Festë për Donald Trump, Gjykata e Lartë shprehet pro imunitetit: Presidenti nuk mban përgjegjësi për veprimet zyrtare!
Shefi i drejtësisë, John Roberts tha se presidentët kanë nevojë për imunitet absolut, për aktet e tyre zyrtare.
Gjykata Supreme e SHBA-së ka vendosur se ish-presidentët gëzojnë imunitet për veprimet zyrtare që kanë kryer në kohën kur mbanin postin.
Shefi i drejtësisë, John Roberts tha se presidentët kanë nevojë për imunitet absolut, për aktet e tyre zyrtare.
“Ne konkludojmë se sipas strukturës sonë kushtetuese të pushteteve të ndara, natyra e pushtetit presidencial kërkon që një ish-president të ketë njëfarë imuniteti nga ndjekja penale për veprimet zyrtare gjatë mandatit të tij në detyrë. Të paktën në lidhje me ushtrimin e pushtetit të tij themelor kushtetues nga presidenti, ky imunitet duhet të jetë absolut”, tha Roberts.
Por ai gjithashtu theksoi, se jo çdo vendim i marrë dhe kryer gjatë kohës që gëzon postin e Presidentit është zyrtar dhe për këtë fakt deklaroi Roberts, për vendimet jozyrtare imuniteti nuk e mbulon ish-presidentit.
“Presidenti nuk gëzon imunitet për aktet e tij jozyrtare dhe jo çdo gjë që bën Presidenti është zyrtare. Presidenti nuk është mbi ligjin. Por Kongresi nuk mund të kriminalizojë sjelljen e Presidentit në kryerjen e përgjegjësive të Degës Ekzekutive sipas Kushtetutës”, u shpreh Roberts.
Roberts tha se gjykata do të duhet të vlerësojë tani se çfarë nga sjellja e supozuar të Donald Trump janë të imunizuar, sipas testit të ri të dhënë nga gjykata e lartë.
“Për këtë arsye ne i drejtojmë Gjykatës së Qarkut për të përcaktuar në shkallën e parë – me përfitimin e informimit që na mungon – nëse sjellja e Trump në këtë fushë kualifikohet si zyrtare apo jozyrtare”, shkroi Roberts.
Roberts tha se kishte mungesë të “analizës faktike” në opinionet e mëparshme të gjykatës më të ulët që refuzonin imunitetin e Trump.
Ndërkohë që ish-presidenti Donald Trump përshëndeti vendimin e Gjykatës së Lartë për imunitetin presidencial, duke e quajtur atë një fitore të madhe për Kushtetutën dhe demokracinë.
“Fitore e madhe për kushtetutën dhe demokracinë tonë. krenarë që jemi amerikan!”, shkroi Trump në rrjetin social “Truth”.
Edhe ekipi ligjor i Trump e quajti vendimin e gjykatës një “fitore të madhe” dhe tha se ata besojnë se është e mundur që çështja e Jack Smith është minuar plotësisht, sepse çdo komunikim i ish-presidentit me nënpresidentin e atëhershëm Mike Pence ose zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë mund të konsiderohet zyrtar, duke e penguar atë të futet në gjyq. Ekipi tha gjithashtu se mund ta ndihmonte Trumpin në rastin e dokumenteve të klasifikuara.
Nga ana tjetër gjyqtarja Sonia Sotomayor nuk u përmbajt në mospajtimin e saj, lidhur me vendimin e Gjykatës. Ajo deklaroi se tani presidentët mund të bëjnë gjithçka duke e ditur se mbrohen nga imuniteti. Ajo shtoi se sot u vendos ideja se Presidenti është mbret mbi ligjin.
“Presidenti le të shkelë ligjin, le të shfrytëzojë grackat e zyrës së tij për përfitime personale, le ta përdorë pushtetin e tij zyrtar për qëllime të këqija. Sepse nëse ai do ta dinte se një ditë mund të përballet me përgjegjësi për shkeljen e ligjit, ai mund të mos ishte aq i guximshëm dhe i patrembur sa ne do të donim të ishte. Ky është mesazhi i mazhorancës sot. Edhe nëse këta skenarë makthi nuk ndodhin kurrë, dhe unë lutem që të mos ndodhin kurrë, dëmi është bërë. Marrëdhënia mes Presidentit dhe njerëzve të cilëve u shërben ka ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme. Në çdo përdorim të pushtetit zyrtar, Presidenti është tani një mbret mbi ligjin”, tha ajo.
Analisti ligjor i CNN, Elie Honig tha se ish-presidenti Donald Trump ka të ngjarë të mos përballet me gjykatën përpara zgjedhjeve të nëntorit për akuzat në lidhje me rolin e tij në përpjekjen për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve në vitin 2020./Pamfleti
Burimi