Kush do të jetë prezantuesi i Festivalit të 63-të të Këngës?
Festivali i 63-të i Këngës në RTSH po afron dhe kureshtja për organizimin e këtij edicioni është gjithnjë e më e madhe. Një ndër çështjet që ka ngjallur më shumë interes është përzgjedhja e prezantuesve, që do të drejtojnë këtë ngjarje të rëndësishme të këngës shqiptare. Në spotin e Fest63, Drejtuesja Artistike e Festivalit, Elhaida Dani, ka shtuar edhe më shumë enigmën: “Po prezantues, kë do zgjedhim, atë me A apo…?”.
Kjo fjali ka hapur derën e diskutimeve, lidhur me emrat që mund t’iu besohet drejtimi i Festivalit të 63-të në Radio Televizionin Shqiptar. Në listën e përfolur përfshihen disa nga figurat më të njohura dhe të dashura të ekranit shqiptar: Adi Krasta, emri legjendar i festivaleve dhe spektakleve muzikore; Arbana Osmani e cila ka tashmë një përvojë si prezantuese e festivalit, Alban Dudushi, i njohur për elegancën dhe përvojën e tij në drejtimin e programeve të rëndësishme bashke me bashkëshorten Bieta Sulo, edhe ajo një prezantuese e dashur për publikun shqiptar.
Aludimet shkojnë më tej me Salsano Rrapin dhe Eno Popin, dy figura të rëndësishme të televizionit kombëtar Top Channel apo dhe me Arjola Shehun, e cila një vit më parë ishte nën drejtimin e “Para Festival”. Nuk mungon as Ina Kollçaku, që së fundmi i është bashkuar ekranit të Radio Televizionit Shqiptar.
Megjithatë, RTSH ende nuk ka bërë një njoftim zyrtar lidhur me emrat që do të prezantojnë këtë edicion. Nuk dihet nëse stafi organizator do të qëndrojë te tradita e përzgjedhjes së figurave të njohura nga vetë RTSH apo do të bëjë një qasje të re duke përfshirë emra nga jashtë këtij institucioni.
Drejtuesja Artistike, Elhaida Dani, përveçse ka marrë vlerësime për profesionalizmin e saj, po tregon edhe një dozë të lartë misteri dhe strategjie për të mbajtur publikun të intriguar. Nëse aludimet me inicialet “A” i referohen vetëm një pjesë të kësaj liste, atëherë mbetet për t’u parë nëse do të jenë emra me përvojë si Arbana Osmani, Adi Krasta, apo figura të reja që mund të sjellin një frymë ndryshe në skenën e Festivalit.
Si gjithmonë, Festivali i Këngës në RTSH mbetet jo vetëm një ngjarje muzikore, por edhe një spektakël që pasqyron më të mirën e ekranit dhe skenës shqiptare. Publiku tashmë është në pritje të emrave që do të prezantojnë netët magjike të këtij dhjetori. A do të jetë një edicion i dominuar nga tradita apo do të kemi surpriza të mëdha? Koha do ta tregojë!festivali 63 prezantues
Burimi