Rënia e Olaf Scholz, një paralajmërim ogurzi për partitë e majta kudo në Evropë
Olaf Scholz
Që nga vitet 1970, të gjithë kancelarët gjermanë janë rizgjedhur të paktën një herë në detyrë. Olaf Scholz mund të jetë i pari, që do të largohet nga posti pas një mandati të vetëm.
Koalicioni trepartiak midis socialdemokratëve të tij (SPD), të Gjelbërve dhe FDP-së konservatoro-liberale,
u prish në fillim të këtij muaji për shkak të mosmarrëveshjeve mbi politikat ekonomike. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare, do të mbahen më 23 shkurt 2025. Fati i SPD-së, duhet
të jetë një fabul paralajmëruese për laburistët në Britani por edhe të gjithë partitë e tjera të qendrës së majtë në Evropë. Fitorja e Scholz-it në vitin 2021, kishte mjaft paralele me triumfin elektoral të Keir Starmer.
Pas mbretërimit 16-vjeçar të Angela Merkel, gjermanët donin ndryshim. SPD bëri fushatë
me premtimin e rritjes së investimeve publike. Pjesa më e madhe e tyre, shkoi për energjinë e rinovueshme. Por shumë shpejt, rregulloret e rrepta për zero emetime të gazeve ndotëse në atmosferë, nisën të rëndojnë mbi kompanitë dhe konsumatorët.
Reagimi i parë i madh erdhi me faturën e ngrohjes nëpër shtëpi, e cila i detyroi qytetarët që të zëvendësonin ngrohëset me gaz me pajisje më të shtrenjta. Kjo çoi në rënien e çmimeve të banesave në disa pjesë të vendit. Nga ana tjetër, koalicioni i Scholz ishte një nga mbështetësit më të mëdhenj të Marrëveshjes së Gjelbër të BE-së, me objektivat e tij të detyrueshëm të zerimit të emetimit të gazit CO2 në atmosferë për kompanitë e makinave.
Po ashtu ndalimin deri në vitin 2035 të shitjes së makinave të reja me karburant, të një ligji për restaurimin e natyrës, që i detyron fermerët të lënë mënjanë një pjesë të tokës, dhe së fundmi të një ligji që kërkon nga bizneset të dëshmojnë se produktet që shesin s’kanë lidhje me tokat e shpyllëzuara.
Së bashku me legjislacionin mbi përgjegjësinë sociale të korporatave, kjo ka çuar në një rritje të madhe të kostove dhe burokracisë për kompanitë. Dështimi i forcave që e mbështesin këtë qasje në zgjedhje, është revolta e parë popullore në Evropë. Por nuk do të jetë e fundit.
Gjykimet e vazhdueshme të gabuara mbi politikën energjetike, kanë luajtur një rol të madh në rënien e qeverisë së fundit gjermane. Gjatë 2 dekadave të para të këtij shekulli, Gjermania e bëri veten të varur nga gazi rus, teksa filloi të heqë dorë nga energjia bërthamore, një teknologji ku shkëlqyen shkencëtarët gjermanë, por ndaj të cilit publiku nuk kishte besim.
Humbja e gazit rus dhe energjisë bërthamore, e ka lënë ekonominë gjermane të pafuqishme në epokën e Inteligjencës Artificiale. Vetëm vitin e kaluar, Scholz parashikoi se investimi në tranzicionin e gjelbër, do të çonte sërish në ritmet e rritjes ekonomike të lartë që përjetoi Gjermania gjatë bumit të viteve 1950-1960.
Ata besuan vërtet në përrallën e energjisë së gjelbër të lirë të pakufishme; por realiteti ekonomik ishte ndryshe. Kur Ministri i Financave dhe njëherazi kryetar i FDP-së, Christian Lindner, kërkoi një ndryshim të fortë të politikës ekonomike në fillim të kësaj vjeshte, koalicioni ishte në prag të humnerës.
Për të parandaluar dorëheqjen e Lindner, Scholz vendosi ta shkarkonte atë dhe t’i jepte fund vetë koalicionit qeverisës. Por koha që zgjodhi ishte e gabuar. Ndodhi pikërisht në ditën kur Donald Trump u shpall fitues i zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Një moment jo shumë ngazëllues, për një krizë politike në vendin më të madh të BE-së. Pastaj kriza u thellua.
Gazetat gjermane, zhvilluan një fushatë të pamëshirshme për ta nxitur SPD-në të zëvendësonte Scholz-in me Boris Pistorius, Ministrin e Mbrojtjes shumë më popullor se i pari, si kandidatin e saj për kancelar në zgjedhjet e ardhshme. Ish-udhëheqësit e SPD-së debatuan midis tyre.
Disa pro Scholz, të tjerët me Pistorius. Por pikërisht në kohën kur u duk i mundshëm një puç kundër Scholz, Pistorius njoftoi se nuk do të kandidojë. Ky vendim lë në garë Scholz, një kandidat me një imazh të dëmtuar, në krye të një partie aspak popullore. Gjithsesi, asgjë nuk ka mbaruar.
Olaf Scholz ishte një kancelar i dobët, por unë do ta vlerësoja në disa aspekte. Si për shembull kujdesin e tij të madh në lidhje me dërgesat e armëve për Ukrainën, që vlerësohet nga shumë votues. Ai kundërshton kategorikisht dërgimin e raketave rrëshqitëse gjermane “Taurus”, i vetmi sistem raketor që do t’i kishte dhënë Ukrainës avantazh në luftë, gjithnjë nëse do të ishin çuar shumë më herët.
Nëse Trump do të arrijë të ndërmjetësojë një marrëveshje paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës, unë pres që Scholz të pretendojë publikisht një pjesë të meritës. Inaugurimi në detyrë i Trump një muaj para zgjedhjeve në Gjermani, i shton më tej pikëpyetjet. Që Scholz të kthejë gjërat në favorin e tij, do të duhej një përpjekje më e madhe se ajo e Gerhard Schröder në vitin 2005. Gjithsesi Schröder i humbi zgjedhjet atë vit me një diferencë të ngushtë. Nga të gjitha rezultatet e mundshme, një rimëkëmbje e moderuar, është skenari më i mirë që mund të shpresojë realisht SPD. Por gjërat mund të lëvizin në drejtimin tjetër. SPD mund të përfundojë sërish si pjesë e qeverisë, këtë herë si partnerja e vogël në koalicion, ashtu siç ndodhi në kohën e Merkel.
Kjo është një histori e aritmetikës komplekse në një sistem zgjedhor proporcional. Edhe pse të gjitha partitë centriste të Gjermanisë, janë distancuar hapur kundër bashkëpunimit me partinë e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë, ato e kanë lënë veten në një pozicion ku mund të qeverisin vetëm në koalicion me njëra-tjetrën.
Bazuar në sondazhet aktuale, kreu i CDU Friedrich Merz, ka shumë gjasa të bëhet kancelari i ardhshëm. Por për të qeverisur, ai do të detyrohet të formojë një koalicion, me shumë gjasa ose me SPD-në ose me të Gjelbërit. Unë nuk jam i sigurt nëse SPD-ja po luan për fitore. Më duket sikur po luan për vendin e dytë.
Po pastaj çfarë pritet të ndodhë? Një koalicion i madh, nuk do të ishte më i lehtë për t’u menaxhuar sesa ai që sapo është rrëzuar. Merz do të përballej me probleme të ngjashme me Scholz-in. Ndërkohë, vazhdon rënia e industrisë gjermane. Javë pas jave, dëgjojmë raportime
për mbyllje fabrikash në industrinë e makinave dhe të furnitorëve të saj.
Kjo është ajo që ndodh, kur një vend me një teknologji të vjetruar, përqafon ekonominë e zero ndotje atmosferike në mesin e një konflikti të ashpër gjeopolitik. Sociologu gjermano-britanik Ralf Dahrendorf e quajti XX si shekulli socialdemokrat. Ai nuk mbaroi me fundin e Luftës së Ftohtë. Madje në Gjermani pati një jetë shtesë, e cila po përfundon pikërisht tani./ Përshtati “Pamfleti”, marrë nga “Newstatesman”
Burimi