Favorizonte grupet kriminale, kush është ish-gjyqtari i tretë që u godit nga SPAK; dy dekada në Gjykatën e Elbasanit
Gjyqtari i tretë i akuzuar nga SPAK për vendime të dyshimta dhe favorizime të grupeve kriminale në Elbasan, është Taulant Tafa.
Ai ndodhet në të njëjtën dosje penale të SPAK për përgjimet SKY ECC me ish-gjyqtarët Pajtime Fetahu dhe Zihni Shahu, ky i fundit ish-kryetar.
Tashmë ish-magjistrati i Gjykatës së Elbasanit, ai pati probleme gjatë procesit të Vettingut një vit më parë.
Tafa u shkarkua më 24 Prill 2023 me shumicën e votave të trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK. Teksa e ka apeluar çështjen prej muajit Korrik 2023 dhe ende nuk ka vendim të formës së prerë.
Gjatë seancave dëgjimore në shkallën e parë Tafa dha shpjegime për probleme në të tre kriteret e rivlerësimit, për pasurinë, figurën dhe profesionalizmin.
Taulant Tafa e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit të Elbasanit. Në korrik 2022, Tafa u përball me një procedim disiplinor në Këshillin e Lartë Gjyqësor, për vendimin e tij për uljen e dënimit me 720 ditë për Arben Grorin. ILD kërkoi shkarkimin e tij, por KLGJ vendosi masën e pezullimit 3-mujor për subjektin, derisa një vit më pas KPK e shkarkoi.