“Pse e vratë Mehmet Shehun”, mjeku i Enverit: Rebelimi i Pol Milezit në takimin e fundit në Paris

“Pse e vratë Mehmet Shehun”, mjeku i Enverit: Rebelimi i Pol Milezit në takimin e fundit në Paris

Një mik i rrallë në një kohë të turbullt. Përshkrimi që i bën profesor Fejzi Hoxha miqësisë me mjekun e shquar francez, Pol Miliez, dallon për nga sinqeriteti dhe një lloj brengosje për mënyrën e pakëndshme si janë ndarë. Raportet me profesor Pol Miliezin, i njohur asokohe si strumbullari i të gjitha konsultave të rëndësishme të realizuara me besim dhe autoritet të jashtëzakonshëm në Klinikën e Udhëheqjes në Tiranë, zënë një vend të veçantë në dorëshkrimin e mjekut të Enver Hoxhës.
Që në krye të herës profesor Hoxha përkujdeset të korrigjojë opinionin se doktorin e famshëm e kishte sjellë në Tiranë Enver Hoxha, “diçka e iniciuar nga Nexhmije Hoxha, saktëson ai, e cila çdo gjë të jashtëzakonshme, siç ishte në këtë rast miqësia me Miliezin nga Parisi, nuk mund ta konceptonte pa lidhjet me emrin e të shoqit”.
Për herë të parë themeluesi i klinikës speciale bën të qartë se mjeku i shquar francez ishte afruar me mjekët e udhëheqjes në Tiranë, falë miqësisë së hershme me profesor Llambi Ziçishtin, njërin nga kirurgët më të shquar për kohën. Përtej mbresave e kujtimeve nga takimet dhe puna e përbashkët me profesor Pol Miliezin, Fejzi Hoxha zbulon dhe një histori aspak të këndshme nga takimi i fundit me të në Paris një ditë pas vetëvrasjes misterioze të Mehmet Shehut në Tiranë.
Miliezin e solli Llambi Ziçishti
Problemet me shëndetin e Enverit u bënë shkak për tu njohur me profesorin e nderuar Pol Milez. Pas prishjes me Jugosllavinë, shfaqjes së diabetit dhe divorcit me Kinën e Bashkimin Sovjetik, sëmundja e Enverit kërkonte një kujdes më të madh. Pas shumë debatesh e konsultash, u vendos që Franca do të ishte vendi ku do të bëheshin lidhjet mjekësore për udhëheqësit shqiptar.
Fillimisht aty u çuan për tu specializuar mjekët më të mirë e më të besueshëm për pushtetarët komunistë. Shumë herë shkonin dy e nga dy dhe specializoheshin në afate kohore të vogla. Epiqendra e këtij procesi u bë Pol Milezi, një profesor i dëgjuar në Francën e atyre viteve, i cili u qëndroi besnik udhëheqësve shqiptarë. Ai u bë strumbullari i të gjitha konsultave të rëndësishme që u kryen me një besim dhe autoritet të jashtëzakonshëm. Fakti që ishte drejtor i një prej spitaleve më të njohura të Francës, krijonte akses të plotë për t’i ardhur në ndihmë ekzaminimeve të ndryshme të liderëve shqiptarë. E vërteta është se profesor Miliezi e bëri këtë me shumë dashuri e profesionalizëm, pa u futur kurrë në përmbajtjen e filozofisë që përfaqësonin pacientët VIP të Tiranës.
Pikërisht për këtë ai u bë i njohur në vendin tonë, sidomos në mjediset e bluzave të bardha që operonin pranë klinikës speciale, por edhe në spitalet publike. Shumëkush në atë kohë e dinte se miqësia me Miliezin i kishte rrënjët te njohja e hershme me Enverin. Ishte ky një opinion që me sa e kam kuptuar ishte iniciuar nga Nexhmije Hoxha, e cila çdo gjë të jashtëzakonshme, siç ishte në këtë rast miqësia me Miliezin nga Parisi, nuk mund ta konceptonte pa lidhjet me emrin e të shoqit. Ndërkohë që realiteti ishte krejt tjetër. Pol Milezi ishte afruar me mjekët e klinikës speciale, falë njohjes dhe miqësisë së hershme me profesor Llambi Ziçishtin, njërin nga kirurgët më të shquar për kohën. Asnjëherë Llambi i shkretë nuk e zuri në gojë e nuk e quajti për meritë këtë fakt. Për të fund e krye mbeti e rëndësishme ndihma dhe kontributi i profesorit francez.
Me Pol Milezin jam takuar disa herë.
Pas vitit 80, shëndeti i Enverit filloi të përkeqësohej me shpejtësi. Që nga koha kur kishte vdekur Hysni Kapua i cili ishte marrë prej kohësh me shëndetin e tij, me këtë detyrë merrej Ramiz Alia. Me urdhër të tij u përforcua ekipi mjekësor. U përpilua një rregullore e hollësishme për ekipin që kryente shërbim, e cila u plotësua me vërejtjet dhe sugjerimet e Ramiz Alisë.
Kryetar i ekipit u caktua Petri Gaçe.
Në këtë periudhë zemra e Enverit, sidomos natën nuk e ngopte organizmin dhe krijonte pengesa në frymëmarrje.
Disa herë kishte bërë edemë pulmonare.
I jepej ndihma në çast nga dy kardiolog që rrinin “Non Stop” në një dhomë ngjitur me të tijën e tij.
Përveç katër infermierëve të grupit, ishin shtuar dhe dy infermierë të tjerë që i sillnin kafen, qumështin etj. Ata rrinin bashkë me mjekët e ndihmës së shpejtë.
Kardiologët që shërbenin me turne: Ahmet Kamberi, Ylli Popa, Hajro Shyti dhe Sabit Brokaj.
Doktor Isuf Kalo që rrinte aty vazhdimisht ishte i vetmi që futej në dhomën e pacientit edhe kur nuk kishte urgjencë, ndërkohë që askush tjetër nuk futej pa u kërkuar.
Ka qenë kjo periudhë kritike kur unë duhej t’i kisha të shpeshta takimet e konsultat me doktorin francez Pol Miliezi. Si gjithnjë ai i gatshëm dhe i përkushtuar për të bërë më të mirën për shëndetin e Enverit. Takohesha sa në Paris në Tiranë. Në çdo rast më bënte përshtypje mirësjellja e tij. Nga aq sa shprehej të linte të kuptoje se shëndeti i Enverit ishte në përkeqësim të vazhdueshëm. Këtë e bënte me një lloj përkujdesje të veçantë, duke pasur parasysh profilin e pacientit që me sa dukej e kishte fundin afër. Megjithatë profesor Milezi nuk i kurseu deri në fund këshillat dhe shërbimin e tij për shëndetin e Enverit.
Pol Miliezi në Paris: Pse e vratë Mehmet Shehun
Të nesërmen e vetëvrasjes së Mehmet Shehut në Tiranë, më thirri në zyrë Enver Hoxha. Shkova menjëherë. I gjeta duke biseduar rreth një tavolinë me Ramiz Alinë. Ishte mbrëmje. Shoku Enver, jo si zakonisht kur më parë më pyeste për shëndetin dhe të rejat e ditëve që nuk ishim takuar, këtë herë më komunikoi që në fillim se të nesërmen duhet të nisesha në Paris. Pastaj më sqaroi se aty ndodhej për mjekim Semiramizi, e shoqja e Ramiz Alisë, e cila shoqërohej nga doktoresha Adelina Mazreku. “Ti i njeh më mirë profesorët atje, më tha Enveri dhe mund ta ndihmosh më shumë. Fillimisht shko e takohu me profesor Miliezin dhe kërkoi mendimin se me cilin specialist këshillon ai për të ndjekur epikrizën e Semiramizit. Pasi u sqaruam për çështjen e parë, Enveri, nuk harroi të më porosiste për një problem tjetër. Një ditë më parë kishte vrarë veten Mehmeti, dhe ai, i bindur që profesor Miliezi do interesohej për këtë ngjarje, më dha udhëzimet përkatëse. “Po të pyeti çfarë ndodhi me Mehmetin, më instruktoi shoku Enver, i thuaj që pësoi një dizekuilibrim dhe në një moment krize nervore vrau veten”.
Kjo si të thuash ishte formula standarde me të cilën do operoja në takimin me profesorin Francës që njihej edhe për miqësinë e afër me Mehmet Shehun. Sa mbërrita në Paris, shkova të takohesha me profesor Miliezin në klinikën e tij. Ju luta të më shoqëronte për aty ambasadorit tonë në Francë Petraq Pojanit. Atë e njihja më herët. Ishte njeri mediokër e me kulturë të kufizuar, tip mendjemadh e i dëshiruar për lëvdata. Karriera e tij, kishte pasur për strumbullar vetëm njohjen dhe ndërhyrjen direkte të Ramiz Alisë. Gjatë viteve të luftës ky i fundit për një kohë të gjatë kishte jetuar në shtëpinë e prindërve të tij në Berat. Me sa duket, Ramizi, në emër të mirënjohjes, kishte ndërhyrë fuqishëm për karrierën e tij. Por mënyra si e ushtronte detyrën Petraqi linte shumë për të dëshiruar.
Gjithsesi, atë mbrëmje shkova bashkë me të te profesor Milezi. Sa u futëm në zyrën e tij, ai na priti i vrenjtur, duke na thënë disi i revoltuar: Çka ndodhur me Mehmet Shehun? Pse e vratë! Aty për aty i thashë se Mehmeti në një moment krize nervore vrau veten, duke përsëritur kështu fjalë për fjalë atë çka më kishte thënë në Tiranë Enveri. Një moment e pashë në sy. Ai u revoltua më tepër dhe mu kthye nervoz: Nuk mund të jetë e vërtetë. Këtë nuk e beson njeri kurrë. Mehmeti ishte njeri shumë i ekuilibruar dhe inteligjent. Unë jam njohur nga afër me të. Pastaj profesori francezë filloi të tregojë rrethanat si ishte njohur me Mehmet Shehun. “Në fillim jam njohur me shoqen Fiqiret të cilën ma prezantoi profesori Jeam Bernard. Ishte koha kur Shqipëria sa ishte prishur me Bashimin Sovjetik. Ne, më shpjegoi gruaja e Mehmetit, jemi shkëputur nga Moska dhe jemi divorcuar totalisht me vendet e lindjes. Tani, më tha ajo, presim që ju të na ndihmoni e të kujdeseni për shëndetin tonë”. Që prej asaj dite, shtoi Miliezi, i dhashë fjalën time dhe u lidha shumë me Mehmetin dhe nëpërmjet tij dhe me udhëheqësit e tjerë të Tiranës.
Në fakt Miliezi konfirmonte një të vërtetë. Ai prej vitesh kishte vendosur lidhje miqësore të fuqishme me Mehmetin. Mehmeti me Fiqireten i çonin shpesh herë dhurata e peshqeshe të vlefshme dhe e prisnin në Shqipëri si ndonjë princ. “Burra si Mehmeti, përsëriti disa herë atë natë profesor Miliezi, nuk e vrasin kurrë veten. Gënjeshtër kjo që thoni. Nuk do t’ua besojë kush!”. Unë e dëgjova dhe preferova të hesht, ngaqë nuk dija ç’ti thosha tjetër. Sakaq ambasadori vazhdonte monologun e tij me formulat stereotip. Një moment i rashë me këmbë për t’i lënë të kuptonte se kishim ardhur për tjetër gjë te zyra e profesorit dhe jo për këtë. Miliezi na njohu me opinionin e medias së Parisit për këtë ngjarje, sipas së cilës Enveri e Mehmet Shehu ishin grindur ashpër në një mbledhje të Byrosë Politike dhe në një moment kishin qitur koburet dhe Enveri kishte qëlluar i pari.
Pas disa ditëve në Paris na erdhi më i plotë varianti zyrtar i vetëvrasjes së Mehmetit. Tanimë ishte trilluar më gjatë dhe ishte kompletuar si histori. Sipas këtij varianti, Mehmeti gjoja kishte qenë një komplotist dhe poliagjent i hershëm, i rekrutuar si i tillë që në vitet e shkollës Harri Fulltz në Tiranë…
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente