Pse Trump ka triumfuar kundër Biden dhe Partisë Demokratike
Trump-Biden
Trump është toreadori që tund bezen e kuqe, duke e detyruar demin të sulmojë kokë më kokë.
Fitorja e vërtetë e Donald Trump, nuk ndodhi në debatin televiziv të së enjtes mbrëma, ku paraqitja e tij ishte më e mirë vetëm për shkak të paaftësisë së dukshme të kundërshtarit të tij. Suksesi i tij bazohet më në përgjithësi tek tronditja e madhe që i ka shkaktuar Partisë Demokratike.
Ajo është e një niveli të habitshëm, një lajm në vetvete. Sepse të gjithë e dinin se në çfarë gjendje është Joe Biden. Problemi i plakjes së tij, ka qenë në rendin e ditës për shumë muaj, nëse mos për disa vite. Atëherë, si ka mundësi që demokratët janë “zgjuar” vetëm tani?
Si mund të shpresonin ata deri në fund, se Biden do ta kalonte testin? Vetëm duke analizuar këtë ‘mister’ në fakt shumë të dukshëm, mund të zbulohet natyra e vërtetë e fitores së Trump. Për shkak të karakteristikave të tij shumë të çuditshme dhe shpesh të neveritshme, kandidati republikan ka ndihmuar që establishmenti i Partisë Demokratike dhe elitat rreth tij, të jenë izoluar në një “flluskë” vetë-referuese. Të fiksuar pas Trumpit, të bindur se ai është vetë Djalli, një kriminel i pa paraqitshëm në publik dhe një diktator aspirant fashist, këto elita e kanë gënjyer veten se mjafton vetëm që të bënin fushatë kundër Djallit, kundër kriminelit, kundër “mishërimit të Musolinit”.
“Flluska” besonte se mjaftonte të ngrihej 1 milion herë fantazma e 6 janarit 2021, për të mobilizuar një shumicë të madhe në mbrojtje të demokracisë. Ajo ka refuzuar të kuptojë arsyet e thella, legjitime dhe madje të shenjta që vazhdojnë të distancojnë një pjesë të madhe të popullit amerikan – shumë nga të cilët të klasës punëtore, përfshirë minoritetet etnike – nga politikat dhe modeli i vlerave që bart dhe promovon Partia Demokratike.
Problemet e Biden njiheshin dhe për to është folur prej disa kohësh edhe në kampin e majtë, por ato janë cilësuar gjithmonë si një aspekt dytësor dhe pothuajse margjinal në krahasim me monstruozitetin e Trump. Në rastin më të keq – menduan ata – do të ketë gjithmonë ndonjë gjykatës të gatshëm për ta siluruar këtë të fundit, në rast se votuesit janë vërtet një masë budallenjsh të pashërueshëm që nuk duan të hapin sytë ndaj së vërtetës.
Pavarësisht se si do të shkojnë zgjedhjet e 5 nëntorit (rruga është ende e gjatë, gjithçka mund të ndodhë, le të mos nxitojmë për ta “vendosur” atë si president 4 muaj më herët), triumfi i vërtetë i Trump ka të bëjë me aftësinë e tij për të verbuar kundërshtarët e tij.
Trump është toreadori që tund bezen e kuqe, duke e detyruar demin të sulmojë kokë më kokë. Do të përpiqem të shpjegoj në mënyrë të përmbledhur sesi demokratët u zhytën në këtë rrëmujë. Së pari, demokratë më të njohur (sepse qeverisin në të dy brigjet, kontrollojnë mediat sociale dhe televizionet dhe gazetat kryesore, dominojnë në Hollyëood dhe fuqi të tjera të kulturës masive, pasi kanë lumenj parash nga Wall Street dhe BigTech) e kanë shpërfillur refuzimin e madh popullor të aspekteve më radikale dhe më të diskutueshme të propozimit të tyre politik:kufij të hapur ndaj migracionit të paligjshëm; një ambientalizëm apokaliptik që e urren ekonominë e tregut dhe rritjen ekonomike; një anti-racizëm që është përhapur në forma të racizmit kundër të bardhëve, me doktrina të tilla që mësohen në shumë shkolla dhe universitete; një axhendë LGBTQ+ e promovuar në mënyrë arrogante dhe përçmuese ndaj atyre që ndjekin ende modelet tradicionale të jetës dhe familjes.
E gjithë kjo përshkruan vetëm krahun më radikal të partisë së Biden, i cili ka ende një qendër të madhe të moderuar. Por meqë ekstremistët kanë pasur një dukshmëri dhe ndikim mbizotërues në këtë “flluskë” dhe në media, Partia Demokratike rrezikoi seriozisht të paraqiste njërin prej tyre si kandidat në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Kjo derisa votuesit e moderuar-konservatorë të bazës afro-amerikane e ringjallën Biden-in e moshuar në zgjedhjet paraprake të vitit 2020. Më pas ai e shpëtoi partinë e tij nga katastrofa, gjë që për të cilën establishmenti i ishte jashtëzakonisht mirënjohës.
Për të qetësuar fraksionin e majtë brenda partisë, Biden bëri një gjest “identitar”, duke zgjedhur si zëvendësin e tij Kamala Harris, meritat e vetme të së cilës sipas kritikëve të saj, është se ajo është një grua dhe me ngjyrë. Por tani problemet janë rikthyer.
Dikush duhet ta bindë Biden të tërhiqet nga gara. Por ky njeri nuk mund të ketë lidhje me fraksionet që mundi Biden në vitin 2020, pasi ato janë edhe më pak të besueshme se ai. Pastaj duhet të zgjidhet problemi i Harris. Ajo e konsideron veten trashëgimtare të ligjshme të Biden.
Sado e vështirë të imagjinohet, ajo është ende më pak popullore se vetë presidenti. Prandaj edhe ajo duhet të “nxirret” mënjanë, por kushdo që do ta merrte këtë përgjegjësi do të ekspozohej ndaj procesit të lëvizjes së “identitetit”: Si të guxosh të eliminosh nga skena një grua me ngjyrë?
Së fundmi, edhe nëse do të gjendeshin figura të njohura e të afta për të kryer dy operacionet e sipërmendura, me largimin me forcë të Joe dhe Kamalas, do të mbetej i hapur problemi i rikuperimit të votave që kanë ikur drejt të djathtës, për shkak se janë të frikësuar nga disa tendenca ekstremiste të demokratëve.
Kjo duhej bërë gjatë 2 viteve të fundit, duke menaxhuar garat primare të vërteta dhe të hapura. Pra një debat serioz dhe pa tabu midis rrymave të ndryshme të partisë. Nëse nuk ka ndodhur vitet e fundit, kjo e ka një arsye, madje më shumë sesa një.
Demokratët kishin më të lehtë të vazhdonin të demonizohej Donald Trump, apo ta tërhiqnin atë zvarrë nga një gjykatë në tjetrën, sesa të përpiqeshin të kuptonin se si ky personazh i dyshimtë mund të përfaqësonte “më të keqen më të vogël” për thuajse gjysmën e Amerikës./ Përshtati “Pamfleti”, nga “Corriere della Sera”.
Burimi