I maskuar dhe i veshur me të bardha, një person djeg me benzinë makinën e punonjësit të bashkisë në Vaun e Dejës

I maskuar dhe i veshur me të bardha, një person djeg me benzinë makinën e punonjësit të bashkisë në Vaun e Dejës

Një person i maskuar dhe i veshur me të bardha ka djegur me benzinë automjetin e 49-vjeçarit Gjon Marashi, punonjës i shërbimeve publike në bashkinë Vau Dejës.
Ngjarja ka ndodhur mesditën e sotme teksa në vendngjarje mbërritën forcat zjarrfikëse duke bërë të mundur shuarjen e flakëve, ndërsa policia ka nisur hetimet.
Punonjësi i bashkisë, dyshon se kjo ngjarje lidhet me punën e tij për vaditjen e tokave me ujë në fshatrat e Vau Dejësit. Marashi thotë se nuk ka pasur kërcënime direkte por herë pas here janë zhvilluar debate të ndryshme me banorët lidhur me vaditjen.
Marashi thotë se tashmë ndihet i frikësuar dhe i bën apel shtetit që ta zbardhë sa më parë këtë ngjarje.
Menjëherë pas djegies së makinës të familjes Marashi që ndodhej e parkuar në oborrin e shtëpisë njëkatëshe në fshatin Pistull të Vau Dejësit, autori u largua me shpejtësi duke mos lënë gjurmë.
Policia është duke punuar për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje dhe identifikimin e autorit të dyshuar.

 
Burimi