Fshehu drogën në atlete dhe tentoi ta fuste në burg, arrestohet 66-vjeçarja në Fier

Fshehu drogën në atlete dhe tentoi ta fuste në burg, arrestohet 66-vjeçarja në Fier

Një 66-vjeçarje është arrestuar në Fier, pasi tentoi të kalonte drogë në burg ku do të takohej me një të paraburgosur.
66-vjeçarja Limoza Xhelali e kishte fshehur drogën në atlete dhe më pas e futi në burg, aty ku do të takonte të paraburgosurin Mariglen Gashi.
Sipas policisë, droga është konstatuar gjatë një kontrolli të imtësishëm, ku kalohen sende nga familjarët të cilët përmes takimeve me të burgosur apo paraburgosur u lejohet të fusin edhe ushqim.
66-vjeçarja e arrestuar sot, dyshohet se futi lëndë narkotike kanabis sativa, me peshë totale 32.45 gram.
”Sot, më datë 23 Gusht 2024, në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Fier, gjatë një kontrolli me qëllim parandalimin dhe konstatimin e sendeve të ndaluara referuar dhe të dhënave nga inteligjenca operative punonjësit e IEVP-së dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, konstatuan dhe sekuestruan një sasi lënde narkotike e dyshuar si kanabis sativa, me peshë totale 32.45 gram.
Lënda narkotike u zbulua gjatë kontrollit fizik të familjares Limoza Bahi Xhelali, e lindur më 16 Shtator 1958, e cila ishte duke u përgatitur për të takuar të paraburgosurin Mariglen Gashi, i arrestuar për vjedhje. Kontrolli u krye në pjesën e atleteve të zonjës Xhelali, ku u gjet lënda e dyshuar narkotike, e cila u sekuestrua menjëherë në cilësinë e provës materiale dhe do të dërgohet për ekzaminime të mëtejshme kriminalistike.
Lidhur me këtë rast, është informuar menjëherë Prokurori i Gjykatës së Shkallës së Parë, Juridiksion i Përgjithshëm Fier, i cili po ndjek veprimet e mëtejshme proceduriale.
Në vijim të hetimeve, u krye edhe një kontroll në banesën e shtetases Limoza Xhelali nga forcat e policisë Lushnje, ku nuk u gjetën sende të paligjshme.
Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve është duke vazhduar me veprimet proceduriale të nevojshme.
Shtetasja Limoza Xhelali u arrestua dhe akuzohet për “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në IEVP” dhe “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, në bazë të neneve 324/a dhe 283 të Kodit Penal”, njoftoi policia.
Burimi