Kërkesa për divorc, caktohet gjyqtarja që do të ndajë pasuritë e çiftit Meta-Kryemadhi

Kërkesa për divorc, caktohet gjyqtarja që do të ndajë pasuritë e çiftit Meta-Kryemadhi

Fahrije Budo (Stringa) është caktuar si gjyqtare e procesit të divorcit të çiftit Meta-Kryemadhi.
Këtë të mërkurë, u hodh shorti elektronik, gjashtë ditë pas regjistrimit të kërkesë padisë për divorc në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
“Bazuar në Nenin 5, pika 1 gërma c, e Ligjit Nr.9887 datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” ju bëj me dije se:
Në datën 20.06.2024, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është regjistruar kërkesë padia me Paditës I.M. dhe të Paditur M.K., me objekt: “Zgjidhja e martesës me të paditurën”. Pas proçesit të regjistrimit, çështja ka kaluar në proçesin e shortit elektronik dhe çështja ka rënë për gjykim tek gjyqtarja Fahrije Budo (Stringa)”, thuhet në njoftim.
Ilir Meta bëri kërkesë për divorc nga Monika Kryemadhi më datë 20 qershor. Disa ditë më parë, kreu i PL-së Ilir Meta tha se vendimin e divorcit e mori pasi Monika foli në SPAK.
Meta është shprehur se kanë qenë grindjet e vazhdueshme për shkak të qëndrimeve politike, që e shtynë drejt këtij vendimi. Sipas kreut të PL-së, marrëdhënia e tyre u kris pas vendimit të Kryemadhit për të djegur mandatet e marra në zgjedhjet e 2017.
“Ka qenë vendimi më i vështirë në jetën time, është i motivuar nga ndarje të papajtueshme që lidhen me kauza të mëdha që janë etike për vendin. Marrëdhëniet tona kanë pësuar një krisje të forte që nga vendimi i saj si kryetare e LSI për djegien e 19 mandateve. Qëndrimet e saj krejtësisht në krah të kundërt të kauzave që unë mbroj dhe që krijojnë konfuzion duhet të merrnin fund. Mirëkuptoj çdo reagim emocional të gjithkujt. Detyrimet e mia lidhen me kontributin e qindra mijëra njerëzve që kanë besuar te unë. Ky vendim i imi nuk lidhet me raportet me të si grua apo nënë e tre fëmijëve tanë. Nuk po ndahem me një grua për një grua tjetër. U kërkoj shumë ndjesë tre fëmijëve të mi për shqetësimet që u kam krijuar”, tha ai.
Ndërsa Kryemadhi, nuk preferoi të komentonte vendimin e bashkëshortit të saj, teksa tha se do të fliste në një moment të dytë pasi të mësonte arsyet që e çuan Metën në kërkesën për divorc, të depozituar të enjten në Gjykatën e Tiranës.
Burimi