“Ministrja të japë dorëheqjen”, Klodiana Lala për skandalin te Onkologjiku: Mjekët janë ekzekutorët, por jo përgjegjësit e vetëm

“Ministrja të japë dorëheqjen”, Klodiana Lala për skandalin te Onkologjiku: Mjekët janë ekzekutorët, por jo përgjegjësit e vetëm

Gazetarja Klodiana Lala tha se mjekët nuk janë përgjegjësit e vetëm të situatës së rëndë në shëndetësinë shqiptare. Lala u shpreh se ata janë ekzekutorët, ndërsa përgjegjësit janë ministrja e Shëndetësisë që duhet të kishte dhënë dorëheqjen pas skandalit te spitali Onkologjik.
Sipas saj, për pajisjen e kobaltit e kanë ditur të gjithë se po sëmuren dhe ministrja duhet të dalë të kërkojë falje dhe të largohet nga detyra.
“Mjekët në rastin konkretë janë në rolin e ekzekutorit, prandaj janë më të atakuarit në opinion publik, që kanë provuar kalvarin e këtij sistemi. Por kur merr piramidën, mjekët janë të tretët apo të katërtit. Sipas meje mjekët janë të tretët dhe janë ekzekutorët, se janë njerëz që nuk kanë dhënë dozën dhe kanë çuar në humbjen e jetës së pacientëve.
Nga ana tjetër kemi disa financues. Ne nuk kemi asnjë titullar politik në QSUT që ka dhënë dorëheqjen, sepse ka edhe raporte më të rënda. Një grua vajti në Ministrinë e Drejtësisë në grahmat e fundit dhe tha hetoni mjekët se po më japin gjysmë doze. Për pajisjen e kobaltit e kanë ditur të gjithë se po sëmuren dhe ministrja duhet të dalë dhe të thotë më falni dhe të ikë nga detyra. Ka pasur një hetim nga Prokuroria e Posaçme për shitjen e ilaçeve të paautorizuara dhe kontrabandë dhe nuk ka ende asnjë përgjegjës. Kanë hyrë medikamente kontrabandë në Shqipëri, përfshirë edhe ato që mund të shkaktojnë vdekjen dhe nuk ka asnjë përgjegjës nga doganat.
Ka tendera që në gjenezën e vet fillojnë me 30 për qind ryshfet dhe kur shkon kaq për ryshfet do të hiqet një pjesë e terapisë. Ka dhjetëra farmaci që në banakun e tyre mbajnë ilaç që sipas ligjit nuk mund t’i kenë. Mjekët janë ekzekutorët, por nuk janë përgjegjësit e vetëm. Kjo që po ndodh është shumë minore dhe nuk ndodh vetëm te Onkologjia, por të gjithë sistemin shëndetësor. Nis që te sistemi i referimit nga mjeku i familjes te QSUT-ja. Ministrja e dinte nga një eksperte gjermane që Onkologjiku dhe mjedisi përreth ishte i kontaminuar nga rrezatimi dhe nuk ka reaguar. Ndalja vetëm te mjekët, te kjo bërthama kriminale nuk është i gjithë problemi”, tha Lala.
Burimi