Komplotet për të vrarë Putinin do ta egërsojnë më shumë regjimin në Rusi
Vladimir Putin
Megjithatë, çdo fushatë vrasjesh politike e mbështetur nga Perëndimi, sidomos nëse do të arrinte të depërtonte deri tek mbrojtja (realisht e frikshme) pranë Putinit, ka të ngjarë që të shkaktonte jo ndonjë revolucion demokratik, por një shpërthim zemërimi. Sigurisht, është një paralelizëm i papërsosur.
A është vrasja e Vladimir Putinit, përgjigja e duhur për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë? Një grupim emigrantësh rusë, të cilët e kanë shpallur veten “Kongresi i Deputetëve të Popullit” dhe një parlament rus në opozitë, i kanë bërë thirrje Perëndimit që jo vetëm t’i mbështesë ata në fushatën për të rrëzuar nga pushteti Vladimir Putinin, por edhe të luajë vetë një rol aktiv. Por kjo qasje do të ishte e gabuar.
Në një mbledhje të fundit në Varshavë, këta emigrantë, të cilët që të gjithë në një moment apo tjetrin, kanë zgjedhur më parë si parlamentarë në Rusi, ranë dakord për “planin e tyre të fitores”, një program prej 7 pikash, që do të prezantohet gjatë samitit të ardhshëm të NATO-s në Uashington.
Pikëpamja e tyre themelore, është se lufta në Ukrainë mund të përfundojë vetëm duke rrëzuar regjimin e Putinit, dhe kjo do të thotë jo vetëm vendosjen e sanksioneve më të forta dhe dërgimin e më shumë armëve për Kievin, por edhe dhunë të drejtpërdrejtë ndaj tij.
Dhe këtu do të përfshihej edhe vrasja e figurave brenda qeverisë së tij, edhe nëse ata s’mund ta sulmojnë vetë Putinin. Në fakt, për sa u përket atyre, “nuk është më një opsion, por thjesht një detyrë” e Perëndimit që t’i ndihmojë të kryejë vrasje të tilla në emër të gjenerimit të “aksionit revolucionar”.
Ky “Kongres” pretendon se ka 102 anëtarë, disa prej të cilëve aktualisht u shërbejnë parlamentarëve rusë që marrin pjesë në mënyrë anonime për sigurinë e tyre. Figura kryesore është Ilya Ponomarev, një ish-deputet rus i cili u strehua në Kiev në vitin 2016, pas akuzave për përvetësim.
Ai është bërë i famshëm për lidhjen e tij me Legjionin e Lirisë së Rusisë, një forcë e krijuar nga rusët që kundërshtojnë Putinin, dhe që deri më sot është përgjegjës për një seri sulmesh të vogla ndërkufitare në Rusi, si dhe për krijimin e Ushtrisë Republikane Kombëtare (NRA).
Kjo e fundit, pretendon të jetë një forcë partizanësh që vepron brenda Rusisë, dhe gjatë dy viteve të fundit ka marrë përgjegjësinë e vrasjes së blogerit rus pro luftës Vladlen Tatarsky, si dhe Daria Dugina-s, vajzës së filozofit ultranacionalist rus Alexander Dugin. Megjithatë, rusët pretendojnë se NRA është në thelb një front për HUR, shërbimin sekret ushtarak ukrainas.
Për këtë arsye shumë qeveri perëndimore, e konsiderojnë atë dhe Legjionin e Lirisë së Rusisë si të kontrolluara në thelb nga HUR. Natyrisht, ky “Kongres” nuk ka asnjë pozitë ligjore apo ndonjë dëshmi se ka një bazë mbështetësish në Rusi.
Në fakt, Ponomaryov deklaroi në janar për Moscoë Times se e sheh veten si “organizatori pas tranzicionit politik”, që po përpiqej të nxisë në Rusi. E pranon hapur se nuk përfaqëson konsensusin e popullit rus. I pyetur nëse ka një alternativë ndaj këtij revolucioni, ai u përgjigj në një mënyrë leniniste:”Absolutisht që jo!”.
Në këtë kontekst, do të ishte mendjelehtësi që ky “plan fitoreje” të cilësohet si asgjë më shumë sesa një vegim emigrantësh të pakënaqur, të cilët fantazojnë nga vendi i sigurt ku jetojnë aktualisht në Perëndim.
Megjithatë, problemi është se ndërsa vazhdon lufta e përgjakshme në Ukrainë, dhe pasi është e qartë se koncepti i Putinit për “paqe” është kapitullimi ukrainas, në disa qarqe ka një dëshpërim në rritje për të përdorur një taktikë ,që mund ta ndryshojë status quo-në. Ndonjëherë, mund të duket si një hap i vogël nga përfundimi se kjo luftë, ose të paktën përballja themelore me Perëndimin dhe refuzimi për të pranuar sovranitetin e Ukrainës, nuk mund të marrë fund teksa Putin është ende në Kremlin, deri tek të menduarit se vrasja e autokratit të moshuar do të ishte një rrugë më e shkurtër drejt paqes.
Problemi është se përveç çdo lloj konsiderate në lidhje me ligjshmërinë ndërkombëtare – mos harroni ne në Perëndim duhet të jemi ‘djemtë e mirë’ – mënyra e largimit të Putinit nga pushteti ka një rëndësi jashtëzakonisht të madhe. Në Rusi ka një pakënaqësi të madhe ndaj luftës dhe regjimin gerontokratik të Putinit, si brenda elitës ashtu edhe në mesin e ushtarëve dhe veteranëve.
Nëse Putin do të vdesë javën e ardhshme, ka gjasat që pushteti të mos të kalojë tek një kolegu i tij 70-vjeçar, por tek brezi i ardhshëm politik, i cili karakterizohet më së miri nga kleptokratë oportunistë, që janë të gatshëm të përhapin retorikën paranojake nacionaliste të Putinit sot për të qëndruar në detyrë, por më shumë janë të interesuar për jetën e mirë sesa ndaj çdo lloj kryqëzate kundër Perëndimit.
Megjithatë, çdo fushatë vrasjesh politike e mbështetur nga Perëndimi, sidomos nëse do të arrinte të depërtonte deri tek mbrojtja (realisht e frikshme) pranë Putinit, ka të ngjarë që të shkaktonte jo ndonjë revolucion demokratik, por një shpërthim zemërimi. Sigurisht, është një paralelizëm i papërsosur.
Kryeministri Rishi Sunak, është sot i papëlqyer nga 55 për qind e qytetarëve. Por si do të ndiheshin britanikët, nëse një person i armatosur rus do ta vriste atë? Sulmet kryesisht në zonat kufitare të Legjionit të Lirisë së Rusisë, duket se kanë zemëruar vendasit në vend se të fitojnë mbështetjen e tyre, sado që kjo milici rebele e paraqet veten si në krye të një lufte çlirimtare.
Mund të ketë kushte në të cilat politika e Perëndimit, mund të zhvendoset nga “Putini duhet të dështojë në Ukrainë” tek “Putini duhet të bjerë nga pushteti”. Për shembull përdorimi i armëve bërthamore, ka të ngjarë të prishë ekuilibrat. Por tani për tani, përvojat tona nga Iraku, Afganistani dhe fushatat më pak të hapura, na sugjerojnë se jemi shumë më të aftë në rregullimin e ndryshimit të regjimit sesa në formësimin dhe përfitimet nga ajo që vjen më pas.
Përveç kësaj, ndërsa Kremlini i vret vërtetë kundërshtarët e tij politikë që ndodhen në Perëndim, deri më tani objektivat e tij kanë qenë të kufizuara tek ata që i konsideron tradhtarë, nga dezertori i FSB Alexander Litvinenko në Londër në vitin 2006, tek Maxim Kuzminov, piloti i helikopterit që iu dorëzua ukrainasve vitin e kaluar, dhe që u qëllua për vdekje në Spanjë në shkurt të këtij viti.
Nëse ne fillojmë të vrasim politikanë dhe zyrtarë rusë, apo edhe të duket sikur po e mbështesim vrasjen e tyre, a mendojmë sinqerisht se Moska nuk do të synojë të vrasë udhëheqësit tanë?
Ironia është, se edhe pse disa politikanë perëndimorë duken të gatshëm, edhe pse kryesisht pas dyerve të mbyllura, që të kënaqin fantazitë e nxitjes së grushteve të shtetit ose armatosjes së atentatorëve, ata ende nuk po arrijnë të përfitojnë siç duhet nga mundësitë e tjera të mëdha që ka Perëndimi.
Ata mund të afrohen me rusët e zakonshëm, dhe të sfidojnë narrativat toksike dhe ksenofobike të Putinit, të inkurajojnë largimin nga vendi të më të mirëve dhe më të zgjuarve, dhe më në përgjithësi të bëjnë gjithçka që është e mundur jo vetëm për të dëmtuar regjimin aktual, por për të siguruar që ajo që e pason fundin e tij të pashmangshëm, të mos jetë një turravrap tashmë i parë plot mllef dhe ndjenjë hakmarrjeje ndaj Perëndimit./ Përshtati “Pamfleti” Nga “The Spectator”
Shënim: Mark Galeotti, drejton kompaninë konsulente “Mayak Intelligence”. Ai është profesor në Shkollën e Studimeve Sllave dhe të Evropës Lindore në Universitetin e Kalifornisë, dhe autor i mbi 25 librave mbi Rusinë.
vladimir putin
Burimi