NATO është e papërgatitur për luftën kibernetike të Rusisë

NATO është e papërgatitur për luftën kibernetike të Rusisë

Ai paralajmëron se “Rusia është jashtëzakonisht agresive dhe e pamatur në fushën kibernetike”, dhe do të jetë në gjendje të “fikë dritat për miliona njerëz”.

Gjatë viteve të fundit të Luftës së Dytë Botërore, teksa qeveritë aleate prisnin humbjen e Gjermanisë naziste, Lancaster House ishte selia e Komisionit Këshillimor Evropian, i cili ishte ngarkuar me detyrën e hartimit të rekomandimeve për zgjidhjen e problemeve politike në Evropën e pasluftës.
Këtë javë, Lancaster House do të mirëpresë Konferencën e NATO-s për Mbrojtjen Kibernetike, ku aleanca do të diskutojë një sërë problemesh shumë të larmishme, në kuadër të saj që duket të jetë një panoramë shumë shqetësuese e Evropës së paraluftës. Një nga këto probleme, ka të bëjë më mundësinë në rritje të sulmeve kibernetike, të kryera vitet e fundit nga Rusia ndaj vendeve të NATO-s.
Të dielën gazeta The Sunday Telegraph, publikoi pjesë të një fjalimi që do të mbahet në konferencë nga Pat McFadden, kancelari i Dukatit të Lancasterit. Ai paralajmëron se “Rusia është jashtëzakonisht agresive dhe e pamatur në fushën kibernetike”, dhe do të jetë në gjendje të “fikë dritat për miliona njerëz”.
“Ajo mund të mbyllë rrjetin tonë energjitik. Kjo është lufta e tërthortë që po zhvillon Rusia me Ukrainën”- thotë ai. Përveç të qenit një terren testimi për armatimet e reja si dronët, me ndihmën e Inteligjencës Artificiale dhe raketave hipersonike, lufta në Ukrainë është bërë një arenë për një luftë kibernetike në shkallë të gjerë.
Sulmet kibernetike të Rusisë ndaj Ukrainës nisën në vitin 2015, pra shumë kohë përpara pushtimit të vitit 2022. Operacioni i parë ishte ndaj rrjetit kombëtar të energjisë, dhe la në errësirë qindra mijëra ukrainas.
Sulme të ngjashme janë përsëritur gjatë gjithë luftës, veçanërisht në muajt e parë të pushtimit në shkallë të plotë gati 3 vit më parë, në bashkëpunim me sulmet kinetike në rrjet. Megjithatë – dhe me njëfarë ironie, si një trashëgimi e Bashkimit Sovjetik, rrjeti energjetik i Ukrainës është në pronësi të shtetit, ndaj zotëron një kapacitet të konsiderueshëm rezervë, duke e bërë atë të qëndrueshëm ndaj sulmeve të tilla.
Ndërkohë, shumë prej rrjeteve energjetike të Evropës kontrollohen nga tregu privat, i cili maksimizon efiçencën, por i lë të pambrojtura. Një nga çështjet kryesore në konferencën e kësaj jave, do të jetë se si të ndërtohet një qëndrueshmëri e ngjashme në rrjetet energjetike të vendeve evropiane dhe atyre të NATO-s.
Megjithatë kibernetika është vetëm një pjesë e modelit të luftës hibride të Rusisë, që bazohet tek integrimi i mjeteve të shumta jo ushtarake të konfliktit, dhe i luftërave të zhvilluara përmes palëve të treta, të mbështetura nga kërcënimi i forcës ushtarake, për të arritur qëllime strategjike.
Origjina e doktrinës u konceptua nga gjenerali rus Valery Gerasimov, në një artikull të botuar në vitin 2013, në të cilin ai shkruante ndër të tjera se “është rritur shumë roli i mjeteve jo ushtarake në arritjen e qëllimeve politike dhe strategjike, dhe në shumë raste ato e kanë tejkaluar fuqinë e forcës së armëve në efektivitetin e tyre”.
Meqenëse lufta ka marrë kaq shumë vëmendje në media, është e lehtë të humbasësh vargun në rritje të këtyre “mjeteve jo ushtarake” të destabilizimit, të cilat janë përdorur kundër vendeve evropiane që nga fillimi i saj. Këtu përfshihen rastet e sabotimit dhe zjarr vënieve, bllokimi i sinjalit GPS, fushatat keq informuese, përdorimi si një armë i emigrantëve ilegalë dhe hakerimi i telefonave, pjesa më e madhe e tyre e lidhur me Rusinë.
Kjo është një luftë hibride në veprim, e vendosur të prishë, ngatërrojë dhe turbullojë vijat ndarëse midis paqes dhe kohës së luftës. Për shkak të kësaj paqartësie, shumë prej këtyre taktikave janë të vështira për t’iu kundërshtuar apo parandaluar në mënyrë efektive.
NATO u konceptua fillimisht – dhe në thelb ekziston ende – për të penguar një pushtim ose sulm bërthamor ndaj Evropës. Në aspektin strategjik, aleanca nuk është përshtatur si duhet për këtë epokë të re të luftës hibride, taktikat e së cilës kanë një prag të ulët, janë jo ushtarake dhe mund të mohohen në mënyrë të besueshme, dhe ç‘ është më e rëndësishmja nuk përfshihen brenda fushëveprimit të Nenit 5 të NATO-s që ka të bëjë më mbrojtjen e ndërsjellët midis aleatëve.
Dhe kjo do të thotë se deri më sot, lufta hibride është asimetrike. Megjithatë kjo asimetri nuk është e qëndrueshme. Në rast se Donald Trump do të arrijë një zgjidhje në Ukrainë përtej linjave aktuale të kontrollit, Uashingtoni do të fillojë që ta zhvendosë vëmendjen dhe burimet në rajonin e Indo-Paqësorit për çështje më të ngutshme.
Më pas mund të pritet që Rusia ta vazhdojë fushatën e saj të ngacmimit, si një mjet për ta vendosur Evropën nën presion, në mënyrë që ajo të pranojë zgjerimin e sferës ruse të ndikimit. Ndërsa Evropa përgatitet të marrë përgjegjësinë kryesore për sigurinë e vet, ky rend i ri duhet të përfshijë një strategji koherente për t’u përballur me kërcënimet hibride të Moskës, përfshirë mënyrën se si dhe kur të kundërpërgjigjet./Përshtati “Pamfleti” nga “Unherd”
Burimi