Koncertet detyrojnë Tiranën dhe Partizanin të “emigrojnë”, dëmtimi i ‘Air Albania’ sposton Ligën e Konferencës jashtë kryeqytetit
Gjendja e fushës “Air Albania” është dëmtuar dhe rrezikon ndeshjet e Evropës të dy skuadrave të kryeqytetit, Tiranës dhe Partizanit, në Ligën e Konferencës.
Arsyeja absurde është se gjatë kohës që vendi ynë ka qenë në pauzë sa i përket futbollit, në stadiumin kryesor të Tiranës dhe Shqipërisë janë organizuar dy koncerte të mëdha, që janë edhe shkaku i amortizimit të madh të fushës.
Gjatë këtyre koncerteve mbi fushë vendoset skena dhe gjatë zhvillimit të shfaqjes muzikore mbi bar qendrojnë mijëra persona. Për afro një muaj fusha ka qenë e mbuluar thuajse tërësisht dhe nuk ka qenë mundësia e rrezeve të diellit dhe kujdesit për të.
Nëse FSHF ka marrë qiranë e majme në këmbim, klubet e kryeqytetit duhet të largohen nga zona e tyre ku kanë edhe tifozët dhe të vënë në rrezik edhe suksesin në Europë, shkruan “Panorama Sport”.
Partizani pritet ta luajë në Elbasan ndeshjen e 11 korrikut kundër Marsaslok. Ndërkohë Tirana pret Torpedon më 18 korrik, teksa një ditë më parë në Elbasan luan Egnatia.
Kjo i shtyn bardheblutë të mendojnë për një stadium tjetër, ku opsione mund të jenë Durrësi dhe Laçi. Deri tani asgjë s’është zyrtare dhe mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në këtë situatë të pakuptimtë.
“air albania” liga e konferencës tirana partizani
Burimi