Kërkoi ndryshim të masës së sigurisë, GJKKO rrëzon zëvendësin e Rexhë Byberit të Tropojës

Kërkoi ndryshim të masës së sigurisë, GJKKO rrëzon zëvendësin e Rexhë Byberit të Tropojës

Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën e nënkryetarit të Bashkisë së Tropojës, Abedin Kërnaja, për të ndryshuar masën e sigurisë. Ai bashkë me kryetarin Rexhë Byberi akuzohen për shpërdorim të detyrës dhe janë në arrest shtëpie.
Kërnaja kërkoi masë më të lehtë sigurie, por gjykata e ka refuzuar. Kërkesa e avokatit u cilësua e pabazuar në prova dhe masa e arrestit shtëpiak mbeti në fuqi, teksa hetimet për rastin po vijojnë nga SPAK. Masa e parë ishte vendosur në muajin shtator të këtij viti.
Gjykata kundër Krimit dhe Korrupsionit caktoi masën e sigurisë arrest në shtëpi edhe për kryetarin e Bashkisë së Tropojës, Rexhë Byberi.
Të dy zyrtarët akuzohen për veprat penale “shpërdorim detyre”, “prerje e paligjshme e pyjeve” dhe “shkatërrim i pronës”.
Sipas hetimeve të SPAK, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, Byberi dhe Kërnaja kanë shkelur ligjin në miratimin e dy vendimeve në Këshillin Bashkiak për ndërtimin e rrugëve, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 277 milionë lekësh.
Vendimi i GJKKO:
“Kërkuesi Abedin Kerrnaja më datë 11.11.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, parashikuar
nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, caktuar me Vendimin nr. 112, datë 06.09.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me një masë më të lehtë”.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Etleva Deda, bazuar në nenet 246 pika 6 dhe 260 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 642, datë 27.11.2024, vendosi:
1. Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit/personit nën hetim Abedin Kerrnaja, meobjekt: “Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, caktuar ndaj tij me Vendimin nr. 112, datë 06.09.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me një masë më të lehtë.”, si të pambështetur në ligj dhe prova.
2. Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen kërkuesit.
3. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda afatit ligjor në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.
Burimi