Hungaria merr drejtimin e BE-së, Orban tenton të kopjojë Trumpin: Ta bëjmë Europën të madhërishme sërish!

Hungaria merr drejtimin e BE-së, Orban tenton të kopjojë Trumpin: Ta bëjmë Europën të madhërishme sërish!

Hungaria, nga e hëna, mori drejtimin për 6 muajt e ardhshëm të Presidencës së Bashkimit Evropian. Prej ardhjes në pushtet, në vitin 2010, qeveria hungareze është përplasur shpesh me Brukselin duke kundërshtuar politikat e përbashkëta evropiane për emigracionin, sanksionet kundër Rusisë dhe trysninë mbi Budapestin për nivelin e demokracisë në vend.
Sipas analistes hungareze Dorka Takacsy, udhëheqësit evropian presin që gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, presidenca hungareze të shkaktojë vonesa të qëllishme sidomos për vazhdimin e negociatave për anëtarësim të Ukrainës në bllok. Pavarësisht kësaj, zyrtarët e qeverisë hungareze janë zotuar se ata do të punojnë në favor të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Qeveria e Hungarisë është zotuar se do të jetë një “ndërmjetës i ndershëm”, siç shprehet ajo, pavarësisht shqetësimeve mbi atë që kritikët e shohin si një qeveri autoritare dhe miqësore ndaj Rusisë.
“Është detyrimi ynë për të kryer funksionet e presidencës së rradhës, por ne e shohim në radhë të parë atë si një mundësi. Në këtë fillim të mandatit të ri të institucioneve të BE-së, ne mund të nisim debatin dhe të përcaktojmë drejtimin për çështjet që janë të rëndësishme për ne”, tha Janos Boka, ministri hungarez për BE-në gjatë prezantimit të prioriteteve të presidencës hungareze, muajin e kaluar.
Kryeministri nacionalist hungarez Viktor Orban, i cili e ka drejtuar shtetin e Evropës Qendrore që nga viti 2010, shpesh përplaset me Brukselin për çështjet e sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut. Gjatë viteve të fundit zoti Orban shpesh ka këmbëngulur kundër çështjeve që kanë të bëjnë me Ukrainën, emigracionin, marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën dhe përpjekjet për të mbrojtur demokracinë dhe sundimin e ligjit.
Ndër çështjet që Hungaria i ka përcaktuar si prioritet në programin e saj prej shtatë pikash është zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor për vende si Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Shqipëria. Dorka Takacsy, eksperte në Qendrën për Integrimin Euro-Atlantik dhe Demokraci, me seli në Budapest, thotë se Hungaria megjithatë do të përdorë pozicionin e saj për të vonuar pranimin e Ukrainës, një tjetër vend kandidat.
“Marrë parasysh faktin se presidenca e rradhës jep veçanërisht të drejtën për të përcaktuar axhendën dhe për të vepruar si mikpritëse për negociata, Hungaria mund ta përdor këtë lloj privilegji. Ajo mund të vonojë negociatat e pranimit të Ukrainës”, thotë zonja Takacsy.
Ajo megjithatë shton se Hungaria “nuk mund të bëjë më shumë dëm se kaq” dhe udhëheqësit e tjerë evropianë e kanë “llogaritur tashmë” këtë lëvizje paraprakisht. Zonja Takacsy theksoi gjithashtu se vetë zoti Orban rrallë flet për presidencën e rradhës duke “ia deleguar këtë detyrë ministrit Janos Boka”.
Retorika anti-BE-së e Kryeministrit Orban ka nxitur paknaqësi prej kohësh tek partnerët e tij në bllok. Pas zgjedhjeve që u mbajtën së fundmi për Parlamentin Evropian, udhëheqësi nacionalist tani është edhe më luftarak duke u mbështetur në rritjen e përkrahjes për partitë e djathta. Por pavarësisht rritjes së përkrahjes për partitë e të djathtës së vijës së ashpër, partia Fidesz e zotit Orban aktualisht qëndron e izoluar, e paaftë për të gjetur një grup në Parlamentin Evropian që i përshtatet.
Të dielën, Kryeministri Orban njoftoi se donte të formonte grupin e tij, së bashku me Partinë e Lirisë (FPOe) të Austrisë dhe partinë ANO të ish-kryeministrit çek Andrej Babis. Ata ende kanë nevojë për parti nga të paktën katër vende të tjera për t’u bashkuar me ta.
Një tjetër çështje që ka shkaktuar paknaqësi në Bruksel është sllogani i Hungarisë për presidencën e saj: ‘Ta Bëjmë Evropën sërish të Madhërishme’, për ngjashmërinë me sloganin e famshëm të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, ‘Ta Bëjmë Amerikën Sërish të Madhërishme’ (MAGA).
“Presidenca hungareze nuk premton mrekulli, por premton mundësinë e përparimit në disa fusha dhe mundësinë e ndryshimit në fusha të tjera. Pra, ta bëjmë Evropën sërish të madhërishme!”, tha ministri hungarez për BE-në, Janos Boka.
“Kjo është padyshim diçka shumë provokuese dhe unë pres shumë gjëra të ngjashme”, thotë zonja Takacsy.
Por ajo shton se afati kohor i kësaj presidence duke filluar me një pushim të gjatë veror dhe një periudhë kalimtare të formimit të Parlamentit dhe Komisionit të ri evropian, pas zgjedhjeve në bllok, do t’i japë Budapestit pak mundësi për të ndikuar ndjeshëm tek prioritetet e BE-së. Me afrimin e marrjes së presidencës së Bashkimit Evropian nga Hungaria, udhëheqësit në Bruksel nxituan të merrnin vendime të rëndësishme politike, ndërsa Belgjika ishte ende në krye.
Javën e kaluar, Bashkimi Evropian nisi bisedimet e anëtarësimit me vendet kandidate Ukrainën dhe Moldavinë, një proces që sidomos në rastin e Ukrainës zoti Orban e ka kundërshtuar zëshëm dhe është kërcënuar se do ta bllokonte. Dy vjet më parë, Komisioni Evropian bllokoi miliarda euro fonde për Budapestin për shkak të shqetësimeve në lidhje me nivelin e demokracisë.
Kryeministri Orban shpesh e ka krahasuar anëtarësimin e vendit të tij në BE me më shumë se katër dekada të okupimit sovjetik të vendit të tij. Ankesa kryesore e tij është se blloku i bënë trysni Hungarisë me politika të padëshiruara, gjë që e bën të vështirë rikthimin e besimit dhe vullnetit të mirë mes partnerëve të tij të BE-së./VOA
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente