Pesë persona të arrestuar për vdekjen e aktorit Matthew Perry!

Pesë persona të arrestuar për vdekjen e aktorit Matthew Perry!

Prokurori amerikan Martin Estrada njoftoi ngritjen e akuzave ndaj pesë personave lidhur me vdekjen e aktorit të njohur Matthew Perry, pas mbidozës me ketaminë vitin e kaluar. Në mesin e të akuzuarve janë ndihmësi personal i ish yllit të serialit “Friends” dhe dy mjekë.
Zoti Estrada e bëri njoftimin për akuzat të enjten duke thënë se mjekët kishin siguruar për zotin Perry një sasi të madhe ketamine dhe madje kishin këmbyer disa mesazhe ku diskutonin se sa mund të ishte i gatshëm të paguante ish ylli i serialit “Friends”.
“Këta të pandehur shfrytëzuan problemet me varësinë të zotit Perry për t’u pasuruar. Ata e dinin se ajo që po bënin ishte e gabuar”, tha prokurori.
Aktori Perry vdiq në tetor të vitit të kaluar për shkak të mbidozës me ketaminë dhe mori disa injeksione në ditën kur vdiq nga ndihmësi i tij personal.
Dy nga personat, mes tyre edhe një nga mjekët e akuzuar, janë arrestuar, tha prokurori Estrada. Dy nga të pandehurit, përfshirë ndihmësi i zotit Perry, pranuan fajësinë për akuzat dhe një person i tretë ka rënë dakord që të pranojë fajësinë.
Prokurori tha se të pandehurit shëmbyen mesazhe menjëherë pas vdekjes së aktorit, duke përmendur ketaminën si shkakun e vdekjes.
Zoti Estrada tha se ata u përpoqën të mbulonin përfshirjen e tyre në furnizimin e zotit Perry me ketaminë, në anestetik i fuqishëm që në disa raste është përdorur për trajtimin e dhimbjeve kronike dhe depresionit.
Policia e Los Anxhelosit tha në maj se po punon së basku me agjencinë amerikane për barnat dhe agjencinë e inspektimit të postës amerikane për të hetuar arsyet pse 54-vjeçari kishte në organizëm sasi kaq të madhe të ilaçeve që përdoren për anestezi.
Aktori u gjet përmbys në vaskën e tij më 28 tetor dhe mjekët e parë që arritën në vend të ngjarjes e shpallën atë të vdekur menjëherë.
Autopsia e tij e publikuar në dhjetor, zbuloi se sasia e ketaminës në gjakun e tij ishte e njëjtë me sasinë e përdorur për anestezi të përgjithshme gjatë operacionit.
Numri i përdoruesve të ilaçit që është në përdorim prej dekadash, është rritur viteve të fundit. Ai përdoret për trajtimin e depresionit, ankthit dhe dhimbjeve. Persona të afërt me aktorin Perry u thanë hetuesve të mjekësisë ligjore se ai po i nënshtrohej terapisë me infuzion me ketaminë.
Por hetuesit thanë se trajtimi i fundit i zotit Perry një javë e gjysmë para se të ndërronte jetë, nuk arsyeton nivelet e larta të ketaminës në gjakun e tij. Zakonisht ilaçi pastrohet nga organizmi brenda disa orësh. Të paktën dy mjekë po e trajtonin zotin Perry, një psikiatër dhe një anesteziolog që shërbeu si mjeku i tij i kujdesit parësor, thuhet në raportin e e mjeksësisë ligjore. Në shtëpinë e tij nuk ishte gjetur drogë apo ndonjë mjet i paligjshëm.
Ketamina ishte renditur si shkaku kryesor i vdekjes, ndërsa rasti u cilësua si aksident pa hedhur dyshime për ndonjë krim të mundshëm, thuhet në raport. Mbytja në ujin e vaskës dhe çështje të tjera mjekësore ishin faktorë kontribues, tha ekipi i mjekësisë ligjore.
Aktori Perry luftonte prej vitesh me varësinë nga substancat, që nga koha kur luane rolin e Chandler Bingut në serialin “Friends”, periudhë kur ai u u bë një nga yjet më të mëdhenj televizivë të gjeneratës së tij së bashku me aktorët Jennifer Aniston, Courteney Cox, Lisa Kudrow, Matt LeBlanc dhe David Schwimmer për 10 sezone, nga viti 1994 deri më 2004./VOA
Burimi