Rreziqet dhe kurthet e një marrëveshjeje Trump-Putin mbi Ukrainën, 4 hapat urgjente që duhet të hedhë Evropa
Presidenti rus Vladimir Putin dhe Presidenti i SHBA Donald Trump së bashku në samitin e G-20 në Osaka, Japoni, më 28 qershor 2019
Nëse Evropa dëshiron të jetë e rëndësishme dhe të ketë një zë mbi fatin e saj, duhet të bëjë 4 gjëra.
Presidenti i porsazgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, ka premtuar se do t’i japë fund luftës së Rusisë ndaj Ukrainës që në ditën e tij të parë në detyrë. Megjithatë, ai ka qenë i paqartë se si
do ta arrijë këtë. Sepse ndalimi i luftës nuk mund të bëhet me komandë.
Edhe nëse Trump arrin një marrëveshje me presidentin rus Vladimir Putin, ajo nuk do ketë ndonjë peshë të madhe pa përfshirjen e Ukrainës dhe Evropës. Madje mund të mos nënkuptojë as fundin e luftës. Rreziku i vërtetë nuk është perspektiva e një marrëveshjeje Trump-Putin, e arritur me mënjanimin e ukrainasve dhe evropianëve.
Por që Putin mund të keqpërdorë dëshirën e Trump për një marrëveshje, dhe ku Rusia të nxjerrë lëshime nga Shtetet e Bashkuara, të përçajë Perëndimin dhe të dëmtojë mbështetjen perëndimore për Ukrainën. Kjo do t’ia bënte më të lehtë Moskës të nënshtronte dhe vendoste nën kontroll politik Kievin; të riarmatosej dhe rifuqizohej duke shfrytëzuar ekonominë dhe popullsinë e Ukrainës; dhe të përgatitet për sulmin e radhës ndaj një vendi tjetër evropian.
Ajo që ka mbetur ende nga aleancat perëndimore dhe rendi evropian i sigurisë, do të shkatërrohej njëherë e përgjithmonë. Thelbi i një marrëveshje Trump-Putin, mund të përfshijë mos-mbështetjen e SHBA-së për anëtarësimin e Ukrainës në NATO, angazhimin ndaj neutralitetit të Ukrainës, njohjen e aneksimeve të Rusisë në Ukrainë, dhënien fund të sanksioneve ndaj saj si dhe kufizimin (ose ndërprerjen) e ndihmës ushtarake dhe të llojeve tjera për Ukrainën.
Në këmbim, Rusia mund të angazhohet për një armëpushim, dhe për të ndalur sulmet me raketa dhe dronë ndaj Ukrainës. Një zonë e çmilitarizuar përgjatë vijës aktuale të frontit, do të ndante
2 forcat ndërluftuese nga njëra-tjetra. Nuk është aspak e qartë nëse Putin do ta pranonte një marrëveshje të tillë, kjo duke pasur parasysh objektivat e tij të gjera dhe të deklaruara për ta nënshtruar Ukrainën.
Por për arsye taktike, Rusia mund të pranojë të konsolidojë përfitimet e saj territoriale, por edhe të riarmatosë dhe rindërtojë forcat e saj, në mënyrë që të mundet të sulmojë sërish Ukrainën pas disa vitesh. Moska po riarmatoset që tani, teksa shpenzimet e mbrojtjes pritet të arrijnë në 32
për qind të buxhetit të shtetit të vitit të ardhshëm.
Vështirësitë financiare të shkaktuara nga sanksionet, mund ta nxisin Moskën të shkojë drejt një marrëveshje. Për më tepër, arritja direkt e një marrëveshje me Uashingtonin për çështjet e sigurisë evropiane, përputhet me dëshirën e Putin se si duhet të funksionojë bota.
Megjithatë, është tërësisht e mundshme që Putin dhe Trump të dështojnë të arrijnë një pakt. Putin e ka zakon të zgjasë pa fund negociatat duke bërë kërkesa të çuditshme. Edhe pse Trump shqetësohet pak për thelbin e një zgjidhje, pranimi i të gjitha kërkesave të Putinit do ta bënte atë të dukej i dobët dhe Ukrainën një dështim të turpshëm të administratës së tij.
Për më tepër, Putin beson se Rusia po fiton. Kremlini e sheh që lufta është e kushtueshme dhe
e ngadaltë, por ajo po përparon në vijën e frontit. Ukraina po bëhet gjithnjë më e dobët, dhe
është në rënie vendosmëria e Perëndimit për ta mbështetur atë. Ndaj pse duhet firmosur një marrëveshje tani, kur mund të fitohet më shumë në fushën e betejës?
Dhe sa më shumë territor të pushtojë Rusia, aq më i fortë do të jetë pozicioni i saj, dhe në
të ardhmen do të mund të firmosë një marrëveshje akoma më të mirë. Po ashtu, një armëpushim mund të shihet nga Rusia si një pauzë taktike në dobi të Ukrainës.
Në Moskë gjallon pikëpamja se Marrëveshjet e Minskut të vitit 2014 ishin të gabuara, pasi ato i dhanë Ukrainës kohë të çmuar për të modernizuar forcat e saj të armatosura me ndihmën e vendeve të NATO-s. Rusia mund të mos dëshirojë të rrezikojë një tjetër skenar të tillë.
Nëse Putini e refuzon një marrëveshje, Trump – gjithnjë i frikësuar se mos duket i dobët – mund të përpiqet që të ushtrojë presion shtesë ndaj presidentit rus për t’ia ndryshuar mendjen. Trump do të jetë i interesuar të parandalojë një fitore të plotë të Rusisë në Ukrainë, e cila mund të shihej si “Afganistani” i tij.
Në Partinë Republikane ka ende segmente të rëndësishme, veçanërisht në Capitol Hill, madje edhe disa ndihmës të afërt me Trump, që e mbështesin Ukrainën dhe janë të ashpër ndaj Rusisë. Për më tepër, disa nga ata që kanë një qasje të ashpër ndaj Kinës në administratën e tij, mund të argumentojnë se një fitore e Rusisë në Ukrainë, do ta bënte më të mundshëm një sulm kinez ndaj Tajvanit, skenar që Trump mund të dojë ta shmangë.
Administrata Trump mund të ushtrojë presion mbi Rusinë, dhe në bashkëpunim me Arabinë Saudite të përmbytë me naftë tregjet globale, me synim pakësimin e ardhurave të Rusisë nga eksportet. Mike Waltz, i emëruar nga Trump si këshilltar i sigurisë kombëtare, e ka propozuar këtë opsion për të paralizuar ekonominë ruse.
Ndërkohë mund të vendosen sanksione më të ashpra. Po ashtu, është e mundur të imagjinohet një skenar ku Trump e rrit ndihmën ushtarake për Ukrainën, dhe heq akoma më tej kufizimet në përdorimin e armëve perëndimore për të goditur Rusinë. Përmes ndryshimit të ekuilibrit të forcave në fushën e betejës, Trump do të përpiqej të krijonte kushtet për një marrëveshje.
Por problemi për Trump, është se një marrëveshje me Putinin, pa përfshirjen e Ukrainës dhe Evropës nuk është tamam një pakt. Edhe nëse Uashingtoni heq dorë nga mbështetja e tij për anëtarësimin e ardhshëm të Kievit në NATO dhe mbështet neutralitetin, Ukraina dhe Evropa mund të mos e pranojnë domosdoshmërisht atë.
Një ndryshim zyrtar në politikën e dyerve të hapura të NATO-s, ku një vendi i ndalohet përgjithmonë mundësia e anëtarësimit, do të kërkonte konsensus midis anëtarëve. Ndërkaq, nëse Shtetet e Bashkuara i njohin territoret e pushtuara si formalisht të Rusisë, por jo Ukraina dhe vendet evropiane, kjo çështje do të hynte në një zonë të pasigurt nga pikëpamja ligjore.
Shumica e ukrainasve e shohin këtë luftë si ekzistenciale, dhe nuk kanë iluzione mbi një armëpushim që do t’i jepte Rusisë shansin për t’u rigrupuar sulmuar sërish. Më pak përjashtime – siç është kryeministri hungarez Viktor Orban – Evropa do të kundërshtonte njohjen e pushtimeve territoriale të Rusisë.
Pasi kjo do të përmbyste rendin evropian të sigurisë, dhe do të krijonte precedentin e legjitimimit të pushtimit. Nëse Ukraina dhe Evropa refuzojnë një marrëveshje Trump-Putin, luftimet do të vazhdojnë, aneksimet e Rusisë do të mbeten të panjohura nga Kievi dhe shumica e vendeve evropiane, ndërsa anëtarësimi në NATO do të jetë për momentin jashtë tryezës.
Një rezultat i tillë, nuk do të ishte i barabartë me përfundimin e luftës, por me një situatë kaotike që e favorizon Rusinë. Rreziku i vërtetë, nuk është dhe aq një marrëveshje e keqe, por që Putini të nxisë Trumpin në arritjen e një pakti, në një formë që e dëmton unitetin e Perëndimit dhe mbështetjen e tij për Ukrainën.
Me një Perëndim të dobësuar, Rusia i afrohet objektivave të saj për të nënshtruar Ukrainën dhe rimodelimin e rendit global të sigurisë. Ç’duhet të bëjnë evropianët? Ata duhet veprojnë përpara se Trump të fillojë të negociojë një marrëveshje me Putinin. Ka të ngjarë që ekipi i Trump të kontaktojë Kremlinin edhe përpara se presidenti i rizgjedhur të bëjë betimin.
Madje mund të jetë duke e bërë tashmë, nëpërmjet Elon Musk dhe bashkëbiseduesve të tjerë që janë miqësorë me Rusinë. Nëse Evropa dëshiron të jetë e rëndësishme dhe të ketë një zë mbi fatin e saj, duhet të bëjë 4 gjëra. Së pari, duhet të rrisë shpenzimet në mbrojtje, minimumi 3 për qind të PBB-së.
Përveç kësaj, çdo vend i aleancës duhet t’i japë Ukrainës 0.5 për qind të PBB-së në ndihma aushtarake. Konfiskimi i 300 miliardë dollarëve asete ruse të ngrira, do të ishte një mënyrë e shpejtë për të pasur më shumë para për armë dhe municione.
Së dyti, Evropa duhet të ketë një peshë reale në këtë lojë. Kjo nënkupton dërgimin në Ukrainë të trupave evropiane, si trajnerë dhe këshilltarë, si dhe vendosjen e mjeteve të mbrojtjes ajrore në vendet kufitare me Rusinë, nga ku mund të përgjohen raketat dhe dronët rusë që godasin Ukrainën.
Së treti, aleatët evropianë të NATO-s duhet të rikonfirmojnë angazhimin e tyre për ta bërë Ukrainën një anëtare të bllokut. Anëtarësimi në NATO, është garancia e vetme që Rusia të mos e sulmojë sërish Ukrainën në të ardhmen.
Së fundi, Evropa duhet të lidhë çdo kërcënim të administratës Trump me pakësimin e angazhimit të SHBA-së ndaj NATO-s dhe Nenit 5, me gatishmërinë e Evropës për të bashkëpunuar me Trump me qëllim kundërvënien ndaj Kinës. Që Evropa të mbrojë interesat e saj, ajo duhet të jetë e gatshme të përfshihet në pazare të ashpra transaksionale, njëlloj si Donald Trump./ “Foreign Policy”
*Shënim:Fredrik Wesslau, bashkëpunëtor i politikave në Qendrën e Stokholmit për Studimet mbi Evropën Lindore.
Burimi