Lufta Rusi-Ukrainë, Lavrov: Konflikti është shumë larg zgjidhjes!
Konflikti në Ukrainë është shumë larg zgjidhjes. Kështu është shprehur në një intervistë për mediat ruse, Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov. Shefi i diplomacisë ruse fajësoi amerikanët dhe vendet perëndimore në synimet që kanë për t’i shkaktuar Rusisë një disfatë strategjike.
“Duke gjykuar nga ajo që po ndodh në fushën e betejës, ne jemi ende shumë larg zgjidhjes politike dhe diplomatike të krizës. Uashingtoni dhe satelitët e tij janë ende të fiksuar me idenë për t’i shkaktuar një disfatë strategjike Rusisë. Për t’iu afruar këtij qëllimi iluzion, ata janë gati të bëjnë shumë”, tha Lavrov.
Lavrov zbulon edhe një pjesë të planit rus për Ukrainën, e cila duhet të çmilitarizohet, të jetë një vend neutral pa armë bërthamore.
“Një element i domosdoshëm i zgjidhjes politike të konfliktit duhet të jetë çmilitarizimi dhe denazifikimi, duke siguruar statusin e paangazhuar, neutral dhe pa bërthamor të territoreve të kontrolluara nga regjimi i Kievit. Sigurisht, kushti për çdo marrëveshje do të jetë njohja e realiteteve politike dhe territoriale të parashikuara në Kushtetutën ruse”, shtoi ai.
Ndërkohë, forcat ruse kanë arritur të pushtojnë një tjetër fshat në Ukrainën lindore, në marshimin e tyre për të pushtuar qytetin Kurakhovo në rajonin e Donetsk.
Kjo është bërë e ditur nga Ministria e Mbrojtjes e cituar nga agjencitë ruse. Trupat ruse po përparojnë gjithnjë e më shpejt në Ukrainën lindore dhe thuhet se kanë fituar 235 kilometra katrorë tokë javën e kaluar dhe mbi 600 kilometra katrorë në nëntor. “Forcat e armatosura të Ukrainës janë nën presion të madh”, theksojnë ekspertët ushtarak gjerman.
Po ashtu dy persona u plagosën si pasojë e mbetjeve të dronëve rusë të rrëzuar gjatë një sulmi në kryeqytetin ukrainas Kiev, këtë e bëri të ditur kryetari i bashkisë së qytetit, Vitali Klitschko në Telegram.
Burimi