Presidentja meksikane i përgjigjet Trumpit: S’ka taksë e as kërcënim që e ndal migrimin dhe drogën!
Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum iu përgjigj të martën kërcënimit të presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump për të vendosur një tarifë të përgjithshme prej 25% për importet nga Meksika.
Në konferencën e saj të përditshme për shtyp, Sheinbaum filloi duke lexuar një letër drejtuar Trump, i cili kishte kërcënuar me tarifa nëse Meksika nuk ndalonte “kriminelët dhe drogën” të hynin në SHBA.
Po ajo iu drejtua Trump, duke thënë se nuk ka kërcënim apo tarifë që e zgjidh çështjen e migrimit apo konsumit të drogës.
“Presidenti Trump, as kërcënimet dhe as tarifat nuk do të zgjidhin çështjen e migrimit apo konsumit të drogës në Shtetet e Bashkuara. Kërkohet bashkëpunim dhe mirëkuptim i përbashkët për të përballuar këto sfida të rëndësishme.” Vendosja e një tarife do të thotë se një tjetër vjen si përgjigje, duke vazhduar kështu derisa të vëmë në rrezik kompanitë e përbashkëta. Për shembull, disa nga eksportuesit më të mëdhenj nga Meksika në Shtetet e Bashkuara janë General Motors, Stellantis dhe Ford Motor Company, të cilat mbërritën në Meksikë 80 vjet më parë. Pse të vendoset një taksë që i vë në rrezik? Është e papranueshme dhe do të shkaktonte inflacion dhe humbje të vendeve të punës në Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara”, tha Sheinbaum.
Ajo shtoi se fuqia ekonomike e Amerikës së Veriut qëndron në ruajtjen e marrëdhënieve të biznesit midis dy vendeve, gjë që do t’i lejojë ata të jenë më konkurrues në krahasim me blloqet e tjera ekonomike.
“Unë besoj se dialogu është mënyra më e mirë për të arritur mirëkuptim, paqe dhe prosperitet në kombet tona”, përfundoi ajo.
Burimi