“Policia kundër nesh”, Bardhi flet për ecurinë e protestës: Do zbatojmë vullnetin e qytetarëve!
Deputeti dhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka akuzuar policinë se ushtroi dhunë ndaj tyre. Ai u shpreh se policia hodhi ndaj tyre gaz lotsjellës dhe ujë, sepse sipas tij është kundër opozitës dhe në shërbim të krimit.
Teksa kujtoi aksionin e SPAK, Bardhi u shpreh se policia zbatoi vetëm urdhrat e arrestit jashtë vendit dhe jo ato në Shqipëri, ndërsa shton se kjo tregon lidhjen e policisë me krimin.
“Policia është kundër opozitës dhe në shërbim të krimit. Jemi drejt një shteti që nuk njeh ligje, s’njeh Kushtetutë dhe zbaton vetëm urdhra të paligjshëm. Në pikat e protestës ishin efektivë pa numër policie pa identifikim, s’e dimë nëse janë anëtarë të bandave, patronazhistë apo çfarë ishin. Në pikat që nuk pati ndërhyrje të dhunshme të Policisë duket se atje ka pasur efektivë që e kanë kuptuar se urdhrat jepeshin me mesazh dhe ishin të paligjshëm. Kurse në dy pikat e tjera kishin marrë urdhër për ta shkelur ligjin”, tha Bardhi.
I pyetur se sa do vijojë kjo protestë, deputeti tha se tani e kanë qytetarët në dorë dhe do zbatohet vullneti i tyre.
“Protestën e çuam deri në fund, sipas asaj që ishte planifikuar, te Bashkia. Do i bindemi vullnetit të qytetarëve, se deri kur do vazhdojë mosbindja civile. Kështu është kur ke polici nën ombrellën e krimit të organizuar, që lag qytetarët, hedh gaz lotsjellës dhe dhunon. Hapat tona do i bëjmë të ditura hap pas hapi”, u shpreh deputeti.
Burimi