Rusia nuk po bën bllof, shkelja e vijave të saj të kuqe mund të na çojë drejt katastrofës!

Rusia nuk po bën bllof, shkelja e vijave të saj të kuqe mund të na çojë drejt katastrofës!

Vladimir Putin

Ndërsa lufta në Ukrainë ka hyrë në vitin e tretë, të gjitha palët duken më të gatshme për ta përshkallëzuar sesa për t’i dhënë fund.

Në fjalimin e tij vjetor “Gjendja e Kombit” presidenti Vladimir Putin i paralajmëroi vendet e NATO-s se “duhet më në fund ta kuptojnë se po kërcënojnë vërtet të nxisin një konflikt me përdorimin e armëve bërthamore, dhe rrjedhimisht shkatërrimin e qytetërimit”, nëse vazhdojnë që ta armatosin Ukrainën dhe të marrin në konsideratë dërgimin e trupave të tyre atje.
Që në qershorin e vitit 2022, Putin i paralajmëroi zyrtarët amerikanë kundër dërgimit të raketave me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë, duke thënë:”Ne do t’i godasim ato objektiva që ende nuk i kemi goditur”. Megjithatë, politikë-bërësit dhe analistët amerikanë duket se mendojnë se Putini nuk e ka seriozisht me ato që thotë.
Adam Kinzinger dhe Ben Hodges i siguruan lexuesit se Putini po bën bllof me kërcënimet
e tij për përshkallëzimin e konfliktit me përdorimin e armëve bërthamore. Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, hodhi poshtë mundësinë që ndihma perëndimore për Ukrainën të çojë në një hakmarrje të ashpër të Rusisë.
Administrata Biden duket se është dakord me këtë qasje, pasi kohët e fundit e ka lejuar Ukrainën të përdorë armët amerikane për të goditur brenda territorit rus. Një vijë e kuqe e Moskës, të cilën më parë administrata Biden kishte refuzuar ta shkelte.
Në këtë këndvështrim, përshkallëzimi është i llogaritshëm dhe vendet priren që të dalin bllof me vijat e tyre të kuqe. Por ky supozim është i rremë. Siç e shpjegoi së fundmi edhe strategu i famshëm ushtarak dhe bërthamor Bernard Brodie, zakonisht vendet nuk bllofojnë kur bëjnë kërcënime. Në fakt, përgjatë historisë ka shumë raste që tregojnë se si ky keqkuptim mbi përshkallëzimin, ka çuar në pasoja katastrofike.
Logjika e Japonisë pas sulmit të saj në Pearl Harbor, është një shembull i tillë i llogaritjes
së gabuar mbi gatishmërinë e një kundërshtari për ta përshkallëzuar konfliktin. Në atë kohë, admirali Isoroku Yamamoto, arkitekti prapa sulmit në bazën e madhe amerikane ne Paqësor, besonte se sulmi do ta shkatërronte moralin e Amerikës, duke e penguar atë të kundërshtonte zgjerimin e fuqisë së Japonisë në të gjithë rajonin.
Strategët ushtarakë japonezë, synuan ta përdornin Pearl Harbor si një mënyrë për të tronditur Shtetet e Bashkuara dhe detyruar atë të gjente një zgjidhje të negociuar me Japoninë. Natyrisht, këto pritshmëri ishin shumë larg të vërtetës. Dhe në vend të saj, sulmi në Pearl Harbor e futi Amerikën në Luftën e Dytë Botërore.
Lufta Koreane, ofron një shembull tjetër të kostove të politikë-bërësve dhe liderëve ushtarakë që injoruan “vijat e kuqe”. Në vitin 1950, gjenerali Douglas MacArthur, udhëheqësi i Komandës së Kombeve të Bashkuara, i çoi forcat e udhëhequra nga Amerika në gadishullin Korean në një kundërsulm mbresëlënës kundër ushtrisë së Koresë së Veriut.
Në librin e tij, Lufta Koreane, Max Hastings përshkruan në detaje se si MacArthur këmbënguli të përdorte forcat amerikane për të arritur një fitore të plotë kundër koreano-veriorëve. Synimi ishte të marshohej në gadishullin Korean deri në lumin Yalu, që ishte kufiri gjeografik midis Koresë dhe Kinës.
Megjithatë, zyrtarët kinezë ua bënë të qartë homologëve të tyre amerikanë dhe të OKB-së, se nuk duhej t’i çonin forcat e tyre përtej lumit. Raportet e inteligjencës amerikane treguan se forcat ushtarake kineze, po mobilizoheshin në rajonet ngjitur me lumin Yalu.
Gjithsesi, MacArthur këmbënguli të vazhdonte me planin, i bindur se kinezët nuk do të hynin në atë luftë. Vlerësimi i MacArthur rezultoi të ishte i gabuar. Forcat kineze mësynë në Kore në tetorin e vitit 1950, duke shënuar një nga pikat e kthesës në Luftën Koreane.
Një shembull tjetër, është vendimi i kryeministrit sovjetik Nikita Khrushchev për të dërguar raketa bërthamore në Kubë në vitin 1962. Më 13 shtator 1962, presidenti i SHBA-së John F.Kennedy e paralajmëroi Bashkimin Sovjetik që të mos e shndërronte Kubën në “një bazë ushtarake sulmuese me një kapacitet të konsiderueshëm”.
Por Khrushchev e cilësoi deklaratën si një “bllof” të Kennedy-t, dhe vendosi të dërgojë në ishullin e drejtuar nga komunistët e Fidel Castros raketa bërthamore me rreze të mesme veprimi. Ai e shihte Kennedy-n si një udhëheqës të dobët, dhe parashikoi se administrata e tij nuk do të bënte asgjë për ta kundërshtuar këtë manovër.
Ndërsa ato raketa nuk e ndryshuan ekuilibrin bërthamor midis Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara, në sytë e administratës Kennedy, e kërcënuan besueshmërinë e vendosmërisë së Amerikës. Ajo që pasoi si pasojë e hapave të gabuar të Khrushchev ishte Kriza e Raketave Kubane, një periudhë e tensionuar 13- ditore ku dy superfuqitë bërthamore e çuan botën në prag të Apokalipsit bërthamor.
Fatmirësisht, kalimi i kësaj “vije të kuqe” nuk solli ndonjë veprim ushtarak nga SHBA-ja, megjithëse iu afruam shumë këtij skenari. Morali i këtyre historive? Është e vështirë të thuhet nëse një vend po luan apo jo bllofin. Rast pas rasti, janë të dukshme pasojat negative të udhëheqësve që e minimizojnë besueshmërinë e “vijave të kuqe”.
Udhëheqësit e shohin besueshmërinë si një faktor të rëndësishëm në krijimin e shtetit, veçanërisht kur flitet për konceptin e parandalimit. Siç shkroi ekonomisti Thomas Schelling, efektiviteti i parandalimit varet nga “fuqia për të dëmtuar ”. Ai e vazhdon analizën me  një argument edhe më të spikatur:”Fatkeqësisht, fuqia për të dëmtuar komunikohet shpesh nga disa paraqitje të saj”.
Me fjalë të tjera, parandalimi funksionon vetëm nëse pala tjetër beson se tjetra do të bëjë atë që thonë. Nëse “vijat e kuqe” nuk merren seriozisht, për të demonstruar besueshmërinë e tij një vend do të veprojë sipas kërcënimeve që ka bërë.
Politikë-bërësit dhe analistët amerikanë, duhet të tregojnë shumë kujdes sot në interpretimin e sinjaleve që vijnë nga Rusia. Shumë njerëz po i bëjnë thirrje Shteteve të Bashkuara që të kalojnë “vijat e kuqe” të Rusisë dhe të vazhdojnë përshkallëzimin e saj rreth konfliktit në Ukrainë.
Është e rëndësishme të theksohet se gjatë historisë, ka pasur raste kur një vend nuk e ka përshkallëzuar një konflikt apo krizë, edhe pasi një kundërshtar e ka kapërcyer vijën e tij të kuqe. Megjithatë, me arsenalin e madh të armëve bërthamore që zotëron Rusia, për politikë-bërësit amerikanë do të ishte një lojë e rrezikshme të supozonin se përfundimisht Rusia nuk do ta përshkallëzojë luftën e saj.
Siç shkroi dikur strategu ushtarak gjerman Carl von Clausewitz “Në të gjithë gamën e aktiviteteve njerëzore, lufta i ngjan më së shumti një loje me letra”. Teksa rreziqet janë kaq të larta, Amerika duhet të jetë e kujdesshme dhe të mos humbasë të gjitha letrat e saj më të mira./ Përshtati “Pamfleti”, marrë nga “National Interest”vladimir putin
Burimi