“Nuk na kanë arrestuar akoma”, Artan Hoxha dhe Elton Qyno dalin nga SPAK me dosje dhe çanta në duar

“Nuk na kanë arrestuar akoma”, Artan Hoxha dhe Elton Qyno dalin nga SPAK me dosje dhe çanta në duar

Pas 1 ore brenda në SPAK, gazetarët e kronikës Artan Hoxha dhe Elton Qyno kanë dalë nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme.
Dy gazetarët u paraqitën ditën e sotme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas operacionit të SPAK në Elbasan.
Gjykata vendosi ndaj tyre masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Bëhet me dije se mbi gazetarin Hoxha rëndon akuza “anëtar i organizatës kriminale”. Më herët, për të u kërkua masa e “arrestit shtëpiak”. Ndërsa gazetari Elton Qyno akuzohet për korrupsion. Ndaj tij është vendosur masa “detyrim paraqitje”.
Dy gazetarët qëndruan në ambientet e prokurorisë së posaçme për rreth 60 minuta. 
Ajo që u vu re është se Hoxha dhe Qyno dolën nga dyert e SPAK duke mbajtur disa dosje dhe një çantë që besohet se janë detaje të dosjes gjyqësore.
Megjithatë, para se të futeshin në SPAK, ata pohuan se iu ishte bërë një kontroll në banesa gjatë ditës dhe iu ishin sekuestruar telefonat celularë. “S’na kanë arrestuar akoma”, dëgjohet të thotë Hoxha.

Prokuroria e Posaçme ka dhënë masa sigurie për 21 persona, ku 18 janë “arrest me burg”, 1 “arrest në shtëpi” dhe 2 detyrim për tu paraqitur. 
Sot janë kryer kontrolle banesash ndaj 13 shtetasve midis tyre ish gjyqtarë, ish prokurorë por edhe në banesat e të afërmve të të shumë kërkuarit Suel Çela, pas një hetimi të SPAK që ka sërish si referim bisedat në Sky ECC dhe Encrochat.
Nga hetimet është arrestuar ish-gjyqtarja e Elbasanit Pajtime Fetahut, ndaj të cilës në gusht ishte firmosur një tjetër masë ndalimi ajo e arrestit shtëpiak mbasi dilte në dosjen “Çopja”. Gjithashtu, në pranga u vu edhe ish-kreu i Gjykatës së Elbasanit Zihni Shahu, i cili dha dorëheqjen disa muaj pasi filloi procesi i Vettingut.
Po ashtu, masë sigurie “arrest shtëpie” është vendosur edhe ndaj avokates Blerina Beqiri e cila ka mbrojtur interesat e disa personave të dyshuar si pjesë e grupit të Suel Çelës.
Burimi