Lufta tregtare e Trump do t’i kushtojë 2600 dollarë në vit çdo familjeje amerikane

Lufta tregtare e Trump do t’i kushtojë 2600 dollarë në vit çdo familjeje amerikane

Donald Trump /

Trump pretendon se lufta e tij tregtare përmes vendosjes së tarifave të larta, do t’i dëmtojë partnerët tregtarë të Amerikës, çfarë do të thotë në të vërtetë për konsumatorët amerikanë? Në fakt, tarifat i paguhen qeverisë federale nga shitësi ose prodhuesi që importon mallrat, dhe jo nga vendi i origjinës…

Presidenti i porsazgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar planet për të rritur tarifat për produktet që hyjnë në vend Kina, Meksika dhe Kanadaja, si dhe një qasje shumë të ashpër në luftën kundër trafikut të drogës apo edhe migracionit të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara.
Të treja vendet janë partneret kryesore tregtare të Amerikës. Megjithatë Donald Trump kërcënoi të hënën, se sapo të marrë detyrën më 20 janar, do të firmosë një urdhër ekzekutiv që vendos një tarifë prej 25 për qind për produktet që vijnë nga Kanadaja dhe Meksika.
Njëkohësisht, ai tha se do të vendosë një tarifë shtesë prej 10 për qind për importet nga Kina, derisa qeveria kineze të marrë masa serioze kundër kontrabandës së fentanilit që niset drejt SHBA-së. Republikani është një adhurues prej kohësh i tarifave tregtare.
“Për mua, fjala më e bukur në fjalor është ‘tarifa’. Dhe është e preferuara ime!”- deklaroi Trump në Klubin Ekonomik të Çikagos në muajin tetor, në kulmin e fushatës zgjedhore. Po ashtu, në një aktivitet tjetër elektoral, ai u tha mbështetësve të tij se tarifat “nuk do të jenë kosto për ju, por kosto për vendet e tjera”.
Por ky pretendim është hedhur gjerësisht poshtë nga shumë ekonomistë. Përpara ditës së zgjedhjeve, redaksia e Bloomberg bëri ​​një paralajmërim, duke e cilësuar pretendimin e Trump si një “iluzion populist”.
Pra, ndërsa Trump pretendon se lufta e tij tregtare përmes vendosjes së tarifave të larta, do t’i dëmtojë partnerët tregtarë të Amerikës, çfarë do të thotë në të vërtetë për konsumatorët amerikanë? Në fakt, tarifat i paguhen qeverisë federale nga shitësi ose prodhuesi që importon mallrat, dhe jo nga vendi i origjinës.
Prandaj, ndërsa masat drastike të Donald Trump mund të ndihmojnë disa biznese, produktet e të cilave prodhohen tashmë në Amerikë, ekonomistët kanë paralajmëruar se tarifat do të rrisin ndjeshëm kostot për kompanitë dhe prodhuesit amerikanë që duhet të blejnë pjesë nga jashtë.
Përballë kostove më të larta, kompanitë amerikane do të kenë disa opsione: ose t’i transferojnë kostot tek biznesi i tyre dhe të pranojnë një fitim më të vogël, ose t’ia kalojnë atë konsumatorët duke rritur çmimet e tregtisë me pakicë.
Washington Post raportoi pak kohë më parë se kostoja e çmimeve më të larta, do t’i kalonte në fundore konsumatorit, diçka që mund të jetë “veçanërisht e dhimbshme” për amerikanët me të ardhura të ulëta. Catherine Rampel, analiste politike dhe ekonomike për Washington Post dhe CNN, paralajmëroi se konsumatorët do të kenë disa “lajme vërtet të këqija” në lidhje me tarifat e propozuara nga Trump.
“Nëse e votuat presidentin aktual, sepse menduat se çmimet e ushqimeve ishin shumë të larta, atëherë kam lajm të keq për ju!”- shkroi Rampell në llogarinë e saj në Bluesky të hënën pas njoftimit të Trump mbi tarifat e reja.
 “Për shembull, 90 për qind e avokadove që konsumohen në SHBA vijnë nga Meksika. Nga viti që vjen, ato do të kushtojnë shumë më tepër”-theksoi ajo. Rampell shtoi se tarifat mund të prekin rëndë edhe çmimet e banesave për shkak të materialeve të importuara nga Kanadaja.
“Ne importojmë 105 miliardë dollarë çimento, gëlqere dhe lëndë të tjetra të para, si dhe 28 miliardë dollarë lëndë drusore dhe letër nga Kanadaja. Ndaj prisni që edhe kostot e ndërtimit të kapin majat”- nënvizoi ajo.
Ndërkohë, Patrick DeHaan, një analist i njohur i naftës dhe gazit, paralajmëroi se një tarifë në masën 25 për qind ndaj naftës kanadeze, do të prekte çmimet e gazit të konsumit në zonën e Liqeneve të Mëdha dhe të Mesit të Perëndimit, të cilat janë tregjet kryesore ku rafineritë kryesore e përpunojnë naftën që vjen nga vendi fqinj.
“Do ketë shumë shpejt çmime më të larta për gazin, kryesisht në shtetet e Liqeneve të Madhe dhe Mes-Perëndimit sidomos nëse DonaldTrump do të veprojë siç po premton tani, dhe vendos tarifa për naftën kanadeze dhe nënproduktet e saj që hyjnë në SHBA”- paralajmëroi ai në Bluesky.
“Rafineritë nuk mund ta përpunojnë brenda natës naftën më të lehtë. Sepse për ta bërë këtë, do të duheshin investime të mëdha dhe vite kohë. Dhe në këtë rast nuk do të ndihmonte as shtimi i furnizimit nga brenda”- theksoi ai.
Në administratën e parë të Donald Trump, tarifat që u vendosën shkaktuan rritjen e çmimit të lavatriçeve, çantave, gomave dhe mallrave të tjera për konsumatorin, zbuloi një studim nga Byroja Kombëtare e Kërkimeve Ekonomike.
Tarifa prej 20 për qind mbi të gjitha lavatriçet e importuara, çoi në një rritje të çmimeve të konsumit me 12 për qind, vuri në dukje instituti financiar global ING. Gjatë fushatës së fundit zgjedhore, Trump hodhi hapur idenë e një tarife prej 10 deri në 20 për qind për mallrat e  importuara nga të gjithë partnerët tregtarë.
Ai tha se do të vendoste një taksë prej 60 për qind për të gjitha importet që vijnë nga Kina. Një analizë e Institutit Peterson në fillim të këtij viti, zbuloi se nëse këto plane zbatohen vërtet, do t’i kushtonin më shumë se 2600 dollarë shtesë në vit një familjeje tipike amerikane me të ardhura mesatare.
The Independent ka kontaktuar ekipin e tranzicionit të Trump për komente mbi këtë çështje. Ekipi i Trump ka këmbëngulur më herët se presidenti i zgjedhur do të “rregullojë dhe ripërtërijë ekonominë amerikane”.
“Në mandatin e tij të parë, presidenti Trump vendosi tarifa kundër Kinës, të cilat krijuan vende të reja pune, nxitën investimet dhe nuk shkaktuan rritjen e inflacionit”- tha zëdhënësja e ekipit të tranzicionit Karoline Leavitt në një deklaratë për televizionin ABC javën e kaluar.
“Presidenti Trump do të veprojë shpejt për të rregulluar dhe rivendosur në rrugën e rritjes së shpejtë një ekonomi, e cila i vendos në plan të parë punëtorët amerikanë, duke rikthyer vendet e punës, ulur inflacionin, rritur pagat reale, ulur taksat, pakësuar rregulloret dhe duke mos hequr dorë nga energjia amerikane”- theksoi ajo./Përshtati Pamfleti nga “The Independent”lufta tregtare e trump familja amerikane 2600 dollarë në vit
Burimi