“Ministria e turpit”, avokati Serjani thirrje partive politike: Mos e përdorni vrasjen e 14-vjeçarit!

“Ministria e turpit”, avokati Serjani thirrje partive politike: Mos e përdorni vrasjen e 14-vjeçarit!

Avokati Gentian Serjani ka folur në protestën e dytë pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani.
“Ministria e turpit!…Ministria e turpit!”, i drejtohet avokati institucionit për mosreagimin e saj lidhur me tragjedinë.
Në listën e kërkesave e para është ajo ndaj partive politike që të mos e përdorin vrasjen e 14-vjeçarit për debat politik, ndërsa kërkon hetim transparent për ngjarjen pas deklaratës së babit të djalit të plagosur për përfshirjen e të tjerë personave në këtë ngjarje.
“I bëj thirrje partive politike mos e përdorni ngjarjen për debatin tuaj politik! Siguria e jetës së fëmijëve tanë nuk mund të jetë ngjarja e radhës për përballjen e tyre politike.
Së dyti kemi parë sesi babai i djalit të plagosur ka deklaruar se ngjarja është ndryshe nga ajo që ka deklaruar policia. I bëj thirrje organit të hetimit që të bëjë hetim transparent mbi ngjarjen është e vetmja mënyrë që ne të ngushëllojmë babain dhe familjen e Martinit”, tha avokati në fjalën e tij.
Sipas tij, kjo ngjarje duhet të kthehet në emergjencë kombëtare ndërsa avokati i bën thirrje ministrisë së Arsimit që të hartojë një plan për të parandaluar ngjarje të tilla.
Ai kërkoi më shumë psikologë në shkolla dhe rojet të mos paguhen nga prindërit.
“Së treti i bëj thirrje qeverisë dhe Ministres së Arsimit duhet me patjetër që ngjarja të jetë alarm për ta kthyer problematikën në emergjencë kombëtare. Nuk mund të presim një tjetër rast e humbje jete te fëmijët tanë. Duhet patjetër një strukturë nga disa institucione dhe prindër që të analizojnë e të nxjerrin një plan sesi mund të parandalohen ngjarje të tilla
Thirrja ime është për Ministrinë e Arsimit dhe qeverinë: Nuk duhet që rojet të paguhen akoma me lekët e prindërve. Duhet që nga kjo ministri të përcaktohen oficerë sigurie që të parandalojnë situata të tilla dhe të rishikohet detyra dhe roli i oficerëve të sigurisë në shkolla.
Do të dija të kishim më shumë psikologë në shkolla, dhe kjo realizohet me rritjen e buxhetit. Nuk mund të harxhojmë më shumë lekë për të burgosurit sesa për fëmijët tanë”, u shpreh avokati.
Burimi