Kthesa e Zvicrës; neutrale por në marrëveshje me NATO-n

Kthesa e Zvicrës; neutrale por në marrëveshje me NATO-n

Një nga rekomandimet është rritja e bashkëpunimit me NATO-n, e cila do të “forconte aftësitë mbrojtëse të Zvicrës”.

Zvicra duket se do të braktisë neutralitetin, për t’i hapur rrugë bashkëpunimit me NATO-n. Kjo kthesë është lëvizja që propozohet nga një grup ekspertësh, të konsultuar nga presidentja zvicerane, Viola Amherd.
Një raport i hartuar nga një komision ekspertësh, të cilit i referohet gazeta “Blick” dhe do t’i paraqitet me 29 gusht Departamentit Federal të Mbrojtjes, flet për “impulse për politikën e sigurisë në vitet e ardhshme”.
Një nga rekomandimet është rritja e bashkëpunimit me NATO-n, e cila do të “forconte aftësitë mbrojtëse të Zvicrës”.
“NATO do të mbetet garantuesi i sigurisë për Evropën për të ardhmen e parashikueshme. Është pikë referimi për ushtritë moderne perëndimore dhe përcakton standardet për teknologjinë ushtarake perëndimore”, thuhet në raport.
Zvicra ruan “neutralitetin e përhershëm” në përputhje me kushtetutën e saj. Në bazë të saj, vendi duhet të përmbahet nga “përfshirja në luftëra”, ndalimi i dërgesave të armëve në zonat e luftës nga ose përmes territorit të tij dhe ofrimi i trupave mercenare në vendet e përfshira në konflikte të armatosura, si dhe sigurimi i mbrojtjes së tij.
Në draft nuk rekomandohet qartazi anëtarësimin në bllok, por sugjerohet nënshkrimi i “marrëveshjeve sekrete” për të mbuluar “kërcënimet nga raketat me rreze të gjatë, lufta e gjerë kibernetike kundër shteteve evropiane ose shkeljet e hapësirës ajrore”.
Raporti thotë gjithashtu se Zvicra duhet të përgatitet “seriozisht” për mbrojtjen kolektive, duke përfshirë pjesëmarrjen në stërvitjet e NATO-s, gjë që bie ndesh me neutralitetin zviceran.
Si e majta, ashtu edhe Partia Popullore Zvicerane pritet ta kundërshtojnë strategjinë e krijuar rishtazi dhe do të bëjnë gjithçka për të parandaluar “më shumë NATO, më shumë BE dhe më pak neutralitet”.
Neutraliteti zviceran është vënë në pikëpyetje nga Rusia, pas vendimit për të mbështetur sanksionet perëndimore ndaj Rusisë dhe ka ngrirë miliarda në asete ruse.
Sipas një sondazhi të publikuar në mars, rreth 91% e popullsisë zvicerane thonë se vendi duhet të mbetet neutral.
Burimi