“Ishte fëmijë i dashur me të gjithë”, flet miku i ngushtë i Kadaresë: Kur u bë shkrimtar i madh vinte me përmallim në Gjirokastër!
Arkitekti Agron Doraci, njëherazi dhe shoku i shkrimtarit të njohur, Ismail Kadare, ka folur për raportin e tyre. Ai ka treguar se kanë qene fqinjë dhe që në atë kohë nisën shoqërinë së bashku.
Doraci është ndalur te ana njerëzore e shkrimtarit, duke thënë se ishte i shoqëruar me të gjithë. Ai ka theksuar se Kadare e donte shumë qytetin e Gjirokastrës, çdo detaj, sa që e përfshiu dhe në veprat e tij.
“Unë dëshiroj të them diçka për anën njerëzore të këtij njeriu të madh. Duke qenë se banoj në Gjirokastër, kam qene dhe gjiton, pasi sot asnjë nga familja Kadare nuk jeton në Gjirokastër.
Dua të them që familja Kadare është një ndër familjet më të shquara të Gjirokastrës, origjina e tij është shumë e fisme. Unë e kam njohur mirë familjen Kadare, kam pasur mik të veçantë babanë e Ismailit, pastaj dhe Ismailin. Ai që kur ishte fëmijë i dashur me të gjithë në lagje. Më vonë, kur arriti të bëhet një shkrimtar i madh dhe u largua nga Gjirokastra, vinte me një përmallim të madh. Unë ecja me të rrugës, teksa ai rrinte i heshtur dhe dukeshe sikur vinte nga një botë tjetër. Bisedonte me çdo gur dhe çdo element të rrugës që ne kalonim. Ai e ka dashur shumë qytetin e tij dhe Gjirokastrën e ka treguar dhe në veprat e tij.
Ne të dy jemi në një lagje dhe kalonim në të njëjtën rrugë kur shkonim në gjimnaz.
Me marrëzinë ai nënkuptonte të shkëputurit nga mentaliteti i njerëzve të zakonshëm, banal dhe shoqëror. Ishte jashtëzakonisht i dashur me njerëzit që kishte njohur që në fëmijëri. Do i ndalonte dhe do i takonte”, u shpreh ndër të tjera i emocionuar Doraci.
Burimi