Përplasja për kreun e Kushtetueses, Romeo Kara: Holta Zaçaj po mban postin me forcë, mund të ndiqet penalisht
Avokati Romeo Kara tha se kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj ka konflikt interesi me veten, pasi i është drejtuar për opinion Komisionit të Venecias.
Kara u shpreh se nuk ka arsye pse Zaçaj t’i drejtohet Komisionit të Venecias. Sipas tij, nëse ajo ka zëvendësuar një person, i cili e ka afatin deri në mars 2025, ajo do qëndrojë si kryetare e Kushtetueses deri në këtë datë.
Avokati shtoi se Zaçaj mund të ndiqet penalisht, nëse kërkon ta mbajë pozicionin zyrtar në mënyrë të paligjshme.
“Nëse ka zëvendësuar një person, i cili është larguar përpara afatit dhe ai person e ka pasur afatin deri në mars të 2025, do qëndrojë deri në 2025. Nëse është kualifikuar si gjyqtare e tillë nga Gjykata e Lartë, duke filluar punë rishtas, do e ketë mandatin 3 vjet. Procedura nis me njoftimin e vakancës nga Gjykata Kushtetuese, por këtu ka konflikt interesi, zonja me veten. Zonja në fjalë, ka ardhur rishtas, apo ka zëvendësuar Vitore Tushën. Zonja do të rrijë aq sa do qëndronte Vitore Tusha. Këto janë orekse të çdo qenie njerëzore kur kanë të bëjnë me posta të tilla. Nuk ka bërë keq Gjykata e Lartë që ka shpallur vakancën.
Mendoj që nuk ka vend që një Gjykatë Kushtetuese, t’i drejtohet Komisionit të Venecias, është komision këshillimor. Ajo e di që Gjykata Kushtetuese bën interpretimin përfundimtar të kushtetutës. Edhe sikur Venecia shprehet se ajo mund të rrijë, ajo nuk duhet të rrijë atje. Do japë mesazh mjaft të keq. Ky person mund të shkojë për disa vepra të ndryshme, shpërdorim detyre, mbajtja e padrejtë e postës. Gjykata e Lartë do vazhdojë punën e saj, do emërojë personin tjetër, do ketë forma të tjera ligjore që do e ndalojnë. Nuk do dalë asgjëkundi, do cenojë pozicionin e vet në publik. Edhe mund të ndiqet penalisht, nëse do të kërkojë të mbajë pozicion zyrtar në mënyrë të paligjshme”, tha ai për “Abc News”.
Burimi