Kushtetuesja goditje qeverisë, rrëzon tatimin për profesionet e lira!
Gjykata vendosi me shumicë votash pranimin e pjesshëm të kërkesës dhe shfuqizimin e nenit 69, pika “dh”, pika kryesore e ligjit!
Më në fund Gjykata Kushtetuese është ngritur në nivelin që i takon dhe ka rrëzuar ligjin e qeverisë për tatimin e profesioneve të lira.
Sipas vendimit të marrë sot, u rrëzua neni kryesor (neni 69/dh), duke shfuqizuar tatimin 15 deri në 23 përqind për profesionet e lira.
Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se nuk u respektua parimi i sigurisë jurdike si dhe parimi i proporcionalitet
Sipas Gjykatës Kushtetuese, kjo ishte një masë joproporcionale dhe se këto kategori do duhet të taksohen si të gjithë bizneset e tjera të vogla.
“Gjykata ka vënë në dyshim hapësirën e gjerë të vlerësimit të ligjvënësit si dhe vetë diskrecionit të tij në fushën fiskale, vlerësoi se neni 69. pika 1, shkronja dh, fjalia e dytë dhe e tretë, e ligjit numër 29/2023, dhe neni 4 i VKM, cenojnë lirinë e veprimtarisë ekonomike për shkak të mosrespektimit të parimit të sigurisë juridike në kuptim të pritshmërive të ligjshme dhe qartësisë së normës si dhe të parimit të proporcionalitetit. Gjykata arriti në këtë përfundim duke mbajtur në konsideratë skemën tatimore dhe në vecanti faktin se detyrimi tatimor prej 15 për qind ndaj kësaj kategorie tatimpaguesish filloi që të zbatohej menjëherë pa u lënë kohë të mjaftueshme atyre që të përshtateshin me skemën e re tatimore. Sa më sipër, gjykata mbajti në vëmendje se ndonëse ligji ka hyrë në fuqi në datën 18 maj 2023, dhe i shtrinte efektet nga 1 janar 2024, lista analitike e shërbimeve hyri në fuqi në 2023 sipas nenit 4 të VKM 753/2023, pra vetëm disa ditë para fillimit të efekteve të ligjit. Gjithashtu gjykata vlerësoi se norma e fitimit prej 15 përqind së bashku me kohën e zbatimit të saj nuk e kalon testin e proporcionalitetit pasi nuk rezulton të jetë masa më e përshtatshme në kushtet kur ka masa të tjera alternative të cilat vetë ligjvënësi i ka evidentuar të zbatohen për kategori të tjera të tatipaguesve mbi të njëjtat të ardhura”, tha kryetarja e gjykatës Holta Zaçaj.
Neni 69 i ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, pika “dh” e shfuqizuar
Sipas saj, në përfundim, gjykata vendosi me shumicë votash pranimin e pjesshëm të kërkesës, dhe shfuqizimin e nenit 69, pika dh, fjalia e dytë dhe e tretë e ligjit 29/2023 dhe të nenit 4 të VKM 753/2023, rrëzimin e kërkimeve për shfuqizimin e dispozitave të tjera të ligjit dhe vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore.
Neni 4 i VKM 753/2023, i shfuqizuar
Në 28 shkurt, 37 deputetë të Rithemelimit dhe Partisë së Lirisë depozituan padinë në gjykatë, duke kërkuar shfuqizimin e ligjit, me argumentin se bie ndesh me Kushtetutën.
Prej 1 janarit të këtij viti profesionistët e lirë që ofrojnë shërbime me rreth 26 lloje aktivitetesh, të ndara këto në 169 profesione, nuk u trajtuan më si biznese të vogla me 0% tatim, por u bënë pjesë e taksimit me fasha.
Ata që siguronin të ardhura vjetore deri në 14 milionë lekë do të tatoheshin me 15%, ndërsa ata që kishin të ardhura mbi 14 milionë lekë do të paguanin 23% tatim.
Kësti i parë, i cili përllogaritet automatikisht nga sistemi dhe merr për referencë xhiron e vitit 2023, ka rezultuar për shumë prej tyre në shifra të papërballueshme.
neni vkm
777
Burimi