Pse miliarderi Elon Musk kërkon të ndërhyjë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së?!

Pse miliarderi Elon Musk kërkon të ndërhyjë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së?!

Musk përfaqëson një të djathtë libertariane, botën online që refuzon ndërhyrjen shtetërore në favor të reduktimit të rregulloreve, taksave të ulëta dhe tregtinë e lirë.

Elon Musk flet përmes meme-ve. Në fillim të këtij muaji ai postoi një citat, që zakonisht përshkruan ngritjen dhe rënien e Perandorisë Romake, në platformën X që e bleu në vitin 2022 për shumën 44 miliardë dollarë. Në të thuhej: ”Kohët e vështira, krijojnë burra të fortë. Burrat e fortë, krijojnë kohë të mira. Kohët e mira, krijojnë burra të dobët. Dhe burrat e dobët krijojnë kohë të vështira”.
Postimi mbyllej me një fjali me gërma të kuqe: ”Ti je këtu!”. Musk, i famshëm për shkak të PayPal, Tesla dhe SpaceX, e sheh veten si një nga këta burra të fortë, të krijuar në kohë të vështira, që synon ta shpëtojë qytetërimin nga katastrofa e afërt. Sipas Musk, Perëndimi po degradon dhe ka rënë viktimë e lëvizjes ekstreme majtiste “Woke” (Zgjimi).
Ai druhet se emigrantët e paligjshëm që kalojnë kufirin jugor të Amerikës, mund të fitojnë së shpejti të drejtën e qëndrimit dhe ta kërcënojnë demokracinë. Se ideologjia që mbron personat transgjinorë,  është vetëm fillimi i degradimit shoqëror. Memet janë mediumi i preferuar për ngacmuesit online, në mesin e të cilëve mbizotërojnë pikëpamje të tilla.
Kjo e bën Musk një pronar të përshtatshëm të X, një platformë ku memet janë gjuha e përbashkët e të gjithëve. Që kur shkarkoi moderatorët e përmbajtjes dhe rihapi llogaritë e ndaluara si ajo e aktivistit nacionalist Tommy Robinson, X është shndërruar në skenën kryesore të së djathtës në internet.
Gënjeshtrat, siç është pretendimi se vrasësi i Southport-it ishte një emigrant i paligjshëm, u përhapën pa pushim. Një emër i rremë që i atribuohet sulmuesit u përhap me shpejtësi në Britani. Marc Owen Jones nga Universiteti Hamad Bin Khalifa i Katarit, gjurmoi diskursin e mediave sociale një ditë pas incidentit, dhe deklaroi se kishte “të paktën 27 milionë përshtypje për postimet që deklaronin apo spekulonin se sulmuesi ishte mysliman, emigrant, refugjat ose i huaj. “.
Musk ndau me 194 milionë ndjekësit e tij një foto të rreme të një artikulli të gazetës Daily Telegraph, që pretendonte se pjesëmarrësit në trazirat e fundit do të arrestoheshin dhe dërgoheshin në Ishujt Falkland. Po ashtu, Musk u përplas me Keir Starmer gjatë trazirave, duke shkruar se “lufta civile në Britani është e pashmangshme”.
Zëdhënësi i Starmer tha “nuk ka asnjë justifikim për komente të tilla”. Përplasja vuri përballë një përfaqësues të vendosur të establishmentit, që beson në natyrën e pandryshueshme të autoritetit shtetëror kundër një miliarderi libertarian, i cili dyshon se qeveria synon që të ndërtojë një makth Orwellian.
Por Starmer nuk është lideri i parë politik që është marrë me Musk. Ky i fundit shkruan për liderin laburist në të njëjtën mënyrë si për presidentin venezuelian, Nicolás Maduro, fitorja e të cilit në zgjedhjet e korrikut është e diskutueshme. Musk e ka sulmuar Maduron, duke e quajtur atë “klloun” dhe akuzuar për “një mashtrim të madh elektoral”.
Në një fjalim, Maduro u përgjigj: “Armiku ynë i ri, i famshmi Elon Musk, dëshiron të vijë me raketat e tij dhe një ushtri për të pushtuar Venezuelën”. Musk u kundërpërgjigj menjëherë: “A ka Maduro lazer hapësinorë? Unë për vetë po”.
Në korrik, Musk e pranoi sfidën për të luftuar ndaj presidentit venezuelian, gjë që provokoi një kundërpërgjigje të ashpër nga kreu i qeverisë. Por pse  DoWning Street e konsideroi postimin e Musk të denjë për një përgjigje? Ai është një nga njerëzit më të pasur në botë. Por pak miliarderë të tjerë kanë aq shumë ndikim sa ai.
Musk ka lindur në Afrikën e Jugut dhe ka studiuar në Kanada dhe SHBA, përpara se të largohej nga Stanford për të hyrë në Silicon Valley. Ai punoi në PayPal së bashku me manjatin e teknologjisë Peter Thiel, përpara se eBay ta blinte kompaninë në vitin 2002.
Me të ardhurat e kësaj shitje, Musk themeloi SpaceX, që i shet raketa NASA-s. Në vitin 2004, ai u bë aksionari më i madh dhe drejtues i Tesla-s, kompanisë së makinave elektrike. Në vitet e hershme në Silicon Valley, Musk mbështeste demokratët. Ai ishte një fans i Barack Obamës. Madje thuhet se qëndroi në radhë për 6 orë, vetëm për t’i dhënë dorën presidentit.
Në vitin 2022, ai shkroi në TWitter se mund të krijonte një mjet donacioni për të mbështetur “kandidatët me pikëpamje centriste nga të gjitha partitë”. Por kufizimet “fashiste” të bllokimeve gjatë pandemisë, dhe ajo që ai e pa si një censurë në rritje nga lëvizja anti-meritokratike Woke, e bindi atë të zhvendoset djathtas.
Pas tentativës për vrasjen e Donald Trump më 13 korrik, Musk e mbështeti hapur kandidatin republikan. Një muaj më vonë, Trump u rikthye në X, teksa më parë ishte ndaluar nga platforma pas trazirave të 6 janarit 2021. Ndërkaq më 12 gusht, Musk e intervistoi ish-presidentin për 2 orë, një intervistë e transmetuar drejtpërdrejt në platformën X.
Musk tha se donte një “bisedë” për t’i dhënë Trumpit hapësirën për të folur lirshëm. Por biseda u duk më shumë si një telefonatë midis një ylli të plakur të muzikës Rock dhe një superfansi të pasur, që e kishte fituar këtë të drejtë në një ankand bamirësie. Musk e nisi bisedën duke thënë se sfida e Trump përballë atentatit ishte “tepër frymëzuese”.
Ndërkohë vetë Trump u bë nostalgjik për administratën e tij të parë, teksa parashikoi një të ardhme të zymtë nëse fitojnë sërish demokratët. Ai i përshkroi Vladimir Putin, Xi Jinping dhe Kim Jong Un si udhëheqës “në krye të lojës së tyre”. Ai tha se lufta bërthamore ishte më e rrezikshme se sa ndryshimi i klimës, dhe se inteligjenca e Joe Biden as nuk figuron dot në shkallën e IQ-së.
Ai e vlerësoi Kamala Harris si një “grua të bukur”, që ngjante si gruaja e tij. U ankua për mungesën e hekurudhave me shpejtësi të lartë në Amerikë, dhe premtoi programin më të madh në histori të dëbimit të emigrantëve të paligjshëm. Në lidhje me Ukrainën, tha se i kishte thënë Putinit për “gjërat që do të bëja nëse ai do të pushtonte Ukrainën” dhe sipas tij, ai iu përgjigj “Nuk kam ndërmend asgjë të tillë!”.
Gjatë gjithë kohës, Musk pranoi në heshtje deklaratat e tij. Biseda e ktheu Trumpin në grupin X, mblodhi miliona shikime, dhe e forcoi pozicionin e Musk në të djathtën Trumpiane. Kur Musk nuk ishte dakord për disa çështje, si për shembull mbi ndryshimin e klimës, Trump e injoroi.
Por pikërisht këtu ekziston një rrezik për fushatën e Trump: Musk përfaqëson një të djathtë libertariane, botën online që refuzon ndërhyrjen shtetërore në favor të reduktimit të rregulloreve, taksave të ulëta dhe tregtinë e lirë. Ai kërkon një rikthim tek pavarësia nga qeveria, që ai beson se e shpjegon suksesin fillestar të Silicon Valley.
Por Trump e ka shfrytëzuar zemërimin e publikut kundër korporatave të mëdha dhe elitave të pasura. Nëse e miraton retorikën ironike të së djathtës online, fushata e Trump mund ta humbasë populizmin e saj ekonomik./Përshtati “Pamfleti” nga “New Statesman”
Burimi