Netanyahu dëshiron një luftë botërore, a do ta tolerojë më SHBA kryeministrin izraelit?
Kjo luftë botërore, është skenari ku Netanyahu i ka varur të gjitha shpresat.
Kryeministri i Izraelit, është qartazi një kërcënim për sigurinë botërore. Në fjalimin që mbajti para Kongresit Amerikan muajin e kaluar, Benjamin Netanyahu e bëri të qartë se e sheh Izraelin si një pararojë në luftën që po zhvillohet nga Perëndimi kundër Islamit radikal global, ose siç e shprehu ai si një “përplasje midis barbarizmit dhe qytetërimit”.
Benjanim Netanyahu ua bëri të qartë amerikanëve se ai po i mbron ata, se po e bën luftën në vend të tyre. Nga komentet e tij ishte e qartë se Amerika duhet ta falënderonte atë për përpjekjet e tij në emër të saj, dhe jo anasjelltas.
Për sa i përket atij vetë, ndihma e madhe që Izraeli merr nga Shtetet e Bashkuara i shërben një interesi ekzistencial amerikan, dhe sa më shumë që SHBA-ja ta rrisë atë, aq më mirë do t’i shërbehet këtij interesi. Dhe ajo që sipas Netanyahut është në interesin e Amerikës, është një luftë e re botërore.
Në fakt, në këtë aspekt Netanyahu e prezantoi veten si një udhëheqës dhe udhëzues të botës së lirë. Në një intervistë për revistën “TIME”, dhënë javën e kaluar, ai theksoi se masakra e 7 tetorit 2023 është Pearl Harbor-i tij. Veprimet e tij dhe vizioni që prezantoi në Kongresin e SHBA-së, e bëjnë të qartë se ashtu si Franklin Roosevelt para tij, Pearl Harbor-i tij e ngarkoi atë me detyrën strategjike dhe morale për të nisur një luftë botërore.
Shtetet e Bashkuara janë vetëm përfaqësuesi i tij, ndaj asaj i kërkon që të bombardojë objektet bërthamore të Iranit. Sa herë që Irani kërcënon se do të hyjë në luftë me përfaqësuesin e tij, Hezbollahun, Netanyahu i drejtohet për ndihmë Uashingtonit.
Dhe Netanyahu ndihet i sigurt se e njeh, madje më mirë se sa administrata demokrate, ato që janë interesat më madhore të Amerikës, dhe se ai i shërben këtij interesi më mirë se presidenti Joe Biden. Mund të pretendohet se Netanyahu është një strateg shumë i keq: ai vrau kreun e Hamasit Ismail Haniyeh në Teheran dhe atë të Hesbollahut Fuad Shukr në Dahiyeh, pa marrë parasysh përmasat e hakmarrjes që do të vijë.
Por a nuk e mori vërtet parasysh apo e kundërta? Kushdo që e sheh veten si udhëheqës të Perëndimit në përplasjen e tij me ‘barbarët’, e di shumë mirë se vrasja e duhur, në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, mund të shkaktojë një luftë botërore e cila do të zgjasë me vite, dhe do ta lërë atë në pushtet derisa të përfundojë.
Kjo luftë botërore, është skenari ku Netanyahu i ka varur të gjitha shpresat. Dhe strategjia e tij ka filluar të japë fryte. Është fakt që në muajin prill, ai orkestroi një situatë ku SHBA-ja u mobilizua së bashku me aleatët e saj të Luftës së Dytë Botërore, Francën dhe Britaninë, së bashku edhe me shtetet e moderuara sunite, në një koalicion që e mbron Izraelin.
Kjo është ëndrra e realizuar e Netanyahut: një botë në kaos dhe luftë, me Izraelin në epiqendër të saj. Për sa i përket atij, pasojat e vrasjes së Ismail Haniyeh janë akoma më mbresëlënëse: Joe Biden ka dërguar në rajon një forcë ushtarake që ia kalon kontingjentit të dërguar në prill pas sulmit me raketa dhe dronë nga Irani.
Pra Benjamin Netanyahu është duke e diktuar axhendën. Bota po pështjellohet nën ndikimin e tij. Veprimet e tij janë aq të rrezikshme sa që po shqetësojnë edhe presidentin rus Vladimir Putin. Kryeministri izraelit është më i rëndësishëm se kurrë në skenën globale.
Netanyahu po e pengon enkas përfundimin e luftës në Gaza, për të nxitur fillimin e një luftë të re botërore. Në halucinacionet e tij megalomane, kjo luftë botërore, fitorja e qytetërimit mbi barbarët, do të jetë edhe trashëgimia e tij politike. Izraeli është bërë shumë i vogël për forcat e shkatërrimit që burojnë prej tij dhe që synojnë të vërshojnë në mbarë botën.
Në intervistën për revistën TIME, ai e krahasoi veten me presidentin amerikan George W. Bush pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001. Kryeministri izraelit e krahason vazhdimisht veten me udhëheqësit e perandorive globale dhe sillet si ata. Për këtë arsye ai është shumë euforik. Netanyahu beson se vizionet e tij të Apokalipsit po bëhen realitet, dhe se në të ardhmen, ai do të përmendet në librat e historisë në të njëjtën mënyrë si Churchill dhe Roosevelt: si fitimtari mbi barbarët.
Ndërkohë, njerëzit që po shpëtojnë qytetarët e Izraelit, Iranit dhe botës nga barbaria janë Putini (i cili, i ndjeshëm për nderin e tij, pretendon këto ditë monopolin në ndezjen e luftërave botërore) – dhe presidenti i ri i “barbarëve”, Masoud Pezeshkian.
Për të gjitha arsyet e lartpërmendura, e gjithë bota ka tani arsye të forta për t’u angazhuar në rrëzimin sa më parë nga pushteti të Netanyahut. Për sa kohë që ai është në pushtet, në rrezik nuk janë vetëm pengjet izraelite që mbahen ende nga Hamasi. Në rrezik është e gjithë bota./Përshtati “Pamfleti” nga “Haaretz”
Burimi