Pse nuk po funksionon më modeli ekonomik gjerman?

Pse nuk po funksionon më modeli ekonomik gjerman?

Dy vite radhazi rënie ekonomike, diçka që nuk ka ndodhur për më shumë se 20 vjet …

Njoftimi se Volkswagen po planifikon të mbyllë 3 nga fabrikat e saj në Gjermani, të pushojë nga puna dhjetëra mijëra punëtorë, dhe të shkurtojë me 10 për qind pagat e gjithë fuqisë punëtore, ka shkaktuar një tronditje kolektive në një vend që e etiketon veten si “Autoland”, vendi i makinave.
Në Gjermani, industria e makinave është shumë më tepër se një sektor ekonomik. Dhe rëndësia e Volkswagen e tejkalon bilancin e tij financiar apo numrin e punonjësve. Gjiganti në këtë sektor, ka qenë gjithmonë një simbol i fuqisë gjermane. Tani është kthyer në një pasqyrë të krizës industriale të vendit, dhe vështirësitë që po has, po godasin aty ku dhemb më shumë.
Me PBB-në vjetore që pritet të bjerë për të dytin vit radhazi, problemet e Volkswagen pasqyrojnë gjendjen e vështirë të ekonomisë gjermane. I bllokuar në një model të vjetruar, është bërë e qartë se motori i mëparshëm ekonomik i Evropës, varej nga gazi i lirë rus dhe eksportet në Kinë. Flluska shpërtheu me fillimin e luftës në Ukrainë.
“Modeli i vjetër i biznesit nuk funksionon më!”- deklaroi së fundmi revista Focus. Kriza gjermane përmban shumë aspekte, dhe asnjë prej tyre nuk duket se do të zgjidhet në një periudhë afatshkurtër: migrimi i industrisë së madhe, një perspektivë demografike gjithnjë e më e zymtë, pamundësia për të tërhequr fuqi punëtore të kualifikuar, infrastruktura në rënie, dhe një mungesë e dukshme e inovacionit.
I paaftë për të konkurruar në tregun ndërkombëtar, Volkswagen është simptoma e një motori që nuk funksionon më. Marka e famshme “Made in Germany” ka humbur shkëlqimin e dikurshëm.
“Volkswagen nuk është vetëm një ikonë e të gjithë ekonomisë gjermane, por edhe një simbol i rënies së të gjithë industrisë”- thotë Carsten Brzeski, kreu i makroekonomisë në ING.
Kriza e kësaj kompanie “tregon se një sërë vendimesh menaxheriale të këqija, së bashku me njëfarë arrogance dhe nënvlerësim të teknologjive dhe konkurrentëve të rinj, si dhe ndryshimi i rolit të Kinës në ekonominë globale, po i shkaktojnë një dëm të madh të gjithë industrisë gjermane”- shtoi ai në një prononcim për El País.
Muajt ​​e fundit, ka pasur një rrjedhë të vazhdueshme lajmesh të këqija në lidhje me sektorin e prodhimit. Njoftimi i Volkswagen, u pasua nga ai i Thyssenkrupp, një tjetër emblemë e fuqisë industriale gjermane, ku mijëra vende pune në sektorin e çelikut janë të rrezikuara të mbyllen. Në shtator, Meyer Werft, një kantier detar mbi 200 vjeçar, shmangu falimentimin falë një pakete shpëtimi publike me vlerë 400 milionë euro. Gjigandi industrial, është duke treguar dobësitë e modelit të tij ekonomik. Sipas të dhënave nga Deutsche Bank Research, prodhimi industrial ka rënë me 20 për qind, në krahasim me kulmin e tij në vitin 2017.
Kryeekonomisti i DBR, Robin Winkler, e përshkroi në një analizë të fundit si “rënien më të madhe në historinë e Republikës Federale që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore”. Kreu i Federatës së fuqishme të Industrive Gjermane (BDI), Siegfried Russwurm, ka paralajmëruar se reformat për të cilat ekonomia gjermane ka aq shumë nevojë, nuk mund të presin më.
Sipas parashikimeve të një raporti të Boston Consulting Group dhe Institutit Ekonomik Gjerman (IË), të publikuar në shtator, 20 për qind e prodhimit industrial gjerman rrezikon të zhduket deri në vitin 2030. “De-industrializimi i vendit është një rrezik real”- e pranon Russwurm.
Prodhimi industrial në Gjermani, nisi të bjerë më herët dhe më shpejt se në vendet e tjera të eurozonës, thotë Sander Tordoir, kryeekonomist në qendrën për reforma evropiane (CER). “Modeli bazohej në energjinë e lirë që vinte nga Rusia, dhe në rritjen e nxitur nga eksportet falë kërkesës së madhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina. Këto shtylla janë tronditur thellë”-thotë ai.
Ky sektor punëson mbi 770.000 njerëz në Gjermani. Kriza në këtë sektor, vjen kryesisht sepse prodhuesit gjermanë të makinave “fjetën mbi dafina” thotë Ferdinand Dudenhöffer, themelues i Qendrës për Kërkime Automobilistike (CAR) dhe një nga ekspertët kryesorë në këtë sektor. Markat gjermane, kanë mbetur prapa në zhvillimin e automjeteve elektrike, baterive dhe softuerit të tyre, dhe politikat publike vetëm sa e kanë përkeqësuar këtë problem. Sot midis 10 makinave elektrike më të shitura në botë, nuk ka asnjë markë gjermane.
Dudenhöffer beson se makina e së nesërmes, ajo që do të dominojë tregun brenda 5 apo 10 vjetësh, është ajo që do të prodhohet nga Kina. Prandaj, mënyra e vetme për të kompensuar terrenin e humbur është rritja e bashkëpunimit dhe një investim edhe më i madh në vendin aziatik.
Gjithsesi ka ekonomistë, si për shembull Marcel Fratzscher, president i Institutit të Kërkimit Ekonomik në Berlin, DIË, të cilët thonë se modeli ekonomik aktual është ende i vlefshëm, por duhet reformuar. “Modeli ekonomik gjerman është i bazuar në hapjen dhe globalizimin, dhe është baza për suksesin ekonomik dhe nivelet e larta të të ardhurave.
Ai funksionin ende, por i duhet të përshtatet me zhvillimet e reja teknologjike dhe konkurrencën më të ashpër. Kompania me qendër në Volfsburg mbetet shumë inovative, dhe ka një numër të madh patentash çdo vit. Problemi është se ka qenë e vetëkënaqur për një kohë të gjatë, dhe ka dështuar të përshtatet me mjedisin e ri global”- thekson Fratzscher.
Muajt e fundit, parashikimet për të ardhmen e afërt të ekonomisë gjermane vetëm sa janë përkeqësuar. Në tetor, qeveria e pranoi se Produkti i Brendshëm Bruto do të bjerë për të dytin vit radhazi. Rimëkëmbja nuk do të ndodhë deri vitin e ardhshëm. Por sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, PBB-ja gjermane do të rritet vitin e ardhshëm me vetëm 0.8 për qind, pikërisht për shkak të dobësisë së vazhdueshme të sektorit të prodhimit.
Situata e vështirë ekonomike e vendit, do të jetë një çështje kyçe përpara zgjedhjeve parlamentare të 23 shkurtit, që do të mbahen para kohe pas shpërbërjes së qeverisë së koalicionit qeverisës (socialdemokratët, të gjelbrit dhe liberalët) javën e kaluar për shkak të dallimeve të mëdha mbi politikat ekonomike.
Socialdemokratët dhe të Gjelbërit, kishin kërkuar një lehtësim të rregullave të rrepta të shpenzimeve, të cilat pengojnë investimet që të dy partnerët i konsiderojnë si thelbësore. Por për kreun e partisë liberale dhe ish-Ministrin e Financave, Christian Lindner, heqja e kufizimit të borxhit (që e kufizon deficitin federal në 0.35 për qind të PBB-së, përveç rasteve emergjente), ishte një vijë e kuqe.
Qeveria është e vetëdijshme, se grindjet e vazhdueshme midis 3 partnerëve të koalicionit kanë qenë të dëmshme për ekonominë gjermane. Një sondazh i televizionit publik, ka treguar se për herë të parë pas një kohe të gjatë, gjermanët e konsiderojnë sërish ekonominë si problemin më të rëndësishëm të vendit, i dyti pas emigracionit.
Dy vite radhazi rënie ekonomike, diçka që nuk ka ndodhur për më shumë se 20 vjet, e detyron Gjermaninë të ri-shpikë veten si një komb i industrializuar./Përshtati Pamfleti nga “El País”ekonomia gjermane modeli rënie
Burimi