Plani i Rusisë për të përmbysur rendin botëror të udhëhequr nga SHBA-ja
Situata u përkeqësua akoma më shumë në vitin 2021, pasi Rusia grumbulloi shumë trupa përgjatë kufijve të Ukrainës, dhe nisi të angazhohej në bisedime me SHBA-në dhe NATO-n për reduktimin e pranisë së NATO-s në Evropën Lindore.
Krye-diplomati rus në Shtetet e Bashkuara, shpjegon në një intervistë për “Newsweek” përmbajtjen dhe parimet thelbësore të përpjekjes së Kremlinit për të riformuar rendin global, në një mënyrë që do e zbehë ndikimin ndërkombëtar të Uashingtonit.
Ky shtjellim, vjen pasi administrata e presidentit Joe Biden ka synuar të forcojë më tej lidhjet me aleatët në një përpjekje për të izoluar Moskën, ndërsa kjo e fundit vazhdon luftën ndaj Ukrainës fqinje. Në mesin e debateve të forta dhe përçarëse që po zhvillohen në mbarë botën mbi konfliktin më shkatërrues që ka parë Evropa ndër dekada, presidenti rus Vladimir Putin foli javën e kaluar për një rrugë që mund t’i japë fund konfliktit.
Propozimet u refuzuan nga Kievi dhe mbështetësit e tij ndërkombëtarë. Megjithatë ambasadori rus Anatoly Antonov, mendon se Perëndimi humbi një mesazh kyç, i cili fokusohej në përmbysjen e ekuilibrit të fuqisë pas Luftës së Ftohtë. “Ekspertët dhe politologët duket se i kanë injoruar pikat kyçe të fjalimit presidentit rus, i cili i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar, dhe kryesisht vendeve në kontinentin Euroaziatik, që të bien dakord mbi nevojën për një arkitekturë të re të sigurisë globale”- thotë Antonov për Newsweek.
“Ndërkohë, idetë dhe sugjerimet e përfshira në propozimin tonë, shpjegojnë shumë, si në aspektin e kundërshtimit ndaj Perëndimit dhe ‘projektit ukrainas’ të këtij të fundit, ashtu edhe në lidhje me përpjekjet sistematike të Moskës për të thelluar bashkëpunimin normal, reciprokisht të respektueshëm me vendet e Jugut Global”- shton ai.
Dhe pavarësisht mohimit nga SHBA dhe aleatët e saj evropianë, Antonov pretendon se “kriza e përshpejtuar e euroatlantizmit, ka qenë prej kohësh e dukshme për kryeqytetet që po përpiqen të heqin qafe diktaturën unipolare”. Ankesat e vjetra të Putinit mbi arkitekturën e sigurisë së sferës së ndikimit post-sovjetik, kanë qenë një shenjë dalluese e retorikës së liderit rus që kur ai mori pushtetin gati çerek shekulli më parë.
Në qendër të këtij pozicioni, ka qenë një kundërshtim i vazhdueshëm ndaj zgjerimit të aleancës ushtarake të NATO-s, e udhëhequr nga SHBA-ja, brenda rajoneve të dominuara dikur nga Pakti rival i Varshavës, i komanduar nga Bashkimit Sovjetik. Kjo mosmarrëveshje, shpërtheu fillimisht në një konflikt në Ukrainë në vitin 2014, kur një kryengritje e rrëzoi qeverinë pro-ruse në Kiev, në favor të një administrate pro-perëndimore.
Ngjarjet pasuan njëra tjetrën dhe Rusia pushtoi Gadishullin e Krimesë, që ka një rëndësi strategjike në rajon, duke e aneksuar më vonë atë një referendum të panjohur nga bashkësia ndërkombëtare, dhe më pas vazhdoi me nxitjen e kryengritjes nga popullata pro-ruse në rajonin lindor të Donbasit.
Situata u përkeqësua akoma më shumë në vitin 2021, pasi Rusia grumbulloi shumë trupa përgjatë kufijve të Ukrainës, dhe nisi të angazhohej në bisedime me SHBA-në dhe NATO-n për reduktimin e pranisë së NATO-s në Evropën Lindore. Kur diskutimet dështuan, Putin shpalli fillimin e një “operacion të posaçëm ushtarak”, në të cilin trupat ruse nisën një luftë në shkallë të plotë kundër Ukrainës më 24 shkurt 2022, e cila po vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Ndërsa trupat ruse kanë pretenduar përparime të reja muajt e fundit, konflikti ka hyrë në përgjithësi në një ngërç të përgjakshëm. Propozimi i Putinit për t’i dhënë fund luftës, bën thirrje për tërheqjen totale të forcave ukrainase nga 5 territore të aneksuara nga Rusia, për një Kiev neutral dhe pa armë bërthamore, si dhe për heqjen e sanksioneve nga vende perëndimore.
Por SHBA-ja dhe mbështetësit e tjerë të Ukrainës, synojnë të dyfishojnë ndihmën ushtarake për Kievin. “Më 14 qershor, presidenti rus Vladimir Putin propozoi një plan paqeje për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë. Në kundërpërgjigje, ne pamë vetëm furnizime të reja me armë për regjimin e Kievit. Pra, reagimi i Uashingtonit është i qartë:politikanët atje nuk kanë nevojë për paqe. Ata fokusohen vetëm tek lufta, me objektiv shkaktimin e disfate strategjike për Rusinë”-thekson Antonov.
Ndërkohë, Putini nisi vizitat e njëpasnjëshme në Korenë e Veriut dhe Vietnam për të forcuar marrëdhëniet e Rusisë në Azi. Po ashtu, ai vizitoi muajin e kaluar Kinën për të forcuar më tej marrëdhëniet me presidentin Xi Jinping , me të cilin udhëheqësi rus ka krijuar një partneritet strategjik “të pakufijshëm” dhe ka zgjeruar dy organizata ndërkombëtare, BRICS dhe Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait.
“Vendi ynë, sipas mendimit të shtrembëruar të rusofobëve, nuk ka në thelb të drejtën e mendimit të tij dhe të mbrojtjes së interesave kombëtare. Dhe as në lidhje me krizën rreth Ukrainës, as në lidhje me vendosjen e marrëdhënieve reciproke të dobishme me kryeqytetet miqësore”- thotë Antonov.
Diplomati rus thotë se interesat e Rusisë dhe shteteve të tjera janë injoruar hapur nga Perëndimi, sepse pas vitit 1991 u duk dikur nuk kishte alternativë ndaj dominimit të Shteteve të Bashkuara dhe satelitëve të saj. Antonov përmend disa nga aspektet kryesore të planit të Kremlinit për të paralizuar fuqinë e Perëndimit.
“Propozimet tona përfshijnë eliminimin e vakumit rregullator dhe institucional në sferën e sigurisë euroaziatike, njohjen e vërtetë dhe të sinqertë të lëvizjes botërore drejt multipolaritetit. Njëkohësisht, sistemi i ardhshëm duhet të bazohet në parimet e Kartës së OKB-së dhe supremacinë e së drejtës ndërkombëtare.
Ai nuk do të drejtohet kundër interesave të askujt. Por do të bëhet një lloj garancie ndaj trazirave gjeopolitike, që mund të shkaktojë modeli globalist i ndërtuar mbi parimet perëndimore. Është e rëndësishme të parandalohet fragmentimi dhe formimi i aleancave kundërshtare, dhe parandalimi i shpërthimit të një konflikti të armatosur në shkallë të gjerë”- shprehet ambasadori rus.
Por ai shton se ndërsa zbehja e ndikimit perëndimor është një objektiv vendimtar, ideja nuk është të formohet një koalicion i ri kundër ndonjë kombi apo aleance të caktuara.”Ne nuk po flasim për krijimin e një “blloku” apo “boshti” të ri, që duhet t’i kundërvihet me vendosmëri dikujt. Themeli duhet të jetë dialogu dhe bashkëpunimi, dhe me të gjithë lojtarët që janë vërtet të interesuar. Pra të kemi një diskutim mbi baza të barabarta, mbi problemet e grumbulluara dhe mbi mënyrat se si t’i zgjidhim ato”-nënvizon ai.
Ndërkohë administrata Biden është shprehur shumë mosbesuese ndaj bisedave për paqen dhe bashkëpunimin që ofron Kremlini. “Rusia nuk ka treguar asnjë interes për t’u angazhuar në negociata serioze. Ishte Kremlini ai që e nisi filloi këtë luftë brutale dhe të paprovokuar. Rusia ka pushtuar gati 20 për qind të territorit sovran të Ukrainës dhe po vazhdon ta sulmojë çdo ditë Ukrainën.
Tani, Vladimir Putin po thotë se çmimi i paqes është që Rusia të lejohet të pushtojë edhe më shumë territor ukrainas. S’ka asnjë vend në botë që mund të thotë se kjo është e pranueshme sipas Kartës së OKB-së, ligjit ndërkombëtar apo moralit bazë”- thotë për Newsweek një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA.
Ai përsëriti gjithashtu qëndrimin e administratës Biden në mbështetje të kërkesave të Ukrainës për t’i dhënë fund konfliktit, të cilat përfshijnë një tërheqje totale të trupave ruse nga territori ukrainas. “Ne e kemi thënë vazhdimisht se kur bëhet fjalë për diplomacinë, motoja jonë është ‘Asgjë për Ukrainën pa Ukrainën’. Askush nuk dëshiron më shumë se sa Ukraina dhe populli i saj që kjo luftë të përfundojë sa më parë. Por çdo vendim mbi negociatat varet nga presidenti Zelensky.
Çdo nismë për një paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë, duhet të bazohet tek respekti i plotë i pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht dhe në përputhje me qëllimet dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara”- thekson ai.
Zëdhënësi i DASH, iu referua më tej Rusisë si “pengesa e vetme për paqen në Ukrainë”, dhe e akuzoi Moskën për ndërtimin e një “ekosistemi dezinformimi dhe propagande”, i cili përbëhet nga “komunikime zyrtare të qeverisë, mesazhe globale të financuara nga shteti, goditje përmes palëve të treta, përdorimit si armë të rrjeteve sociale, dhe dezinformatave për t’i shërbyer narrativës së Kremlinit.. Përshtati “Pamfleti”, nga “Newsweek”.
Burimi