Lufta si një biznes i madh: ja cilët do të përfitojë nga rindërtimi i Ukrainës dhe Gazës!

Lufta si një biznes i madh: ja cilët do të përfitojë nga rindërtimi i Ukrainës dhe Gazës!

Janë një seri e madhe kompanish që po aplikojnë për të dhënë kontributin e tyre në rindërtimin e asaj që dikur ishte hambari i Rusisë…

Nga pikëpamja mjedisore dhe në një kuptim të gjerë, një luftë është “gjëja më e keqe” që mund të shpresohet të ndodhë. Dhe shpenzimi i parave për armatime është operacioni më idiot dhe ekonomikisht më i paqëndrueshëm që mund të bëjë njeriu.
Por le ta kthejmë në fillim vëmendjen tonë tek ndryshimi i klimës. Unë nuk mendoj se mund të dyshojmë mbi ndodhjen e ndryshimeve klimatike. Dhe luftërat kontribuojnë ndjeshëm në rritjen e temperaturave. Kështu një raport i një organizate të pavarur, llogariti se 150 milion ton dioksid karboni janë emetuar në atmosferë në vetëm 18 muajt e parë të luftës midis Rusisë dhe Ukrainës.
Dhe kjo sasi e madhe, pa marrë parasysh dëmet materiale në fshatra dhe qytete. Nga ana tjetër, le të marrim në konsideratë rreth 1 milion rusë dhe ukrainas të vdekur ose të plagosur deri më sot (burimi gazeta amerikane Wall Street Journal). Një milion qenie njerëzore…
Le të kalojmë në Gaza, ku po ndodh gjenocidi ndaj palestinezëve. Revista e famshme mjekësore “The Lancet”, llogariti së fundmi se bazuar në luftërat dhe fatkeqësitë e mëparshme, për çdo person që vdes drejtpërdrejt si rezultat i dhunës së ushtruar, 4 të tjerë vlerësohen se vdesin nga pasojat indirekte (dëme anësore?).
Pra konkretisht për Gazën, revista vlerëson se do të vdesin gjithsej 186.000 njerëz. Megjithatë ka një aspekt tjetër që është padyshim shqetësues, dhe ai lidhet me procesin e rindërtimit. Kështu, në lidhje me luftën që po zhvillohet ende në Ukrainë, zbulojmë se Dhoma Amerikane e Tregtisë (AÇ), po ecën përpara me përgatitjen për këtë fazë të pas përfundimit të luftës.
Dhe janë një seri e madhe kompanish që po aplikojnë për të dhënë kontributin e tyre në rindërtimin e asaj që dikur ishte hambari i Rusisë: Coca Cola, Citi Bank, Pepsi, McDonald’s, Nestlé, Bayer. Që të gjithë këto kompani presin vetëm përfundimin e luftës.
Por vetëm për të bërë biznes, dhe që kanë prezantuar që tani projektet e tyre në konferencën e fundit të rindërtimit të mbajtur në kryeqytetin polak Varshavë. Për më tepër, sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, cinik dhe gllabërues, është shprehur se rindërtimi i Ukrainës është “projekti më i madh ekonomik i kohës sonë, dhe vlerësohet se do të ketë investime në qindra miliarda dollarë”.
Sigurisht, nëse deri atëherë nuk do të kenë mbërritur bombat bërthamore. Dhe duke mbetur gjithnjë tek kjo çështje, dhe ndalur veçanërisht tek Gaza, lexojmë se jo vetëm që atje po ndodh një gjenocid, por edhe një ekocid.
Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), deri në shkurt të këtij viti hektarët e tokës së shkatërruar ishin 6694. Ndërkohë deri më 1 shtator, ato ishin rritur në 10183 (ose 67.6 për qind e totalit të tokës së kultivuar).
Në mënyrë akoma më të detajuar, 71.2 për qind e kulturave prodhuese  (përfshirë ato që janë rimbjellë), 67.1 për qind e tokës së punueshme dhe 58.5 për qind hortikulturës janë rrafshuar me tokën. Po ashtu, janë shkatërruar edhe fermat.
Vetëm rreth 43 për qind e deleve (më pak se 25 mijë), 37 për qind e dhive (3 mijë) dhe madje vetëm 1 për qind e pulave kanë mbetur gjallë. E ardhmja? Një biznes shumë i madh edhe këtu.
Një artikull i botuar në gazetën italiane “Il Manifesto” më datën 6 maj zbuloi planin e administratës së Beniamin Netanyahut për ta mbuluar bregdetin e Gazës me rrokaqiej, impiante të energjisë diellore, anije kontejnerë dhe impiante të magazinimit dhe përpunimit të naftës.
Po ashtu planifikohet të ndërtohet një linjë hekurudhore midis Gazës dhe Neom, qytetit tashmë të njohur të së ardhmes në Arabinë Saudite, i projektuar në mes të shkretëtirës nga Mohammed Bin Salman. Kjo pjesë e Lindjes së Mesme do të bëhej “e qëndrueshme, paqësore dhe e begatë”, siç shpresohej nga Marrëveshja e Abrahamit e vitit 2020.
Po me palestinezët çdo të ndodhë? Në rast se gjithçka shkon mirë, ata do të përfundojnë të ndarë në shumë enklava, pak a shumë si indianët lëkurëkuq në rezervatet e krijuara enkas për ta në SHBA. Lufta? Në fund të fundit, ajo është thjesht një biznes i madh. /Përshtati “Pamfleti” nga “Il Fatto Quotidiano”
Burimi