“Mjeshtri i priti me neveri akuzat për tradhti”/Xhelil Gjoni: Ç’më tha Odise Paskali kur e këshillova në Komitetin e Partisë të Tiranës

“Mjeshtri i priti me neveri akuzat për tradhti”/Xhelil Gjoni: Ç’më tha Odise Paskali kur e këshillova në Komitetin e Partisë të Tiranës

 

Odise Paskali /

Enver Hoxha e kundërshtoi kërkesën e ministrit të Brendshëm për të burgosur “Skulptorin e Popullit”

Pjesa e Katërt
Vijon nga: Pjesa e Parë, Pjesa e Dytë dhe Pjesa e Tretë
“Odise Paskalin nuk duhet ta arrestojmë, por ta këshillojmë sipas rregullave të Partisë. Ky të jetë një qortim paralajmërues dhe në rast përsëritjeje të operojmë me masën ekstreme”. Kështu e kujton kundërshtimin e Enver Hoxhës ndaj kërkesës së Ministrisë së Brendshme për të futur në burg mjeshtrin e skulpturës Xhelil Gjoni, njëri nga ish-drejtuesit e lartë të Partisë së Punës, të cilit i ka qëlluar ta çojë në fund këtë detyrë të shefit të tij.

Xhelil Gjoni /

Zyrtari që ka mbyllur procedurën misterioze të Sigurimit të Shtetit për Odise Paskalin, vë në dukje çastet e papritura në zyrën e Ramiz Alisë, kur është njohur për herë të parë me objektin e penalizmit të mjeshtrit të daltës. Prej aty, kërkesa për prangosjen e tij do të kalonte për miratim në zyrën e Enverit, i cili këtë radhë do të hezitonte për ta degdisur viktimën e radhës në ferrin e Burrelit. “Me Paskalin njihesha prej kohësh, – kujton Gjoni, – dhe u ndjeva ngushtë kur më thanë se duhej ta thërrisja e ta këshilloja në zyrën time në Komitetin e Partisë së Tiranës. Ishte një detyrë delikate dhe me shumë përgjegjësi që duhej ta bëja patjetër, pavarësisht rrethanave që më lidhnin me të. Por Paskali, pas tronditjes së parë, e priti me qetësi akuzën e bërë në adresë të tij. Madje më befasoi jashtë mase kur citoi emrin e njeriut që kishte ngritur tërë alibinë e kësaj historie misterioze. Në fakt i kishte rënë në shenjë, pavarësisht se unë duhej të bëja të paditurin për identitetin e tij”. Po si u shpreh gjeniu i skulpturës shqiptare gjatë procesit të këshillimit paralajmërues? Cili ishte mendimi i tij për këto praktika të fshehta në ndjekje e në përgjim të intelektualëve e krijuesve? Si u prit ky veprim nga njerëzit që u njohën me tërheqjen e vëmendjes ndaj Paskalit?
Zoti Xhelil, disa nga miqtë e “Skulptorit të Popullit”, Odise Paskali, thonë se ju, me urdhrin e Enver Hoxhës, e keni thirrur e këshilluar atë në zyrën e Komitetit të Partisë pas denoncimit të bërë nga Sigurimi, si element antiparti. Si është e vërteta?
Kjo ka ndodhur diku nga fillimi i viteve ‘80, kur unë kryeja detyrën e sekretarit të Komitetit të Partisë së Tiranës për çështjet e propagandës. Këtu desha të saktësoj se për thirrjen e tij nuk më ka urdhëruar Enver Hoxha, po Ramiz Alia. Ky veprim do të shënonte finalizimin e një pune disamujore të Sigurimit të Shtetit, i cili me mekanizmat e tij, që tashmë dihen, këmbëngulte për ta prangosur profesor Paskalin. Mesa dukej maja e kupolës që për raste të tilla do t’i merrej leje patjetër, kishte refuzuar masën ekstreme ndaj këtij personaliteti. Sidoqoftë, e gjithë kjo do të quhej e mbyllur me një tërheqje të vëmendjes ndaj skulptorit të talentuar.
Thatë se urdhrin për ta këshilluar jau dha Ramiz Alia, po për motivin e këshillimit a ju sqaroi ai?
E vërteta është se me këtë procedurë unë isha njohur disi më parë, madje kishte qenë Ramiz Alia që më kishte azhornuar me të. Ai më thirri një ditë në zyrë dhe më dha të lexoja një dokument me dy faqe, firmosur nga ministri dhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme. Në thelb të përmbajtjes së saj ishte një denoncim shoqëruar me propozimin për të lejuar arrestimin e Odise Paskalit si element antiparti, dhe si njeri që merrej me agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. Fillimisht u befasova dhe nuk desha t’u besoja atyre që lexoja në atë shkresë të cikluar tepër sekrete. Odise Paskali ishte një nga personalitetet publike e krijuese më të rëndësishme të vendit. Njihesha me të prej kohësh dhe kisha respekt të veçantë. Sidoqoftë, isha para një akti të kryer, që thjesht etika si zyrtar partiak nuk më lejonte ta vija në diskutim atë. Si përfundova së lexuari, Ramiz Alia kërkoi gjykimin tim dhe aty për aty më tha se këtë dokument duhej t’ia çonte Enverit, i cili, pasi të njihej, do të jepte verdiktin përfundimtar për ndëshkimin e Paskalit.
Cili ishte sugjerimi që i dhatë Ramiz Alisë pasi u njohët me përmbajtjen e dokumentit të Sigurimit të Shtetit për Odise Paskalin?
Nuk e mbaj mend me saktësi çfarë kam shprehur gjatë takimit me Ramiz Alinë, po më kujtohet që i shpreha rezerva për atë që kishin konstatuar strukturat e sigurimit në adresë të Odise Paskalit. Ishte një çështje e mprehtë dhe duhej të mateshe mirë për të ndërhyrë në vendimmarrje. Njeriu i fundit që duhej të shprehej për këtë në të tilla raste ishte vetë Enveri.
Po Ramiz Alia, a ishte i bindur se mjeshtri i daltës duhej të vinte për riedukim diku nga Spaçi?
Me aq sa mbaj mend, Ramizi nuk m’u duk se kishte ndonjë mendim të kristalizuar. Bile-bile, me sa kuptova ai ndjehej njësoj si unë, i befasuar dhe shumë dyshues për çka përmbante letra e Sigurimit. Sidoqoftë, çështja nuk ishte në kompetencën e tij. Në këtë rast ai detyrohej ta transmetonte procedurën tek Enveri. Ishte tjetër gjë kur ky i fundit mund t’i kërkonte ndonjë mendim, siç ndodhte shpesh gjatë dënimit të njerëzve të artit e kulturës. Po nuk i dihej se ç’rrugë do të merrte çështja në zyrën e Enverit.
Si rrodhi dialogu juaj me Ramizin para se kërkesa për të prangosur Paskalin të vinte në zyrën e Enverit?
Qysh në fillim i shpreha Ramizit dyshimin tim për vërtetësinë e dokumentit të Sigurimit, që kishte të bënte me figurën e Paskalit. “Nuk besoj kurrë, – i thashë kreut të Komitetit Qendror të Partisë, – që Odise Paskali të bëjë pjesë në radhën e atyre që duan t’i nxjerrin sytë Shqipërisë. Ka vite që njihem me të dhe asnjëherë nuk më ka lënë të kuptoj se është njeriu i prapaskenave antikombëtare. Odiseja, vazhdova t’i tregoj Ramizit, vërtet që nuk është komunist, por është një figurë e nderuar atdhetare, një nga personalitetet e shquara të artit, që ka hedhur në bronz të gjitha figurat historike të kombit. Më tej i numërova disa nga veprat e tij, që atëherë ishin të pazëvendësueshme në llojin e vet. Nga mënyra si më dëgjonte Ramizi linte të kuptoja se të gjitha këto i dinte mirë, por organet e Sigurimit provonin para Partisë se ai prej kohësh ishte duke bërë një veprimtari të fshehtë antiparti. Pas një heshtjeje të shkurtër, ai u kthye nga unë dhe, duke lexuar logon e dokumentit, përmendi fjalën agjitacion e propagandë kundër Partisë dhe pushtetit popullor. Si konstatova mëdyshjen që i lexohej në vështrimin e menduar, u hodha më tej: “Edhe sikur të jenë të vërteta ato që thonë operativët e Sigurimit, asnjëherë nuk do të isha dakord që Paskalin ta penalizojmë me këtë masë ekstreme. Ai me artin brilant që ka prodhuar është një vlerë e madhe e kulturës dhe historisë tonë. Ta degdisësh në Spaç, do të thotë se duhet të shfarosësh të gjitha veprat e tij që kanë pushtuar sheshet dhe bulevardet e vendit. Kaq ishte takimi, dhe unë u largova. Ramizi pas kësaj duhej të shkonte në zyrën e Enverit.
E çoi Ramizi kërkesën e Sigurimit për të arrestuar Paskalin tek Enveri, dhe si rrodhi më tej kjo çështje?
Patjetër që e çoi, se nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Unë këtë procedurë e dija, por nuk arrija të mendoja çfarë do të vendoste Enveri. Nga ato pak fjalë që do të shënonte ai në atë shkresë do të varej fati i jetës së mjeshtrit të skulpturës. Njëherazi me të edhe fati i monumenteve të shumtë që kishte skalitur dora e tij dhe që hijeshonin rrugët dhe sheshet e qyteteve tona. Gjithsesi, kjo dilemë nuk do të zgjaste shumë. Vetëm pak orë pas këtij takimi në Komitetin Qendror, kur isha duke punuar në zyrën time në Komitetin e Partisë së Tiranës, Ramizi më telefonoi sërish dhe më njohu me atë që kishte thënë Enveri për çështjen e Odise Paskalit. “Shoku Enver, më tha ai, u shpreh kundër arrestimit të Paskalit. Ai mendon se kjo procedurë duhet të mbyllet me një këshillim qortues, që nënkuptonte një tërheqje vëmendjeje për të qenë më i kujdesshëm e i përmbajtshëm gjatë komunikimit të përditshëm”. Me sa dukej, Ramizi e kishte mirëpritur këtë qëndrim të shefit të tij. Kuptohet, ky ishte një lajm i mirë edhe për mua, që Odisenë e kisha një nga miqtë e afërt. Gjithsesi, edhe këshillimi nuk ishte një masë e lehtë, sidomos për personalitetin e spikatur të tij. Megjithëse më ngushëllonte fakti që Paskali i madh nuk do të vihej në pranga, përsëri ndjehesha keq që ai do të këshillohej për qëndrime e deklarata të sajuara. Ca më tepër kur këtë do ta bëja unë, bile në zyrën time. “Gjysma e së keqes”, mendova teksa përfundova telefonatën me Ramiz Alinë.
A e mbani mend përse e penalizonin Odise Paskalin organet e Sigurimit të Shtetit?
Kanë kaluar kohë që atëherë, por përmbajtjen e atyre çështjeve për të cilat e akuzonin mjeshtrin e madh e mbaj mend mirë. Njëra nga çështjet e atij dokumenti denoncues kishte të bënte me vlerësimet dhe deklaratat e tij për kushtet e vështira të krijuesve, sidomos të atyre që punonin me artet figurative.
Sipas tij, këtë lloj arti po e varfëronte konformizmi i komisioneve zyrtare me njerëz të paaftë, të cilët ishin duke prishur hierarkinë e veprave në emër të parimeve proletare. Bashkë me këtë brengë që mjeshtri i daltës e kishte shprehur në disa tubime me krijues e artistë, Paskali kishte shfaqur shqetësimin për kushtet mjerane në të cilat punonin mjeshtrit e penelit e të daltës. Nga sa më kujtohet, njerëzit e Sigurimit kishin qëmtuar vërejtjet e Paskalit për mungesën e dhomave të ekspozimit dhe të shitjes së veprave të artit, për krizën e bazës materiale dhe të studiove, për mënyrën vulgare si vlerësoheshin veprat e artistëve etj. Ndërkaq, syrit të vëmendshëm të njeriut që e markonte nga afër sjelljen e tij nuk i kishin shpëtuar as reagimet e trishtuara të Paskalit për varfërinë e tejskajshme të tregut, ku sipas thënieve të tij, mungojnë gjëra nga më të jetiket, që nga shkrepëset e deri te lidhëset e këpucëve. E gjithë kjo lëndë e vjelë në mjedise të ndryshme e në mënyrë të fshehtë kishte qenë e mjaftueshme për ta denoncuar e akuzuar Paskalin për “punë armiqësore” dhe “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”.
Gazeta ka zbuluar një dokument ku Paskali akuzohet për prirje borgjeze e dekadente në krijimtarinë artistike. Për këtë Sigurimi ka arkivuar fshehtaz një dosje të dorëshkrimit të kujtimeve të tij dhe ka bërë interpretimet e tyre. A kishte gjë për këtë në shkresën e servirur nga Ministria e Brendshme në Komitetin Qendror?
Lidhur me këtë desha të them, se në shkresën e Ministrisë së Brendshme që kërkonte të dënonte Odise Paskalin bëhej fjalë edhe për një dëshmi të tillë. Sigurimi me mënyrat e veta kishte mundur të depërtonte deri te ky dorëshkrim, që në thelb ishte një ditar që Odiseja kishte mbajtur qysh në vitet e studimeve në Itali. Nga sa raportonin ekspertët e Ministrisë së Brendshme, në të kishte shënime e dokumente, interpretime e opinione politike, që binin ndesh me filozofinë marksiste-leniniste dhe moralin komunist. Ndërkaq, aty kishte edhe përjetime nga procesi për ngritjen e veprave të ndryshme. Njëri ndër ta që e rëndonte pozitën e Paskalit bënte fjalë për periudhën kur kishte daltuar bustin e mretit Zog. Ajo kishte mbetur në bllokun e Paskalit që nga viti 1928, kur ai e kishte bërë për herë të parë veprën kushtuar monarkut shqiptar. Kuptohet, në gjykimin e asaj kohe kjo do të vlerësohej më shumë se nostalgji e autorit për Lartmadhninë. Nuk i mbaj mend mirë detajet e tjera rreth këtyre dorëshkrimeve dhe çështjeve për të cilat penalizohej mjeshtri i daltës, po di të them se operacioni për t’i shtënë në dorë këto kishte qenë një veprim sa i pabesë, aq edhe dashakeq.
A flitej në dokumentin e Ministrisë së Brendshme për përgjimet që i kishte bërë Sigurimi dhe njerëzit e tij Odise Paskalit?
Odise Paskali është survejuar nga organet e Sigurimit të Shtetit për një kohë të gjatë. Kjo as që diskutohet. Kishte mjaftuar një sinjal në rrugë operative për të vënë në lëvizje strukturat speciale, të cilat fill pas kësaj kishin nisur të operonin në adresë të Paskalit. Përgjimi në këtë rast ishte një praktikë rutinë për të dokumentuar e plotësuar provat e nevojshme për “armiqësinë” e viktimës, që nuk dinte gjë për çfarë ndodhte me të. Për suvrejimin e Paskalit nga Sigurimi i Shtetit kam mësuar pas takimit që bëra me Ramiz Alinë për këtë çështje.
Ju thatë se morët urdhër për të mbyllur procedurën e ngritur nga Sigurimi për Paskalin me një këshillimin qortues. Si e kujtoni momentin kur u përballët me të në zyrën e sekretarit të Komitetit të Partisë së Tiranës?
Kur më tha Ramizi se Enveri kishte porositur që unë të thërrisja e të këshilloja Odise Paskalin për të qenë më i vëmendshëm e i kujdesshëm gjatë komunikimeve të ndryshme, me thënë të drejtën u ndjeva ngushtë. Ajo ishte një detyrë partie, e duhej bërë patjetër, ca më tepër që vinte drejtpërdrejt nga Enver Hoxha.
Po si do të përballesha me mikun tim, që e kisha adhuruar prej kohësh e që kisha biseduar gjatë për artin e kulturën? Si do ta qortoja për cektësi e mungesë vigjilence mjeshtrin e shquar? Si do t’i thosha atij, se pas këtij qortimi e prisnin prangat dhe qelitë e Burrelit? Ca më tepër, që të gjitha këto nuk mund t’i besoja. Sidoqoftë, momenti ishte kritik e nuk të linte kohë për t’u zgjatur me ndjesi të tilla.
E lajmëruat zyrtarisht Paskalin…
Këshillimi në atë kohë ishte një lloj ndëshkimi penal, që parakuptonte masën më të lehtë të goditjes e dënimit. Pas tij vinte “demaskimi publik” dhe në fund burgimi. Unë duhej t’i komunikoja masën e ndëshkimit që kishte dhënë për të Enveri. Duhej ta këshilloja mikun tim, duke e paralajmëruar se tjetër herë për gabime të tilla Partia do t’i hidhte prangat. Kisha të bëja kështu me një detyrë partie shumë të rëndësishme. Rregulli e donte ta lajmëroja zyrtarisht, dhe kur të paraqitej sipas “urdhrit” të marrë nga zyrtarët e Komitetit të Partisë, t’i komunikoja atë që ishte vendosur për të në Komitetin Qendror. E kisha shumë të vështirë për të operuar në këtë mënyrë dhe vendosa të takohesha vet me të, për t’ia vënë në dukje në një lloj intimiteti. Çuditërisht në rrugicën që përballeshim çdo ditë disa kohë nuk ma zuri syri. Kisha menduar ta ftoja për një kafe në zyrë dhe atje të konsumonim edhe problemin që ishte bërë çështje dite. E përgjova një mëngjes tek kalonte pranë selisë së Komitetit të Partisë dhe pasi shkëmbyem përshëndetjen e rastit, i ofrova ftesën për kafe. Fillimisht hezitoi, po kur pa këmbënguljen time pranoi dhe të dy bashkë shkuam në zyrën time. Aty pastaj…
Çfarë ju tha Odise Paskali kur e këshilluat qortueshëm, sipas urdhrit të Enverit?
Atij i erdhi e papritur dhe u trondit shumë, por e mori shpejt veten. “Mos!”, më tha teksa e njihja me përmbajtjen e denoncimit dhe aty për aty përmendi emrin e njeriut që kishte ngritur tërë atë alibi. Dhe në fakt i ra në shenjë, pavarësisht se mua nuk ma donte pozicioni t’ia konfirmoja. “Unë nuk kam atdhe tjetër, -shtoi me duar që i dridheshin, – dhe nuk kam pse t’i kundërvihem vendit tim. Dora dhe mendja ime kanë punuar për të dhe martirët e tij. Turp! Turp për ata që shpifin të tilla gjëra”, tha më në fund dhe kërkoi të pinte një gotë ujë. Pastaj për disa çaste në dhomë ra një heshtje e thellë, ku asnjëri nuk merrte guximin të shtonte gjë tjetër në atë bisedë të imponuar. Kuptohet që unë nuk kisha si t’i thosha se kjo ishte porosi e Enverit, pas një kërkese për t’u arrestuar nga Ministria e Brendshme, po duhej t’i lija të kuptonte që herë tjetër të bënte kujdes. Kaq, vetëm kaq mbaj mend nga ai takim i vështirë e shumë tundues. Më vonë jam takuar edhe herë të tjera me mikun tim Paskali. Ai asnjëherë nuk iu kthye kësaj historie.

detaj;

Ridënimi i Paskalit: Dhunimi i studios historike
“Mjeshtrin Paskali kanë dashur ta burgosin në kohën e diktaturës, ndërkohë që në demokraci e kanë ridënuar, duke i dhunuar studion ku punoi për 62 vjet”. Kështu thotë me dhimbje njëri nga ish-kolegët e skulptorit të shquar. Sipas tij, odiseja me studion e Paskalit të madh nis qysh në ditët kur ndërroi jetë. “Menjëherë pas vdekjes së Paskalit, – sqaron njeriu që ka punuar prej vitesh me të, – familjarëve të tij i kërkuan çelësin e studios, me arsyetimin se aty do të instaloheshin skulptorët që do të punonin për monumentin e Enver Hoxhës. Që këtej nis denatyrimi i saj. Me dhjetëra bocete, vizatime, projekte, vepra të Paskalit u trajtuan si mall pa vlerë dhe humbën pa adresë. Buste të tëra u prishën. Në periudhën e demokracisë studios i dolën për zot të tjerë njerëz, që preferuan ta kthejnë në banesë. Për vite të tëra aty banuan dy familje. Vetëm pas këmbënguljes së familjarëve tani vonë studio mund t’u kthehej atyre në pronësi, po gjithsesi me tjetër destinacion”.
Për ish-kolegun e mjeshtrit të skulpturës shqiptare dhunimi dhe denatyrimi i strehëzës krijuese të tij është një ridënim i dytë për të. “Ç’është më e keqja, – përmbyll ai, – ende nuk ndihet kush nga autoritetet e kulturës do të punonte për ta ringritur atë në nivelin e një muzeu, që do të ishte me shumë vlerë jo vetëm për artin, por edhe shumë më gjerë. Fund!/Pamfleti
 odise paskali xhelil gjoni
Burimi