
“Në sallë kirurgjie kemi gjetur vrasëse mizash”, Klodian Rrjepaj dëshmon për “Sterilizimin”: Nuk jam mashtrues, s’ka prova!
Ish-zv.ministri i shëndetësisë Klodian Rrjepaj ka nisur deklarimet e tij në seancën paraprake të mbajtur ditën e sotme në lidhje me sterilizimin.
Mësohet se pasi mbaroi fjalën ish-ministri Ilir Beqaj, ka folur Rrjepaj teksa hodhi akuza ndaj Prokurorisë ku tha se ka marrë anën negative dhe nuk ka bërë bilanc për anën pozitive.
“Kam bërë më të mirën e mundshme. Ndryshuam rrënjësisht sistemin e sterilizimit. Ishte inovacion dhe për këtë shkak çdo gjë po krijohej nga e para. Rruga ishte e pashkelur. Prokuroria nuk ka sjellë ende një bilanc për sterilizimin, cila është e mira dhe e keqja e sterilizimit. Prokuroria ka marrë vetëm anën negative dhe nuk ka bërë bilanc për anën pozitive. Nuk jam mashtrues”, ka deklaruar ai, siç raporton Anila Hoxha bazuar në të pranishëm në këtë seancë me dyer të mbyllura.
Më tej në dëshminë e tij, Rrjepaj tha se akuzohet për mashtrim por sipas tij nuk ka asnjë provë që të tregojë dokumentet e falsifikuara.
“Akuzohem edhe për mashtrim, unë mashtrues, nuk ka asnjë provë dhe dokument qe të tregojë dokumentet e falsifikuara. Përkundrazi dhe prokurori nuk i pretendon të falsifikuara e megjithëkëtë ngre akuzë për falsifikim. Interpretimi i provave, është çështje këndvështrimi. Kurrsesi nuk është falsifikim dhe mashtrim. Kostot janë më të ulëta se referenca ndërkombëtare. PPP është zgjidhja më e mirë si referencë ndërkombëtarë por edhe për situatën ku ndodhej Shqipëria në 2013”, tha ai.
Rrjepaj tha gjithashtu se në Shqipëri në kohën e studimit kanë gjetur vrasëse mizash në salla kirurgjikale.
“Në një sallë kirurgjikale në një vend të BE u pa një mizë. Dhe e dini çfarë ndodhi? Për tre ditë u ndërprenë ndërhyrjet në këtë sallë derisa të analizohej siguria e sallës për sa i përket rrezikut për infeksion…. Ndërkohë në Shqipëri në kohën e studimit ne kemi gjetur vrasëse mizash në salla kirurgjikale”, ka thënë ai.
Burimi