javën e parë të Superligës.
Burimi