Kaosi te PSG-ja pas frazave raciste të Galtie, kampionët e Francës nisin hetimet, ultrasit kërkojnë shkarkimin e trajnerit
Nuk ka fund kaosi te PSG-ja, ku situatat e jashtëzakonshme ndjekin njëra-tjetrën. Sikur të mos mjaftonte zënka me Kilian Mbape një javë më parë, në 24 orët e fundit ka shpërthyer edhe një telash më i madh, pasi trajneri Kristof Galtie akuzohet për qendrime raciste.
Një e-mail i bërë publik që i përket periudhës kur ai ishte pjesë e Nisës, aludonte se Galtie ishte ankuar në klub për sasinë e madhe të “zezakëve dhe myslimanëve” në skuadër. Një qendrim racist që ka sjellë revoltë në rrjetet sociale mes tifozëve të skuadrës e jo vetëm. Ultrasit e PSG kanë dalë me një komunikatë zyrtare duke kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të Galtie nga pankina e skuadrës, duke e cilësuar të papërshtatshëm për klubin.
Nga ana tjetër, presidenti Naser Al Khelaifi, i cili pagoi 10 milionë euro për të siguruar prishjen e kontratës së Galtie nga Nisa që të merrte drejtimin e parisienëve, është dukshëm i inatosur me trajnerin dhe ka hapur një hetim të brendshëm. “RMC” bën të ditur se nëse vërtetohet se këto deklarata janë bërë nga trajneri, atëherë shkarkimi i tij do të jetë i mënjëhershëm, ndonëse PSG-ja nuk ka mbyllur sezonin.
PSG do të kthehet në fushë kundër Lens në “Parc des Princes” këtë të shtunë dhe Galtie pritet të mbajë konferencën e tij për shtyp para ndeshjes.
PSG mundi Nisën 2-0 të shtunën e kaluar me golat e Lionel Mesi dhe Serxhio Ramos. Pas ndeshjes, Galtie duartrokiti në mënyrë sarkastike tifozët e ish-klubit të tij, pasi ata shpalosën një pankartë që dyshohet se ofendonte nënën e tij 83-vjeçare.
Sipas “Get French Football News”, Galtie u përball me yjet e Nisës, Kefen Turam dhe Zhan Kler Todibo pas incidentit. Trajneri i PSG-së ka qenë nën presion javët e fundit për shkak të rezultateve në fushë.
Skuadra e tij u eliminua nga Champions League në fazën e 1/8-ave nga Bajerni i Mynihut. Ndërsa Lens, surpriza e këtij sezoni në Francë, është vetëm gjashtë pikë larg kryesuesve të kampionatit pas humbjeve të fundit të PSG-së kundër Ren dhe Lion.kristof galtie trajneri i psg
Burimi