I akuzuar për “shpërdorim detyre”, Vangjush Dako pas seancës në GJKKO: Kërkova gjykim të shkurtuar, s’ka fakte!

I akuzuar për “shpërdorim detyre”, Vangjush Dako pas seancës në GJKKO: Kërkova gjykim të shkurtuar, s’ka fakte!

Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako ishte këtë të enjte në seancën e radhës të mbajtur në GJKKO. Pas përfundimit të seancës Dako tha se ka kërkuar gjykim të shkurtuar.
“S’ka më fakte, kështu që kërkuam gjykim të shkurtuar”, tha ai ndërsa largohej.
Gjykata e Posaçme do të shprehet në seancën e 8 korrikut, nëse do pranojë apo jo kërkesat për gjykim të shkurtuar të bëra nga ish-kryebashkiaku Dako, Fiqiri Farruku dhe Adrian Bulku.
Nga ana tjetër, gjyqtarja Elsa Ulliri rrëzoi kërkesën e disa prej të akuzuarve të tjerë për shpalljen e moskompetencës lëndore dhe për dërgimin e çështjes për gjykim në Gjykatën  e Durrësit. Ndërkohë, prokurori Sotir Kllapi kërkoi rrëzimi e kërkesës pasi veprimet e tyre janë të lidhura.
Në këto kushte, gjyqtarja Ulliri u tërhoq për t’u shprehur në seancën e radhës, në lidhje me kërkesat për gjykim të shkurtuar dhe për ndarjen e çështjes. Pas përfundimit të seancës, Vangjush Dako u shpreh se ka kërkuar gjykim të shkurtuar pasi nuk ka prova të reja dhe mund të zgjidhet çështja në këtë fazë.
Kujtojmë se Dako u arrestua më 6 qershor me urdhër të Prokurorisë së Posaçme me dyshimet se ka shpërdoruar detyrën në dy raste. E para ka të bëjë me dhënien e lejes për ndërtimin e një pallati në Durrës në kundërshtim me ligjin, dhe çështja tjetër me tenderin për projektin e zhvillimit të vijës bregdetare që iu rrit vlera 10-fish.
Gjithsej bashkë me Dakon u lëshuan 10 urdhër arreste, 7 prej të cilave me arrest në burg dhe 3 në arrest shtëpie. GJKKO pasi shqyrtoi kërkesën e ndërtuesit të pallatit që u dëmtua nga tërmeti i nëntorit 2019, Fiqiri Farruku, për zbutje të masës së sigurisë, vendosi ta çojë nga “Arrest në burg” në “Arrest shtëpie”.dako
Burimi