Saga e “21 Janarit” zhvendoset në SPAK/ Gruaja dhe vëllai i Aleks Nikës hapin nesër rrugën për të thirrur Bashën dhe Berishën!
Dëshmia nesër e familjarëve të Aleks Nikës, hap telashe për Lulzim Bashën dhe Sali Berishën, pasi sipas urdhrit të Gjykatës së Lartë, ata duhet të hetohen për rolin që kanë pasur.
Pas më shumë se 13 vitesh, rinisin hetimet për masakrën e 21 janarit 2011, ku u vranë 4 qytetarë të pafajshëm.
Për 2 prej tyre u zhvilluan gjyqe dhe pati dënime, por për Aleks Nikën dhe Hekruan Dedën nuk ka ende një autor. Falë këmbënguljes së madhe të familjarëve të Alkes Nikës, kjo dosje tashmë ka kaluar në SPAK dhe ndoshta ky do të jetë testi më i madh i kësaj prokurorie: Do e zbardhë një herë e mirë masakrën apo dosja do të përfundojë në kalendat greke.
Këtë javë që po lëmë pas, SPAK regjistroi procedim penal, ndërsa nga nesër nis pyetja e dëshmitarëve. Në mëngjes ata që do të ngjisin shkallët janë gruaja dhe i vëllai i Aleks Nikës, përkatësisht Rajmonda Nika dhe Mark Nika.
Të afërmit e Aleks Nikës kanë pretenduar se kanë një kasetë ku jepet urdhri për vrasjet shtetërore të cilën do t’ia vënë në dispozicion SPAK-ut. Bëhet fjalë për një audio-përgjim të publikuar nga gazetari Artan Hoxha, e cila duket se ndryshon rrjedhën e ngjarjeve. Fakti që ekziston ky përgjim, do të thotë se mund të ketë dhe të tjerë. Po ashtu, falë teknologjisë mund të bëhet dhe rikthimi i pamjeve filmike të fshira nga serveri i Kryeministrisë.
Por dëshmia nesër e familjarëve të Aleks Nikës, hap telashe për Lulzim Bashën dhe Sali Berishën, pasi sipas urdhrit të Gjykatës së Lartë, ata duhet të hetohen për rolin që kanë pasur.
Gjithmonë, familja Nika insistuar se plumbat mbi turmën e protestuesve para kryeministrisë 21 janarin e vitit 2011, u lëshuan me urdhër të Berishës dhe e Bashës. Ky i fundit tha pak ditë më parë se nuk ka dhënë urdhër të qëllojë, duke ja faturuar disi Berishës, pasi vetëm ata të dy e kishin këtë të drejtë.
Me shumë mundësi në ditët në vijim ata do të ngjisin shkallët e SPAK dhe të japin deponimet e tyre. Sali Berisha do nxirret nga arresti shtëpiak dhe për herë të parë do të dalë para një prokurori për këtë masakër. Basha ka në dorë fatin e tij, pasi nëse ai flet, ngjarja mund të zbardhet lehtësisht. Padyshim këtu do fundoste dhe veten.
Po ashtu pritet dhe një numër tjetër shumë i madh dëshmitarësh nga Ndrea Prendi, kreu i Gardës, te Agim Llupo që qëlloi, kryebashkiaku i Matit Agron Malaj që ishte pjesë e grupit të zjarrit, si dhe gazetarë dhe persona të tjerë të pranishëm atje. Gjasat janë që hetimet do zgjasin, por tani kjo patate e nxehtë është në duart e SPAK dhe do shihet serioziteti i kësaj prokurorie. /Pamfleti
Burimi