![Partizani e nis me turp sezonin e ri, të kuqtë humbasin dhe “skuqen” përballë Vllaznisë, Elbasani debuton me rezultat pozitiv në Superiore](https://lajmidites.com/wp-content/uploads/thumbnails/2024/08/partizani-e-nis-me-turp-sezonin-e-ri-te-kuqte-humbasin-dhe-skuqen-perballe-vllaznise-elbasani-debuton-me-rezultat-pozitiv-ne-superiore_66c4aa536c930.png-730x440-lajmidites.com.webp)
Partizani e nis me turp sezonin e ri, të kuqtë humbasin dhe “skuqen” përballë Vllaznisë, Elbasani debuton me rezultat pozitiv në Superiore
Java e parë e Abissnet Superiore ka ulur siparin mbrëmjen e sotme me 2 ndeshjet e fundit. Partizani e ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme sezonin e ri, pasi të kuqtë janë mposhtur me rezultatin minimal 0-1 nga Vllaznia.
Shkodranët realizuan golin e vetëm të këtij takimi në minutën e 30. Gabim në prapavijën e Partizanit, Alivoda i ndëshkoi duke i dhënë 3 pikët e para ekipit të tij.
Sikur të mos mjaftonte kjo humbje, skuadra e drejtuar nga Arbër Abilaliaj u detyrua ta mbyllte ndeshjen me 10 lojtarë.
Në minutat 47-50, Zguro u përplas me një lojtar të Vllaznisë dhe më pas ofendoi një nga pjesëtarët e stafit shkodran, Enea Jorgji i nxori menjëherë kartonin e kuq.
Në ndeshjen tjetër, Skënderbeu është surprizaur nga Elbasani, teksa ndeshja e luajtur në Korçë është mbyllur në barazim 1-1.
Korçarët kaluan të parët në avantazh në minutën e 16. Kapiteni Prençi kaloi në avantazh skuadrën e Gvozdenoviç. Pas harkimit nga këndi nga ana e Jurit, mbrojtësi goditi saktë me kokë duke përshëndetur rrjetën.
Kur mendohej se Skënderbeu do të fuste në “kasafortë” 3 pikët, Elbasani barazoi shifrat në minutën e 81. Kapiteni Bruno Lulaj ndëshkoi “Ujqërit e Dëborës”, duke çuar në festë tifozërinë elbasanase.
Në orën 17:00, u luajt ndehsja mes Laçit dhe Tiranës, e cila u mbyll me rrjeta të paprekura.
Kujtojmë se ditën e djeshme u zhvilluan 2 ndeshjet hapëse të sezonit 2024-2025. Dinamo u mposht nga Egnatia me rezultatin e pastër 0-2, ndërsa Teuta triumfoi 2-1 ndaj Bylisit në “Niko Dovana”.partizani vllaznia skënderbeu elbasani abissnet superiore
Burimi