Rrëfimi: Varrezat në Tufinë i vendosi Mehmet Shehu për efekte strategjike

Rrëfimi: Varrezat në Tufinë i vendosi Mehmet Shehu për efekte strategjike

Aty ndodheshin objektet më të rëndësishme të ushtrisë.  Mehmet Shehu, që njihte mirë doktrinën e ushtrive të huaja e dinte filozofinë e tyre, sipas së cilës aviacionit luftarak i ndalohej në mënyrë kategorike sulmi në territoret e varrezave publike…

Tufina /

Pjesa e Dytë
Vijon nga Pjesa e Parë

Ka qenë fillimi i viteve ‘60 kur nisi nga zbatimi projekti i zgjerimit të Tiranës përtej zonës së “Xhamllikut”. Fillimisht duhej bërë transferimi i varrezave publike të Varrit të Bamit.
Autoritetet lokale përcaktuan paraprakisht zonën e Selitës dhe të Shkozës si qytezën e mundshme të varrezave të reja. Nismëtar i kësaj ideje u bë ish-kryetari i Komitetit Ekzekutiv, Rifat Dedja. Ai, pasi e konsultoi me specialistët e tij, e bëri prezentë te Mehmet Shehu, me bindjen se do ta merrte lehtë miratimin e tij. Mirëpo kryeministri nuk e pa me entuziazëm projektin e vendorëve. Përkundrazi. Pasi e studioi me vëmendje propozimin e tyre, e kundërshtoi gati prerë dhe dha porosi për të studiuar ndonjë zonë tjetër. Këtë histori e zbardh më tej një nga inxhinierët e ish Komitetit Ekzekutiv të Tiranës që e ka ndjekur këtë procedurë nga fillimi në fund. Pas kësaj, thotë ai, Mehmet Shehu vuri veton për vendin e varrezave të reja. Në Tufinë dhe vetëm në Tufinë, ishte urdhri i tij i prerë. Asokohe Besimi Ymeri ka qenë i ri dhe nuk kishte si ta kuptonte arsyen e vërtetë pse kryeministri kishte këmbëngulur për këtë zgjedhje. Vetëm më vonë, siç pohon ai, do ta mësonte këtë nga bisedat me miqtë e tij ushtarakë. Sipas tyre, thotë inxhinieri i ish komitetit Ekzekutiv, gjithçka kishte të bënte me shkaqe strategjike, me arsye ushtarake. Nga aq sa shpjegon ai, vendosja e varrezave në zonën e Tufinës, në të cilën ndodheshin objektet më të rëndësishme të ushtrisë përjashtonte një bombardim të mundshëm nga aviacioni armik. Mehmet Shehu, që njihte mirë doktrinën e ushtrive të huaja e dinte filozofinë e tyre, sipas së cilës aviacionit luftarak i ndalohej në mënyrë kategorike sulmi në territoret e varrezave publike. Si një shtatmadhor me përvojë, ai njihte mirë shenjat kondicionalë të hartave ushtarake, që përjashtonin zonat e bombardimit nga ajri, ku një e tillë ishte edhe varreza publike. Gjithsesi, thotë Ymeri, kjo e keqe për banorët e zonës tonë paskej pasur një të mirë që atëherë pakkush e dinte…
 “Ku ta dija që poshtë burgut të lopës ishte zyra e Enverit”
“A e din ti, mik vëllai, që Enver Hoxha këtu ka pasur zyrën e kohës së luftës. E ku ta dish?!. Atëherë nuk e dinim as ne që e kishim te porta.” Pasi na ka sjellë deri në kreun e luginës, që ndan zonën e Tufinës me qytetin e Tiranës, Blerim Shtishi, na tregon objektin e nëndheshëm me pesë kate që dikur ishte vendkomandë e kreut të shtetit komunist. I ndërtuar në kushtet e fshehtësisë së jashtëzakonshme në fundin e viteve ‘60, ai ka qenë korpusi sekret i zyrave të komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm. Në çdo rrethanë kërcënuese gjendeshin aty udhëheqësit e lartë, dhe shtatmadhorët e ushtrisë, të cilët pasi linin përkohësisht komoditetin e bllokut, merrnin drejtimin dhe jepnin urdhra nga zyrat e blinduara nëndhe. Enver Hoxha, më i rëndësishmi ndër ta, thotë Blerimi, vinte më rrallë, po gjithnjë në fshehtësi. “Vinte dhe ikte, shton ai, dhe askush nuk merrte vesh gjë. Bile nuk na shkonte në mëndje që mund të kishte zyrën aty.”. Njeriu që ka pasur shtëpinë mbi kodrën e objektit sekret, siç thotë, këtë e ka marrë vesh krejt rastësisht. Teksa kërkonte një ditë pranvere të vitit ‘78 lopën që i kishte humbur është ndaluar nga gardistët e sigurisë që kishin rrethuar tërë zonën. Kjo përplasje jo e zakontë do të bëhej shkak që Blerim Shtishi të ishte ndër të parët që do të merrte vesh emrin e mysafirit VIP. “Zyra e Enver Hoxhës, saktëson më tej Shtishi, binte poshtë burgut të lopës time”./ Pamfletivarrezat në tufinë mehmet shehu
Burimi