Nga plagosja te ‘Komuna e Parisit’, te vrasjet në Velipojë e Tiranë; krimet që tronditën vendin në dy ditë
6 të vdekur dhe 2 të plagosur është bilanci i krimeve të ndodhura brenda 2 ditësh në vendin tonë.
Vendi ynë është tronditur gjatë kësaj jave nga ngjarjet e rënda. Numri i lartë i vrasjeve dhe plagosjeve kanë shokuar opinionin publik shqiptar.
Dy ditë më parë, një konflikt për motive të dobëta në zonën e Komunës së Parisit, ka bërë që një punonjës i Policisë së Kufirit, i identifikuar si Erjon Goxharaj, të qëllojë me 6 plumba mbi një 45-vjeçar. Efektivi i policisë së Kufirit Erjon Goxhara vijon të jetë në arrati, pasi qëlloi mbi kolegun e bashkëshortes së tij për shkaqe xhelozie. Policia ofroi 10 mijë euro për të siguruar informacion të saktë për vendndodhjen e tij.
Si të mos mjaftonte kjo, një tjetër krim i rëndë tronditi Velipojën ku mbetën të vrarë 2 persona. Autorët e ngjarjes ishin 2 vëllezër të cilët ndodhen ende në arrati.
Ndërsa ditën e djeshme një burrë u gjet i pajetë nga vajza në shtëpinë e tij, në Mirditë. Një tjetër krim ka ndodhur në Memaliaj ku një 72-vjeçar u gjet i pajetë në një humnerë.
Ngjarja fillimisht u raportua si vdekje natyrale, por më pas u zbulua se i moshuari ishte vrarë. Sipas policisë, konflikti mes autorit dhe viktimës ishte i hershëm dhe pasoi në aktin makabër.
Pa kaluar as 24 orë nga e hëna e përgjakshme dhe një javë nga vrasja që tronditi vendin nga Pogradeci, policia shënon dhe raporton edhe dy akte të tjera të rënda ditën e djeshme, që e çon numrin e viktimave në 6 dhe disa të plagosur.
Për aktin horror të Memaliajt, ku mbeti i vrarë 72-vjeçarin Faik Hajdini policia e Gjirokastrës ka arrestuar dy persona dhe ka shpallur në kërkim dy persona pasi bashkëpunuan për krimin ndërsa ka shpallur në kërkim autorin Berti Kaushi.
Sipas të dhënave të policisë, dyshohet se vrasja në Mirditë ka ndodhur të paktën dy ditë më parë.
Po ashtu, edhe dy autorët e vrasjes në Velipojë vijojnë të jenë në arrati. Si të mos mjaftonte kjo një tjetër krim tronditi kryeqytetin ku një shtetas amerikan vrau gruan indoneziane, dy qentë e tij dhe më pas veten.
Krimet që tronditën vendin:
Erjon Goxhara, efektivi i Policisë së Kufirit që plagosi me 5 plumba Lorenc Kostën në “Komunën e Parisit”, vijon arratinë. Ai nuk iu është bindur titullarëve të institucionit që kanë komunikuar me të që të dorëzohet, ndërkohë dje Policia e Tiranës njoftoi se në këmbim të një informacioni të saktë ka vënë në dispozicion 10 mijë euro.
Blutë e kryeqytetit kanë tentuar të sqarojnë dinamikën e ngjarjes duke thënë se Goxhara ka qenë jashtë shërbimit në momentin që ka kryer krimin. Ndonëse jo zyrtarisht, pr policia ka bërë me dije se Goxhara e ka qëlluar në këmbë dhe kofshë me armë 45-vjeçarin, pasi dyshohet se ky i fundit ka një histori me bashkëshorten e tij, por ende nuk janë bërë publike të dhënat që ka grumbulluar policia për sa i përket dëshmisë së personave që janë të përfshirë në atë histori dhe që kanë dijeni për konfliktet e vazhdueshme mes çiftit.
Sakaq, Lorenc Kosta mësohet se është dërguar te Spitali i Traumës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa edhe gjendja e tij paraqitet stabël. Lidhur me këtë ngjarje, policia thotë se janë sekuestruar dhe këqyrur pamjet filmike të administruara nga disa subjekte private në vendin e ngjarjes, janë shoqëruar dhe pyetur në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat të hetimit, disa shtetas, dëshmitarë okularë dhe familjarë të autorit të dyshuar, të cilët kanë dhënë shpjegime mbi konfliktin mes të dëmtuarit dhe të dyshuarit, janë këqyrur të dhënat/komunikimet elektronike etj.
Polici Goxhara akuzohet për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Krimi në Velipojë
Ngjarja e rëndë ka zanafillën tek një konflikt i ndodhur mesditën e 28 qershorit 2024 në hotelin e dy vëllezërve, Edmir dhe Gëzim Frroku, ku Ersid Ishmi kishte shkuar për të drekuar. Kamerieri në restorant, kushëri me Ishmin ka debatuar me kuzhinierin pasi është vonuar porosia. Në këtë debat ka ndërhyrë 33-vjecari Ishmi, i cili ka nxjerrë pistoletën në restorantin e familjes Frroku dhe ka kërcënuar me jetë kuzhinierin. Ishmi u arrestua në Vaun e Dejës më 14 korrik dhe gjykata e Shkodrës la në masë sigurie “arrest shtëpie”.
Mbrëmjen e 19 gushtit, Ishmi theu masën e sigurisë, mori me vete kunatin Arsid Hoxhën dhe shkuan tek hoteli për të sqaruar konfliktin që kishin lënë përgjysmë. Rreth orës 21:00 ka pasur konflikt mes dy vëllezërve Frroku dhe dy kunetërve përpara hotelit.
Dy vëllezërit kanë qëlluar me armë duke lënë të plagosur rëndë dy kunetërit Hoxha dhe Ishmi të cilët gjetën vdekjen sapo hynë në sallën e operacionit në spitalin e Shkodrës. Ersild Ishmi është goditur nga 3 plumba në gjoks e bark, ndërsa Hoxha është goditur nga 2 plumba po në gjoks e në bark.
Viktima: Ersild Ishmi, 33 vjeç dhe Arsid Hoxha, 22 vjeç (burri i motrës i Ersildit) I plagosur: Zyber Zagrad, 26 vjeç kamarier në hotelin “Holiday” në plazhin e Velipojës, banues në DibërNë kërkim: Edmir Frroku, Gëzim Frroku. Dy vëllezër, pronarë të hotel Holiday në VelipojëI arrestuar: Zyber Zagrad, kamarieri dhe Marjo Pali, banues në Shkodër, punëtor i hotelit
Vrasja në Memaliaj
Faik Hajdini, 72 vjeç, kishte humbur kontaktet me familjen që ditën e diel. Familjarët dhe policia nisën kërkimet, derisa kalimtarë të rastit kanë shquar trupin e pajetë në një humnerë.
Policia fillimisht e ka konsideruar ngjarjen si rënie nga lartësia, por më pas ka ngritur grupin hetimor për të hedhur dritë mbi ngjarjen. Për pasojë janë vënë rë goditje fatale në qafë dhe në kokë të vitimës, që dyshohet që i kanë marrë jetën 72-vjeçarit. Madje, policia thotë se viktima është vrarë në vend tjetër dhe autori, tashmë i identifikuar, e ka marrë dhe e ka hedhur në atë vend, pikërisht për të humbur gjurmët e krimit. Sipas të dhënave, ka qenë terreni shumë i vështirë në përrua ku gjendet trupi i të ndjerit, ka bërë që në vendngjarje të shkojnë specialistët e grupit hetimor për të dalë në përfundime konkrete.
Ekzekutimi në Mirditë
Policia njoftoi dje se një 68- vjeçar u gjet i vrarë me armë zjarri brenda banesës së tij në fshatin Lajthizë të Njësisë Administrative të Oroshit në Mirditë. Viktima është Frederik Radi, i cili po kalonte muajt e verës i vetëm pranë banesës së vjetër në vendlindje dhe prej dy ditësh kishte humbur kontaktet me familjen. Ka qenë vajza e tij Leonora Radi, e cila pasi nuk ka arritur të lidhet me babanë e saj, ka udhëtuar drejt fshatit të thellë malor dhe e ka gjetur 68-vjeçarin të vdekur brenda shtëpisë së vjetër. Ajo ka sinjalizuar policinë dhe menjëherë drejt vendit të ngjarjes janë nisur shërbimet e policisë vendore dhe grupi i posaçëm hetimor.
Nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes dyshohet se 68- vjeçari është qëlluar me armë zjarri nga dritarja e dhomës ku flinte dhe si pasojë ka humbur jetën. Ai është qëlluar me breshëri plumbash, ndërsa vrasja dyshohet të ketë ndodhur dy ditë me parë, 18 gusht. Lidhur me ngjarjen policia ka shoqëruar dhe po merr në pyetje disa persona, banorë të fshatit Lajthizë, por nuk ka asnjë person të ndaluar si autor i dyshuar i kësaj ngjarje. 68-vjeçari nuk njihej si person problematik dhe me precedentë të mëparshëm penalë, ndërsa pista kryesore e hetimeve është përqendruar te ndonjë konflikt që mund të ketë pasur me banorë në fshat, çka mund të ketë çuar në vrasjen e tij. Frederik Radi ishte babai i katër fëmijëve dhe jetonte në një fshat të Kurbinit, por gjatë dy viteve të fundit muajit e verës i kalonte në shtëpinë e tij të vjetër në Lajthize të Mirditë.
Amerikani vrau gruan, 2 qentë dhe veten
Një tjetër ngjarje e rëndë ndodhi 2 ditë më parë ku një shtetas amerikan mbyti me litar gruan, dy qentë e tij e më pas veten. Mësohet se ata kishin 10 vite që jetonin në kryeqytet, por bashkëshortja e tij indoneziane nuk lejohej të dilte nga shtëpia.
Pas zbardhjes së ngjarjes dhe mbërritjes së policisë në vendngjarje, është gjetur një letër e lënë nga Werts për babanë e tij. Në letrën e tij drejtuar të atit, ai shkruante: “Baba më fal, nuk ia dal dot. Më fal për çfarë bëra, ishte më e fortë se unë”.
Autori i ngjarjes, amerikani Mathew James Werts, ishte mësues në një shkollë private në kryeqytet.
Raportohet se 55-vjeçari nuk ishte paraqitur sot punë dhe ishte drejtori i shkollës ai që zbuloi krimin e rëndë pasi kishte shkuar në shtëpinë e tij e më pas njoftoi policinë.
Sakaq, policia është ende duke hetuar gjithashtu për të zbardhur më në detaje rrethanat që i shtynë Werts në këtë veprim makabër.
Fillimisht është gjetur trupi i pajetë i amerikanit, i cili ishte vetëvarur, ndërsa më vonë, duke kërkuar për prova të reja, janë gjetur trupat e pajetë të bashkëshortes së tij me origjinë nga Indonezia, por me pasaportë amerikane.
53-vjeçari amerikan, pasi mbyti gruan e tij, mbuloi trupin e saj me rroba dhe sipër tyre ka vendosur 2 trupat e mbytur të dy qenve.
Paraprakisht dyshohet që ngjarja të ketë ndodhur në kushte depresioni, por kjo është pistë paraprake dhe po hetohet nga policia.
Burimi