Prokuroria rekurs në Gjykatën e Lartë për Jeton Lamin: Ka dijeni për fatin e Ervis Martinajt

Prokuroria rekurs në Gjykatën e Lartë për Jeton Lamin: Ka dijeni për fatin e Ervis Martinajt

Ervis Martinaj-Jeton Lami

Prokuroria ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për Jeton Lamin, ish-policin, si personi i fundit që mendohet se ka shoqëruar me makinë të shumëkërkuarin Ervis Martinaj në Durrës, para se ai të zhdukej pa lënë gjurmë.
Ish-oficeri i operacionales u dënua me dy vite e 10 muaj burg nga Gjykata e Lezhës dhe Gjykata e Apelit, ndërkohë që Lami i ka ende llogaritë e pambyllura.
Në websiten e Gjykatës së Lartë është publikuar rekursi i regjistruar në datë 27 qershor dhe sipas kalendarit si relator me short, është zgjedhur për ta shqyrtuar çështjen gjyqtari Ilir Panda.
Lami, u prangos më 23 gusht 2022 nga policia e Lezhës teksa policia po hetonte për zhdukjen e të shumëkërkuarit. Ata zbuluan se Lami kishte ndihmuar Martinajn të arratisej.
Megjithatë, Jeton Lami ka refuzuar kategorikisht akuzat për lidhje të tij me zhdukjen e Ervis Martinajt para hetuesve. Sipas tij, me ish bosin e lojërave të fatit është njohur 10 vite më parë, por mohon miqësinë e ngushtë. Sa i përket rastit kur ai është kapur teksa shoqëronte Ervis Martinajn, Lami dëshmoi se është takuar me Ervis Martinajn rastësisht në zonën e ‘Zogut të Zi’ në Tiranë, tre ditë para se ta shoqëronte për në Durrës. Vetë Martinaj i ka kërkuar ta shoqëronte dhe Lami e ka dërguar në Durrës ku e ka lënë në një hotel me një mikeshën e tij. Ndërkohë që një ditë më vonë ka shkuar në Durrës, ka marrë Ervis Martinajn dhe mikeshën e tij dhe i ka lënë në një ambient pranë një karburanti në zonën e Vorës dhe që nga ky moment nuk ka pasur më kontakte me të.
Më 5 dhe 7 gusht, Lami ka transportuar ndërmjet Durrësit dhe Tiranës biznesmenin Ervis Martinaj. Lami u kap nga kamerat e sigurisë së një hoteli në Durrës, ku ka qenë i shoqëruar me Ervis Martinajn. Për herë të parë hetuesit kanë mundur të zbulojnë se më 5 Gusht 2022 Lami e merr Martinajn në zonën e veriut në një automjet luksoz ‘Audi “A8” dhe e transporton atë drejt Durrësit në një hotel në praninë edhe të një vajze ende të paidentifikuar. Më 7 Gusht, policia ka imazhin e fundit nga Ervis Martinaj në qytetin e Durrësit dhe të Tiranës tek një hotel ndërsa më 10 Gusht xhaxhai i tij Faik Martinaj ka bërë denoncimin në polici për humbjen e kontakteve me nipin.
Jeton Lami refuzoi ofertën e Prokurorisë së Posaçme për të bashkëpunuar mbi gjetjen e Martinajt. Ai preferoi të “kyçë” gojën dhe të mos zbulojë se çfarë ndodhi me Martinajn.
Ervis Martinaj është një prej njerëzve më të njohur të botës së krimit në vend. Ai është konsideruar si një nga njerëzit më të rrezikshëm në Tiranë, i akuzuar për vrasje dhe i dyshuar për disa ngjarje të rënda, që kanë tronditur kryeqytetin. Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit të këtij viti. Gjatë kësaj periudhe, policia ka kryer disa kontrolle në kërkim të tij në qytete të ndryshme, operacione të cilat janë mbajtur diskrete. Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka zgjedhur që të përgjigjet shkurt mbi hetimet pë zhdukjen e tij duke thënë se janë në rrugë të mbarë. Zhdukja pa lënë gjurmë e Martinajt ka ardhur pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani në kuadër të operacioni Plumbi i Artë, kohë kur Martinaj u shpall në kërkim nga SPAK.
Burimi