Operativi i sigurimit: Çastet kur Avdul Banushi më tregonte rrjetin e atentatorëve që do vrisnin Enver Hoxhën
Avdul Banushi dhe Pirro Nuredini /
“Përtej “miqësisë” së detyruar nga detyra, takimi me familjarët pas shumë vitesh, bën të mundur më në fund që Avdul Banushi të hapte gojën e të më tregonte për shumëçka nuk kishte dëshmuar në procesin maratonë që kishte zgjatur dy vjet.”
Në vijim, Piro Nuredini, ish oficeri i sigurimit i burgut të Burrelit, tregon çfarë ka mësuar në mirëbesim nga i dënuari VIP që vuante dënimin për tentativën e atentatit ndaj Enver Hoxhës. Tashmë një dosje tjetër hapet rishtas jo thjeshtë për Avdul Banushin, por për një rrjet të tërë spiunazhi që operonte në Tiranë dhe jo vetëm me objekt shëmbjen e regjimit në Shqipëri dhe eleminimin e udhëheqjes komuniste. Po çfarë ka zbuluar njeriu i sigurimit nga bisedat konfidenciale me atentatorin e Enverit…
Ishte pasdite kur mbërritëm në Gjirokastër. Sipas porosisë, Avdul Banushin (agjenti që do eliminonte Enver Hoxhën) e sistemova në një nga birucat e Degës së Punëve të Brendshme. Lajmi për mbërritjen e tij vuri në lëvizje fisin Banushi, vëllezër, motra e kunetër. Plot katër ditë e katër netë. U takuan e u çmallën me Avdulin. Rikthimi në Burrel e trazoi edhe më shumë shpirtërisht. Në orët e vona të mbrëmjes, teksa e lashë në dhomën e tij, në burg, duke e kuptuar se çfarë bluaja në mendje, më tha: -Do të më lësh ca kohë të qetë, sa të mbledh veten…
-S’ka problem, i thashë. Kur të jesh i gatshëm, më njofto… Pas tri ditësh, në kutinë postare, gjeta letrën që më dërgonte Avduli. Hapa zarfin me një frymë dhe lexova: “Të pres të vish. Siç e kemi lënë, do fillojmë të bisedojmë vetëm ne të dy, pa praninë e të tjerëve. Dua të të tregoj si fillim, një problem që përbën një labirint të vërtetë…”
Përgatita zyrën dhe porosita oficerin e rojës ta sillte aty. Mbusha dy gota me raki dhe i trokitëm duke uruar njëri-tjetrin. Sapo pimë gllënjkën e parë, e mori fjalën Avduli: – Sot dua të flas për një bazën tonë në hotel “X” në Durrës, ku do të qëndronim pasi të hynim në Shqipëri. Atje do të shkonim, nëpërmjet ndihmës së agjentes së zbulimit jugosllav, Abibe C., me banim në qytetin e Kavajës. Lidhjet me të do t’i vendosnim nëpërmjet parullës: “Shkëmbi i Kavajës është i minuar” dhe kundërparullës: “Kemi specialist për çaktivizimin e minave”. Abibe C. mbante lidhje me agjentin tjetër të zbulimit jugosllav, Z.D., oficer madhor në radhët e ushtrisë, nga i cili merrte informata ushtarake me interes për jugosllavët. Këto të dhëna, Abibe C. ia dorëzonte oficerit të UDB-së, J.M., në takimet fizike, në çdo tre muaj, që bënin në një fshat të Shishtavecit, në rrethin e Kukësit e ndonjëherë edhe në territorin jugosllav. Abibe C. është me origjinë nga fshatrat e Kukësit dhe atje ka disa të afërm. Kjo e justifikon vizitën e saj atje. Është rreth 35 vjeç dhe e ndarë nga burri, me shtat mesatar, brune, femër e paraqitshme dhe e mbajtur mirë. Kur u nisa për në Shqipëri, A.H., me origjinë nga Gjakova e me banim në New York, i cili nuk kishte shumë që kishte ardhur në Amerikë nga Kosova dhe qe afruar me organizatën tonë, më foli për të. A.H. kishte qenë oficer i UDB-së dhe kishte pasur lidhje me Abibe C. Ai më dha fotografinë e saj një javë përpara nisjes dhe kur më arrestuan në kufi, foton bashkë me disa sende të tjera m’i kapën dhe m’i sekuestruan. Kur më pyetën në hetuesi për fotografitë, thashë se ishin miqtë e mi në Amerikë. A.H. më tregoi edhe për kanalin që zbulimi jugosllav kishte në Durrës. K.L., me banim në këtë qytet dhe me punë në hotel “X”, mbante lidhjet me UDB-në, nëpërmjet Abibe C. Kam bindjen se i arratisuri Xhevdet Mustafa, që erdhi diversant në vitin 1982, pas përplasjes me policinë shqiptare mori drejtimin për në Kavajë, me mendimin për t’u strehuar tek Abibe C…
Gjenerali shqiptar që shërben për të huajt
Teksa më fliste në mirëbesim, Avduli ndenji pak dhe pas një farë kohe më kujtoi se do më tregonte emrat e agjentëve të tjerë që punonin për zbulimet e huaja. Në takimin tjetër, më tha, do të flas për një oficer madhor në Ministrinë e Mbrojtjes që shërben për një agjenci antishqiptare. Një vëlla i tij është oficer i Ministrisë së Brendshme. Ai ka emrin e një filozofi të lashtësisë greke. Është i pasionuar pas gjuetisë. Këtë fakt e mësova në Janinë, në vitin 1974, kur kisha ardhur nga Amerika për të hyrë në Shqipëri. Aty nëpërmjet shokut tim, N. Plesati, i arratisur nga Shqipëria, me banim në Prevezë, u njoha me Ilia P., i cili kryente detyrën e sekretarit të një ambasade perëndimore në Tiranë dhe shërbente si zbulues i fshehtë. Kaq më tha ato çaste Avduli dhe pasi më kërkoi leje, u largua. Sakaq, unë shkova në zyrën që kisha në Degë dhe fillova të përpunoja informacionin që kishte të bënte me rrjetin e zbulimit të huaj.
Në mënyrë të përmbledhur, përmenda ato që më tha Avduli për agjentin e zbulimit në Ministrinë e Mbrojtjes dhe sekretarin e ambasadës, Ilia P. Të nesërmen, sapo hyra në burg, shkova në dhomën e Avdulit. Policin e shërbimit e porosita ta mbyllte derën me shul nga jashtë dhe të vinte aty vetëm kur ta thërrisja unë. Filluam bisedën. Kisha planifikuar të rrija gjatë dhe nisa ta pyes. Ai përgjigjej qetë-qetë. Kontrolloja shpesh orën dhe kur vinte momenti që kaseta ishte drejt përfundimit e duhej ndërruar, dilja dhe “shkoja në tualet”.
-Domethënë edhe sekretari i ambasadës, Ilia P., kryen detyra të zbulimit amerikan? – e ndërpreva unë.
-Patjetër! Kam dhe diçka tjetër për I.P. Në vitin 1973, ai ka vënë në shërbim një vajzë, të quajtur Sh., me të cilën ka marrëdhënie intime. Siç më tregoi ai në Janinë, asaj i çoi
dhe një televizor dhuratë. Sh. punon si infermiere në Spitalin Ushtarak dhe nëpërmjet një oficeri siguron informacione me interes për Ilia P. Oficeri, sikurse më ka treguar N. Plesati, është me origjinë nga Jugu…
– Ilia P,- vazhdoi Avdyli, kur u takuam në Janinë, foli me N. Plesatin e L. Guvelin edhe për tre persona, nga një qytet jugor i Shqipërisë që më vonë nga N. Plesati mësova se ishin K.K, Q.J, B.A., të cilët vepronin në bashkëpunim si agjentë të vjetër. Njëri nga këta ishte funksionar i rëndësishëm. N. Plesati më sugjeroi që kur të hyja në Shqipëri, të përpiqesha t’i takoja me parullën “Burimin duhet ta duam”. Tek ata do të gjesh baza të sigurta dhe larg rrezikut. Sepse janë të besuar të pushtetit. Mbeta i befasuar nga kjo e dhënë, jo vetëm se i njihja personalisht personat e mësipërm, por se pikërisht këtë informacion e kisha siguruar edhe më parë nga një burim tjetër i besuar. Isha i sigurt se po ta dërgoja këtë informacion në ministri, ai do të vlerësohej menjëherë. Ata edhe pse ishin të besuar të pushtetit, nuk ishin pjesë e ndonjë klani të fuqishëm. Më pas, Avduli më foli për bazat e FRASH-it në Tiranë, Vlorë, Gjirokastër, Korçë, Elbasan e gjetkë. Ndërkohë, i ishte kujtuar edhe emri i oficerit madhor në Ministrinë e Mbrojtjes, që mbante lidhje me sekretarin e ambasadës së huaj, i cili quhej S.M dhe një vëllai i tij punonte në Ministrinë e Punëve të Brendshme. -Sekretari i ambasadës Ilia P – vazhdoi Avduli, – në Janinë, i ka thënë N. Plesatit dhe L. Guvelit që S.M me ndërhyrjen e Ilias para një viti, ishte transferuar nga rrethi ku shërbente dhe emëruar në Ministrinë e Mbrojtjes. Ai i dhuroi atij një armë të shtrenjtë gjahu. Në vazhdim, Avdyli më tregoi fakte të panjohura më parë. Ai më foli për disa persona që ishin në shërbim të organizatës FRASH, jashtë shtetit. Disa prej tyre i njihja, veçanërisht ata me banim në Vlorë dhe Gjirokastër. Baza të rëndësishme ishin dhe në Savër të Lushnjës, ku vuanin internimin disa kundërshtarë të sistemit. Lidhjet me bazën në Savër mbaheshin nëpërmjet një bashkëpunëtori nga Lushnja. Gjatë kësaj bisede, Avduli më shpjegoi me hollësi ngjarjen e nëntorit 1974, kur kishte ardhur në Shqipëri nga Amerika, me shokun e tij nga Devolli, Ibrahim D., për ti bërë atentat Enver Hoxhës…/Pamfletioperativi i sigurimit pirro nuredini avdul banushi rrjeti i atentatorëve enver hoxha
Burimi