Mijëra njerëz protestojnë pranë kuvendit të demokratëve në Çikago
Ndërsa delegatët e Partisë Demokratike mbërritën gjatë fundjavës në Çikago për kuvendin kombëtar të partisë, mijëra demonstrues u mblodhën në këtë qytet për të protestuar. Kuvendi i demokratëve fillon të hënën dhe përfundon më 22 gusht. Këto grupe njerëzish kanë qëllime të ndryshme për të protestuar. Aty ka demonstrues që duan më shumë të drejta për komunitetin LGBTQ+, mbrojtjen e të drejtave riprodhuese të grave dhe mbi të gjitha arritjen e menjëhershme të një armëpushimi në luftën Izrael-Hamas.
Sarah Bechdel është njëra nga protestuesit e shumtë që tanimë janë mbledhur pranë vendit ku do të mbahet Kuvendi i Partisë Demokratike. Protestuesja Bechdel thotë se vendosi të protestojë pasi dëshiron që kjo t’i dërgojë mesazh Nënpresidentes Kamala Harris.
“Unë jam këtu sepse dua që administrata e Presidentit Biden dhe Nënpresidentja Harris ta kuptojnë se ka njerëz që nuk janë të gatshëm të votojnë për të, nëse ajo vazhdon armatosjen e Izraelit”, thotë zonja Bechdel.
“Çdo aktivist, pavarësisht se për çfarë bëhet fjalë, nëse nuk tregon solidaritet me popullin në Gazë, atëherë ju keni dështuar tërësisht si aktivist. Nuk mund të jeni në favor të lirisë personale nëse nuk përkrahni lirinë e popujve të tjerë”, thotë Andy Thaier, aktivist në Çikago.
Protestues të tjerë kanë qëllime të tjera.
“Unë dua që individët transgjinor të respektohen ashtu siç janë dhe dua paqe, dashuri dhe drejtësi”, thotë Elijah Lamb.
“Nuk e dimë saktësisht se sa njerëz do të mblidhen. Duke u mbështetur në protestat e mëparshme të Çikagos, ne kemi parë protesta në qendër të qytetit për Palestinën me rreth 25,000 njerëz, ne presim dhjetëra mijëra njerëz”, thotë Kobi Guillory, një nga organizatorët e ‘Marshit drejt Kuvendit të Demokratëve’ në Çikago.
Kuvendi pritet të tërheqë 50 mijë njerëz në qytetin e tretë më të madh të Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë delegatët demokratë, aktivistët dhe gazetarët.
“Qyteti po mirëpret botën sërish në këtë ngjarje historike, emërimin e gruas së parë zezake, e cila ka origjinë edhe nga Azia jug-lindore, si kandidate për postin më të rëndësishëm në botë. Çikago e ka këtë të drejtë dhe do ta bëjë këtë me nder dhe mirësi”, thotë Kryetari i Çikagos, Brandon Johnson.
Qyteti thotë se ka marrë masat e nevojshme me policinë dhe Shërbimin Sekret për të siguruar mbarëvajtjen e kuvendit.
Kjo është një javë e rëndësishme për zonjën Harris ndërsa demonstratat tregojnë për ndasitë që ekzistojnë në mesin e demokratëve, sidomos për politikat që kanë të bëjnë me luftën e Izraelit kundër Hamasit. /VOA
Burimi