Pse ka kaq shumë autogola në Euro 2024?!

Pse ka kaq shumë autogola në Euro 2024?!

Kur mbrojtësi belg Jan Vertonghen devijoi gjuajtjen e Kolo Muanit për t’i dhënë Francës fitoren 1-0 dhe kalimin në çerekfinale, u bë lojtari i nëntë që shënoi një autogol në Euro 2024. Por kjo nuk ishte hera e parë që Franca përfitonte nga një autogol në këtë turne. 66% e golave të tyre janë shënuar nga kundërshtarët.
Nëntë autogola në 44 ndeshje është numër befasues. Për ta vendosur në kontekst: golashënuesit në Gjermani janë Cody Gakpo, Georges Mikautadze, Jamal Musiala dhe Ivan Schranz, që kanë secili nga tre gola. Vetëm një ekip ka shënuar më shumë gola, mikpritësi Gjermania me 10 të tilla.
Në dy kampionatet e fundit europiane janë shënuar 20 autogola, një çdo pesë ndeshje. Kjo shifër është shumë e lartë duke konsideruar që vetëm nëntë autogola janë shënuar në 15 europianët e parë, mes 1960-s deri në 2016-n. Kjo do të thotë që bëhej mesatarisht një autogol në 30 ndeshje.
Deri në kampionatin e vitit 1976 nuk kishte asnjë autogol. I pari që shënoi një të tillë ishte kapiteni i Çekosllovakisë, Anton Ondrus në gjysmëfinalen e parë të Euro ’76. I pagëzuar si “Beckenbauer i Lindjes”, Ondrus kishte shënuar më herët duke i dhënë çekosllovakëve avantazhin 1-0 kundër Holandës përpara se ta ndalonte topin në rrjetën e tij. Çekosllovakia mundi holandën 3-1 pas kohës shtesë dhe Ondrus ngriti trofeun pasi ekipi i tij mundi Gjermaninë Perëndimore në finale falë edhe penalltisë së famshme të Antonin Panenkas.
Pati një hapësirë boshe prej 20 vitesh para se të realizohej autogoli i dytë. Ishte sulmuesi i Bullgarisë, Lyuboslav Penev, i cili në stadiumin St James Park në vitin 1996 devijoi në rrjetën e tij një goditje dënimi të Youri Djorkaeff. Në vitet e mëparshme kishte më pak ndeshje, por kjo nuk shpjegon gjithsesi rritjen e madhe të autogolave në dy turnetë e fundit. Kaluam nga 2 autogola në 20 vjet, në katër autogola në katër ditë të Euro 2024. Kështu që, çfarë ka ndodhur?

Ndryshim i rregullit?

Dhënia e autogolave dikur ishte përgjegjësi e arbitrave të cilët nuk kanë qenë të qëndrueshëm në qasjen e tyre. Ish-presidenti i UEFA-s, Michel Platini, ndërhyri në Mars të vitit 2008. “Ka pasur shumë diskutime mbi golat e devijuar dhe nëse duhet t’i jepet gol lojtarit që e gjuajti topin apo lojtarit që e preku i fundit. Duam ta sqarojmë këtë çështje dhe të kemi të njëjtat rregulla çdo ndeshje”, tha ai.
UEFA vendosi se lojtarëve do t’u quhej gol nëse topi po shkonte drejt rrjetës kur ndodhi devijimi. Gjuajtjet jashtë objektivit, të devijuara në rrjetë, do t’i atribuohen lojtarit që e devijoi topin. Platini pranoi se ky udhëzim po respektohej joformalisht nga shumica e gjyqtarëve, por do të “kodifikoheshin” zyrtarisht për të gjitha ndeshjet e UEFA-s, ku përfshihet edhe kampionati europian. Që atëherë, UEFA ka marrë vetë përgjegjësinë dhe ka liruar zyrtarët e ndeshjes nga kjo barrë.
A mundet që ky ndryshim në qasje të shpjegojë rritjen e autogolave? Nëse ka patur një luhatje drejt dhënies së më shumë autogolave, kjo do të reflektohej edhe në dy botërorët e fundit. Por në 64 ndeshjet në Katar kishte vetëm dy autogola. Ndërsa në turneun e mëparshëm që u zhvillua në Rusi ka pasur 12, dukshëm më shumë se çdo Botëror tjetër, por edhe këto shifra nuk përputhen me dy europianët e fundit, të cilat përbëjnë 69% të autogolave të shënuara në historinë e europianëve. Dhe ka ende shtatë sfida për t’u luajtur në Gjermani.

Më shumë krosime?

A ka më shumë autogola sepse topi po krosohet më shumë? As ky argument nuk qëndron. Kishte 32.1 krosa për ndeshje në Euro 2020 dhe 33.8 krosa për ndeshje në fazën e grupeve në Euro 2024. Por këto shifra nuk janë më të larta se turnetë e kaluara. Në fakt numrat e kroseve për ndeshje në dy turnetë e fundit janë më të ulëtat që kur nisën të regjistroheshin të dhënat në vitin 1980.
Mungesa e kroseve mund të lidhet edhe me përdorimin në rritje të sulmuesve anësorë që përdorin këmbën e kundërt (pra kur një sulmues që luan në krahun e djathtë, gjuan me të majtën). Ka më shumë mundësi që ata të futen nga qendra e zonës dhe të godasin. A mund ta kenë rritur ata numrin e autogolave? Nëse do të ishte ky rasti, atëherë do të kishim shifra rekord të autogolave edhe në Premier League, apo kompeticionet e tjera. Këtë sezon në Premier League pati 49 autogola, njësoj si në kampionatin e kaluar. Por i njëjti numër autogolash ishte edhe në sezonin 2013-14, para se këta lloj sulmuesish të ishin në modë. Megjithatë rritja e autogolave në Premier League nuk është kaq e madhe sa në dy europianët e fundit.

Ndryshim në stilin e portierëve?

Një teori tjetër është se portierët kanë ndryshuar vitet e fundit. Ata e prekin më shumë topin tashmë, çka rrit mundësinë e gabimit në zonë. Por deri më tani asnjë nga autogolët nuk ka ardhur nga një portier “aventurier” apo që ka bërë pasime gabim.

Më shumë blloqe të ulëta?

Ndoshta është mënyra se si skuadrat po luajnë skuadrat? Tendenca e qëndrimit pas dhe goditjes së kundërshtarit me kundërsulm i ka inkurajuar skuadrat që të mbrohen më thellë, në blloqe të ulëta. Devijimet kanë qenë përgjegjëse për tetë nga nëntë autogolat e turneut dhe shumica kanë ardhur nga gjuajtje në një distancë të shkurtër në zonën e portierit. Për shembull: kishte tetë lojtarë të Belgjikës në zonën e portierit kur pësuan autogolin ndaj Francës. Ndërkohë kishte 10 italianë në zonë kur pësuan golin ndaj Spanjës. Me kaq shumë lojtarë që mbrojnë, devijimet duket se janë të pashmangshme.
Disa skuadra kanë luajtur me kundërsulme, veçanërisht skuadrat e renditura më ulët. Skuadra të ndryshme kanë pasur sukses. Për shembull Gjeorgjia mesatarisht ka pasur posedimin e topit vetëm 33.8%, por arriti në 16-she. Ekipet janë më të organizuara për t’u mbrojtur në blloqe të ulëta dhe kundërsulme, por kur “paketohet” mbrojtja në zonën e portierit rrezikohet të devijohet goditja në portë.

Apo kemi të bëjmë thjesht me fat të keq?

Mos ndoshta kemi të bëjmë thjesht me një fat të keq? Portugalia hyri në vitin 2020 si kampionia në fuqi, por u largua nga faza e grupeve pasi humbën 4-2 një ndeshje ku Ruben Dias dhe Raphael Guerreiro shënuan të dy autogola.
Njësoj, edhe Sllovakia shënoi dy autogola katër ditë më vonë pasi u mposht 5-0 nga Spanja. Pas këtyre “katastrofave” dhe jo vetëm, jo më kot Portugalia dhe Sllovakia mbajtën rekordin e përbashkët për më shumë autogola në europian, me nga tre secila. Por nga ana tjetër Portugalia ka pasur fat të mirë në këtë turne.
Ata përfituan nga autogoli më spektakolar i Euro 2024 deri më tani, në fitoren 3-0 kundër Turqisë. Semet Akaydin nuk ishte në të njëjtën gjatësi vale me portierin e tij, çka shkaktoi një ngatërresë në prapavijë. Mbrojtësi e ktheu topin tek portieri pa e kontrolluar pozicionin e këtij të fundit dhe fatkeqësisht edhe pse topi kaloi pranë tij nuk pati mundësi që ta ndalte së futuri në rrjetë.
“Kishte një keqkuptim”, tha trajneri i Turqisë, Vicenzo Montella. “Ndodh ndonjëherë dhe për fat të keq na ndodhi sot. Herën tjetër mund të jenë kundërshtarët tanë”, shtoi ai. Duke pasur parasysh vëllimin e madh të autogolave në këtë turne, “keqkuptimi” i radhës mund të mos jetë shumë i largët. /The Guardian-Tv Klan
Burimi