Kujtohet Ogerta Manastirliu, nis hetim te shkolla “Fan Noli” për vrasjen e Martin Canit
Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu është kujtuar të reagojë 8 ditë pas sherrit pranë shkollës “Fan Noli” e cila përfundoi në tragjedi.
14-vjeçari Martin Cani, nxënës i kësaj shkollë u qëllua disa herë më thikë nga bashkëmoshatari i tij Mario Përlleshaj. Fatkeqësisht, i mituri nuk mundi dot t’u mbijetojë plagëve të marra.
Pas ngjarjes tragjike, në shkollën Fan Noli janë shtuar punonjësit e policisë. Konflikti i nisur mes bashkëmoshatarëve që të premten dhe vijimi i sherrit ditën e hënë i cili rezultoi në fatalitet, ka ngritur pikëpyetje për sigurinë në shkolla, teksa puna vijon si normalisht.
Ministria e arsimit tha për “TCH” se ka nisur një hetim të brendshëm, përveç organeve të drejtësisë për të parë si kanë reaguar strukturat e saj të varësisë dhe si e ka menaxhuar drejtoria e shkollës dhe personeli.
Por edhe pse ka kaluar 8 ditë nga ngjarja, Ministria thotë se janë ende në proces verifikimi dhe nuk kanë identifikuar përgjegjësit.
Në vendin ku i morën jetën Martinit mesazhet janë të pafundme nga shokët e klasës së tij apo të gjithë ata që e njihnin 14-vjeçarin. Ndër të tjera thuhet: “Shpresoj të jesh duke na parë nga lart e të jesh duke u kujdesur për ne”.
Burimi