Mungesa e udhëheqësve të mëdhenj po e vë në rrezik Evropën
Macron, Meloni dhe Scholz /
Tri sfidat e afërta që e kërcënojnë kontinentin e vjetër…
Për shekuj me radhë, politika britanike është përpjekur të pengojë shfaqjen e një lidershipi dominues në Evropë. Elizabetianët zhvilluan një luftë epike kundër Spanjës dhe Habsburgëve. Williami III mbajti nën kontrollin ambiciet e mbretit francez Louis XIV.
Brezi që përjetoi Revolucionin Industrial, luftoi dhe i mposhti ambiciet e Napoleonit. Shekulli XX-të solli dy luftëra botërore për të parandaluar kontrollin e kontinentit nga Gjermania. Edhe Brexit mund të shihet si një revoltë kundër autoritetit tepër të fuqishëm, si një dëshirë për ta rivalizuar atë apo për t’u shpëtuar nga dominimi i tij.
Për arsye historike, pasja frikë nga lidershipi i fuqishëm evropian është në ADN-në e Britanisë. Por sot kemi problemin e kundërt. Mungesa e një lidershipi të fortë evropian po shndërrohet në një rrezik serioz për kontinentin por edhe për ne, sepse Brexit nuk e ndryshoi vendndodhjen tonë gjeografike.
Në Evropë ndodhen ende disa nga qytetet më të mira në botë për t’u banuar (mendoni pak për Vjenën); disa nga vendet më të pasura (si Zvicra); disa nga vendet më të lumtura (ato skandinave); dhe shumë nga vendet më të mirat për të pushuar (shumica e Mesdheut).
Megjithatë, ka rrezik që ekonomia e saj të mbetet shumë pas asaj të Amerikës, që siguria e saj të dëmtohet nga Rusia, dhe që politika e saj të sabotohet nga paaftësia për t’u përballur me sfidën e ngjarjeve që ndodhin në Afrikë. Ka ardhur koha që ne britanikët të shqetësohemi për faktin që Evropa është në telashe.
Kjo nuk do të thotë se vendet evropiane nuk kanë rezistuar si duhet përballë dy krizave emergjente të viteve 2020. BE-ja u kundërpërgjigj me vendosmëri ndaj krizës që nxiti pandemia e Covid-19, me programe të përbashkëta të menaxhimit të borxhit dhe shpenzimeve.
Po ashtu, zgjerimi i NATO-s ka qenë pjesë e një reagimi kryesisht të bashkuar ndaj luftës në Ukrainë. Është e lehtë të renditësh një listë më udhëheqës të aftë dhe efektivë në mbarë kontinentin, nga Ursula von der Leyen në Bruksel, tek kryeministrat e Italisë dhe Polonisë, apo edhe presidenti i ri i Finlandës.
Megjithatë, pa Francën dhe Gjermaninë si një forcë qendrore shtytëse, Evropa nis të lëkundet. Politika e brendshme e të dyja vendeve dhe marrëdhëniet mes tyre, janë përkeqësuar në një shkallë alarmante. Rezultatet e habitshme të zgjedhjeve franceze në korrik, i kanë dëmtuar shumë pozitat e presidentit Emmanuel Macron, i vetmi udhëheqës që kombinonte pushtetin me vizionin.
Në Gjermani, një koalicion 3-partiak joefektiv, i ka thyer të gjitha rekordet e mungesës së popullaritetit, teksa ekstremistët në të djathtë e të majtë po përjetojnë rritje në sondazhe. Kancelari Olaf Scholz nuk krijoi në asnjë moment një aleancë të ngushtë me Parisin, dhe as nuk ka pretenduar të udhëheqë opinionin evropian për t’u përballur me sfidat e reja dramatike .
Në rast se bota do të ishte ende relativisht e stabilizuar si një dekadë më parë, boshllëku që shohim sot mund të mos kishte shumë rëndësi. Megjithatë, gjatë 10 viteve të fundit, Evropa po sfidohet nga tre kriza të mëdha. Ndaj do të duhen të paktën 10 vite të tjera për t’i kapërcyer ato.
E para është kriza ekonomike. Raporti i javës së kaluar i ish-kreut të Bankës Qëndrore Evropiane dhe ish-kryeministrit italian Mario Draghi, ishte krejtësisht bindës dhe korrekt. Ai paralajmëroi se nëse Evropa nuk bëhet më produktive, nuk do të ketë asnjë shans për të qenë “një lidere në luftën kundër ndryshimeve klimatike”, “një lojtare e pavarur në skenën botërore” apo për të financuar modelin e saj social.
“Kjo është një sfidë ekzistenciale”- u shpreh hapur Draghi. Akoma më mbresëlënës është argumentimi i tij, se i gjithë hendeku midis rritjes së shpejtë ekonomike në SHBA dhe i rritjes së dobët në Evropë – me standardet e jetesës në Amerikës që rriten 2 herë më shumë sesa norma evropiane – shpjegohet me revolucionin teknologjik.
Ai thekson se Evropa nuk po arrin ta përkthejë inovacionin në komercializim, dhe kompanitë inovative “pengohen në çdo fazë nga rregulloret jo të qëndrueshme dhe kufizuese”. Evropa ka nevojë për më shumë kërkime dhe investime, për institucione akademike më të forta, për më shumë kapital që të rriten bizneset si dhe për rregullore më të efektshme.
Receta që ai jep nuk mund të ishte më e qartë se kaq. E megjithatë nuk duket se është dikush në Evropë që ta udhëheqë rrugën drejt këtij reformimi. Panorama mbi krizën e dytë të madhe që kanoset mbi Evropën, është akoma më e turbullt. Fjala është për luftën në Ukrainë, rezultati i së cilës do të përcaktojë të ardhmen e kontinentit për dekada të tëra.
Kontinenti ndihet në presion nga shpenzimet shumë më të larta të mbrojtjes. Ditët e fundit, e gjithë vëmendja ka qenë tek ngurrimi indinjues i presidentit amerikan Joe Biden për të lejuar që raketat britanike dhe franceze në rreze më të gjatë të përdoren nga Ukraina kundër Rusisë.
Megjithatë, është lënë jashtë diskutimit përdorimit i stokut të qindra raketave gjermane “Taurus”, të cilat mund t’u kishin dhënë ukrainasve një armë edhe më efektive me të cilën mund të mbroheshin.
Njëkohësisht Berlini po e redukton ndihmën e tij për Ukrainën gjatë vitit të ardhshëm, me justifikimin se boshllëku do të mbushet nga të ardhurat e aseteve të sekuestruara ruse. Përballë kërcënimit më të madh për sigurinë evropiane që nga Lufta e Ftohtë, kjo është shumë larg një lidershipi optimal.
Kriza e tretë është ajo e migrimit. Rënia demografike nënkupton se emigracioni është pjesë e së ardhmes së kontinentit. Por nga ana tjetër, është e qartë se një migrim në shkallë të gjerë dhe i pakontrolluar është katastrofik për politikën e tij. Partitë e të djathtës ekstreme po mbledhin miliona vota vetëm për këtë çështje, duke nxitur një reagim në panik nga qeveritë.
Pakti i Migracionit i BE-së është më i përqendruar tek rishpërndarja e emigrantëve sesa në dëbimin e tyre. Njoftimi së fundmi i Gjermanisë për rivendosjen e kontrolleve kufitare është i rrezikshëm për Evropën, pasi kjo braktisje edhe pse e përkohshme e Marrëveshjes së Shengenit dhe ka të ngjarë të jetë joefektive dhe ngjitëse.
Ajo nuk do të parandalojë dot tërësisht migrimin, megjithatë vendet e tjera do të ndjekin shembullin e Berlinit. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, ka pasur deri më sot përgjigjen më efektive ndaj emigracionit të paligjshëm. Prandaj kryeministri britanik Keir Starmer, ishte atje të hënën për të mësuar më shumë.
Por marrëveshjet e saj me vendet e tranzitit dhe përpunimit të azilantëve diku gjetkë – konkretisht në Shqipëri – nuk kanë gjasa që t’i rezistojnë sfidave të viteve të ardhshme nëse nuk ka një qasje më të bashkuar dhe ambicioze nga udhëheqësit evropianë. Popullsia e rajonit të Sahelit në mbarë Afrikën e Veriut, do të rritet në 300 milionë deri në vitin 2050.
Në një rajon të përfshirë nga luftërat, ndryshimet klimatike dhe qeverisja e dobët, Franca është tërhequr dhe udhëheqja evropiane sërish po mungon. Këto tre kriza, ajo mbi inovacionin, sigurinë dhe migrimin, janë kërcënime themelore për stabilitetin dhe zhvillimin e Evropës.
Shqetësimi ynë i vjetër këtu në Britani, për të parandaluar që lidershipi evropian të bëhet një kërcënim për ne, duhet t’i lërë vendin një shqetësimi të ri. Të dyja palët duhet të ndryshojnë mënyrën e të menduarit. Çdo aspiratë e qeverisë laburiste për tu afruar në mënyrë të qëndrueshme me BE-në do të zbehet shumë shpejt nëse udhëheqësit e Evropës nuk do të mund të përballen me tre sfidat e lartpërmendura.
Por as konservatorët nuk duhet të mendojnë se sfida të tilla mund të kapërcehen duke u përpjekur që t’i përballojmë vetë. Sa i përket inovacionit dhe teknologjisë, Britania e Madhe mund të udhëheqë përmes shembullit, me avantazhet e universiteteve të forta dhe një rregullimi më të mirë, gjithnjë nëse zgjedhim që t’i shfrytëzojmë sa më shumë ato.
Qeveritë britanike janë udhëheqëse në ndihmën ndaj Ukrainës. Ndërkohë në lidhje me problemin e migrimit të paligjshëm, ne do të kemi ose sukses ose do të dështojmë me fqinjët tanë. Por në lidhje me të tria sfidat, është në interesin tonë që të ketë një udhëheqje evropiane më të fortë, dhe që ajo të ketë sukses në përballimin e tyre./Përshtati Pamfleti nga “Sunday Times”mungesa e udhëheqësve evropa rreziku
Burimi